MENU
klinika

Incidenti me Qerimajn

Gjoza: Shqipërisë sot iu vodh një medalje

02.07.2022 - 22:57

Erkand Qerimaj fitoi medaljen e argjendit në stilin e shkëputjes për peshat 73 kg në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, por gara e tij u shoqërua me polemika të forta, kjo për shkak të vendimeve skandaloze të arbitrave, të cilët në mënyrë të pabesueshme e quajtën fillmisht si të parregullt provën e peshëngritësit shqiptar.

Por pas protestave të forta nga vetë sportisti, nga kreu i FSHP-së, Elez Gjoza, nga trajneri Sokol Bishanaku, apo nga presidenti i KOKSH-it Fidel Ylli, gjyqtarët u tërhoqën dhe e quajtën si të suksesshëm ekzekutimin e Qerimajt.

Menjëherë pas kësaj skene të turpshme, ku u tentua hapur vjedhja e një medaljeje, Elez Gjoza, në një prononcim për “Panorama Sport”, deklaron se gjithçka ishte e inskenuar, për t’i dhënë medaljen kundërshtarit nga Egjipti që garonte me Qerimajn.

“Ekzekutimi me 149 kg në stilin e shkëputjes nga sportisti ynë i talentuar Erkand Qerimaj ishte perfekt. Nuk kishte asnjë lloj difekti dhe asnjë shkak që gjyqtaria të merrte atë vendim ekstrem.

Por dua t’iu bëj me dije ju dhe të gjithë shqiptarëve, se një nga gjyqtarët e pandërgjegjshëm egjiptian, së bashku me dy gjyqtarët anësorë, që ishin njëri tunizian dhe një tjetër, donin që në mënyrë flagrante medaljen t’ia kaloni sportistit egjiptian.

Më pas me të drejtë reaguam dhe protestuam të gjithë që nga presidenti, trajneri, sportisti dhe deri te presidenti i Komitetit Olimpik, pasi djersën e sportistëve nuk mund ta çojmë dëm, ashtu sikurse medaljen dhe flamurin shqiptar nuk mund të çojmë dëm.

Kështu që ishte këmbëngulja jonë, duke kërkuar menjëherë videon për ta përsëritur, por nuk donin pasi përsëritja e videos do ti dëmtonte dhe do të merreshin masa ndaj tyre. Kështu që u tërhoqën dhe më pas ja dhanë provën të suksesshme Erkand Qerimajt dhe medaljen e argjendtë”, shprehet Gjoza.

Në një situatë të tillë, Elez Gjoza thotë se ishte e pamundur për Qerimajn për ta vazhduar garën, ndërsa i faturon arbitrave mungesën e medaljes në shytje, pasi e quante të sigurt suksesin e Qerimajt:

“Erkandi u traumatizua nga ai vendim dhe nuk mblidhte dot veten për të vazhduar garën. Aq më tepër që në një situatë të tillë stresi mund të rrezikonte edhe dëmtim. Kështu që nuk kishte si të vazhdonte në shtytje. Me atë që bënë, gjyqtaria na e humbi një medalje, pasi Erkandi ishte medalist i sigurt edhe në shtytje”.

Problemet me gjykimin – Në “Oran 2022” nuk është hera e parë që shikojmë arbitrime tendencioze. Disa ditë më parë boksieri Alban Beqiri vendosi të tërhiqej nga ndeshja çerekfinale ndaj rivalit algjerian për shkak se gjyqtarët po e favorizonin hapur. Lidhur me këtë çështje Gjoza shprehet:

“Absolutisht nuk është vetëm boksi për shqiptarët, por edhe në shumë sporte të tjera kemi parë arbitra që kanë marrë orientim dhe nuk e di se cili është orientimi, por kemi parë 5-6 sportistë që të kontestojnë fort, në një moment dikush hodhi dorezat para tavolinës së arbitrave, pra ishte rasti i shtatë, por te peshëngritja nuk u eci.

Unë i bëj apel të gjithë gjyqtarisë se asnjëherë nuk mund ti hanë hakun shteteve dhe sportistëve që derdhin djersë për këto medalje”, përfundon presidenti i FSHP-së.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN