MENU
klinika

Evakuohen banorët në periferi të Athinës

“Digjet” Greqia, qindra zjarrfikës në luftë me flakët

20.07.2022 - 11:18

Periferia e Athinës po digjet për të dytën ditë radhazi nga zjarret, teksa 500 zjarrfikës janë vënë në dispozicion për të ndaluar përhapjen e flakëve dhe qindar banorë u evakuuan.

Të paktën dy persona u shtruan në spital me probleme të frymëmarrjes dhe djegie të lehta, ndërsa zyrtarët lokalë thanë se disa shtëpi ishin djegur nga zjarri rreth malit Penteli, 25 kilometra në verilindje të kryeqytetit grek, sipas mediave fqinje.

“Kushtet janë shumë sfiduese. Prioriteti ishte mbrojtja e jetës njerëzore, infrastrukturës kritike dhe pronës private”, tha zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, Yiannis Artopios.

Ai tha se erërat deri në 80 kilometra në orë po e bëjnë të vështirë mbështetjen ajrore për ekipet e zjarrfikësve.

Greqia e ka shmangur valën e të nxehtit që po prek aktualisht vendet e Evropës Perëndimore, por zyrtarët e zjarrfikësve thonë se kushtet e nxehta dhe të thata që kanë zgjatur prej javësh, si dhe rritja afatgjatë e temperaturës, kanë rritur rrezikun e përgjithshëm të zjarreve në pyje.

Pesë avionë që hedhin ujë dhe katër helikopterë po operonin të mërkurën në zjarrin në veri të Athinës, thanë zyrtarët, duke shtuar se më shumë se 600 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre deri më tani.

Më shumë se 1,300 kilometra katrorë tokë u dëmtua nga zjarret në Greqi vitin e kaluar, dëmi më i keq i regjistruar që nga viti 2007.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN