Sot është një ditë e shënuar për gazetarinë. 2 korriku është festa e gazetarëve sportivë dhe mes urime të shumta nuk mund të mungonte ai i Presidentit të FSHF-së, Armand Duka…
“Dita Botërore e Gazetarëve të Sportit është momenti ideal për të falenderuar të gjithë profesionistët e medias, tek të cilët gërshetohen ambicia për të vërtetën dhe pasioni për sportin.
Falenderoj të gjithë gazetarët dhe stafet e tyre mbështetëse të cilët punojnë pa u lodhur, shpeshherë në kushte të vështira, për të mirën e futbollit shqiptar: Me angazhimin dhe përkushtimin tuaj na ndihmoni përditë në punën tonë.
Kur kritikat janë të sinqerta dhe të vërteta, FSHF i trajton me seriozitet dhe mirënjohje. Suksesi i futbollit shqiptar është rezultat i punës së përbashkët dhe gazetaria sportive ka një kontribut të paçmuar.
Në këtë ditë Botërore të Gazetarëve Sportivë, ju jam mirënjohës të gjithëve, dashamirësve dhe kritikëve. Ju inkurajoj të paraqisni me punë dhe përkushtim sukseset e futbollit shqiptar. Në FSHF do ta gjeni gjithnjë derën e hapur! “