MENU
klinika

“Së shpejti Turqia mund të...”

Erdogan bisedime me Putin dhe Zelensky-n për grurin ukrainas

01.07.2022 - 21:31

Turqia mund të rieksportojë produkte drithërash si gruri, tërshëra dhe elbi nga Deti i Zi në vendet në nevojë pas bisedimeve me Rusinë dhe Ukrainën, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

Duke folur pas lutjeve të së premtes në Stamboll, Erdogan tha se do të diskutojë këtë çështje me Rusinë dhe Ukrainën në ditët në vijim.

Ukraina është një nga furnizuesit kryesorë globalë të grurit, por dërgesat janë ndalur si pasojë e luftës, duke shkaktuar mungesë globale të ushqimit. Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të dyja palëve, si dhe fqinjit detar, Turqisë, që të bien dakord për një korridor kalimi.

Erdogan tha se zyra e tij po punonte me Kievin dhe Moskën për të zhbllokuar situatën dhe se 20 anije turke janë gati për të marrë pjesë në dërgesat e mundshme.

Pas bisedimeve me udhëheqësit e Ukrainës dhe Rusisë, “ne mund të dërgojmë grurë, elb, tërshërë, vaj luledielli në të gjitha në vendet në nevojë”, tha ai.

Turqia ka luajtur një rol qendror në negociatat me Rusinë dhe Ukrainën në përpjekje për të arritur një marrëveshje që do të lejonte një rritje të sasisë së grurit që mund të dilte nga Ukraina në mes të konfliktit.

Një pjesë e grurit u transportua në perëndim me hekurudhë nga Ukraina, por ekspertët thonë se rivendosja e aftësisë së Ukrainës për të eksportuar grurë përmes Detit të Zi është e nevojshme për të pasur një efekt të rëndësishëm në lehtësimin e mungesës globale të ushqimit.

Turqia ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Moskën dhe Kombet e Bashkuara mbi planin dhe Erdogan tha nga Madridi të mërkurën se shpresonte se diplomacia do të ndihmonte në zgjidhjen e çështjeve rreth eksporteve të grurit të Ukrainës.

“Ne po përpiqemi ta zgjidhim procesin me një politikë balancuese. Shpresojmë që kjo politikë e ekuilibrit do të çojë në rezultate dhe do të na lejojë mundësinë që sa më shpejt të jetë e mundur të çojmë drithë në vendet që po përballen me mungesa nëpërmjet një korridori,” tha ai gjatë një takimi me presidentin e SHBA-ve Joe Biden në samitin e NATO-s.

Dhjetëra miliona njerëz në mbarë botën janë në rrezik të urisë pasi lufta katërmujore ka ndërprerë dërgesat e drithit nga Ukraina.

Duke folur në një konferencë shtypi në përfundim të samitit të enjten, Erdogan tha se do të përpiqet të vazhdojë diplomacinë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentin rus Vladimir Putin këtë fundjavë ose në fillim të javës së ardhshme në lidhje me këtë çështje.