MENU
klinika

Protesta e 7 Korrikut kundër rritjes së çmimeve!

Kush janë deputetët e PD që do të marrin pjesë, aleatët pro thirrjes së Berishës

01.07.2022 - 09:56

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi ishin ndër të paktët që pohojnë se nuk do t’i bashkohen protestës së thirrur më 7 korrik para Kryeministrisë.

I pyetur nga gazetarët, Alibeaj tha se protestën e ka thirrur Berisha dhe se ai nuk mund të përfaqësojë problemet e qytetarëve pasi është i shpallur “non grata” për korrupsion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mënyra më e mirë për të protestuar është këtu. Do të protestoj në çdo rast. Detyra e çdo deputeti është kjo. Nuk mund të jetë Sali Berisha përbashkimi i këtyre njerëzve që sot vuajnë gjithmonë e më tepër. Nuk e kuptuat mirë se çfarë thashë. Nuk është ai shpresa e njerëzve. Para se të shkojnë te sheshi, të vijnë këtu dhe të thonë një gjë. Për të protestuar për çmimet e larta duhet të thotë se çfarë qëndrimi ka ndaj oligarkëve”, tha Alibeaj.

Ndërkohë, deputeti Gazment Bardhi preferoi të mos fliste shumë për protestën, por në ikje, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse do të protestonte më 7 korrik, u shpreh: “Gjithmonë ka arsye për të protestuar! Gjithmonë krah qytetarëve dhe jo ‘non grata’- ve”, tha Bardhi.

Ndërkaq, edhe deputeti i Durrësit, Ferdinant Xhaferraj, është shprehur se protesta e 7 korrikut nuk bëhet për të zgjidhur problemet e qytetarëve, por të ish-Kryeministrit. “Nuk do të marr pjesë, sepse unë jam për çfarëdolloj proteste për problematikat e qytetarëve, por kjo nuk ka të bëjë me këtë. Unë nuk marr pjesë se nuk bëhet për hallet e qytetarëve. Protesta ka të bëjë me hallin personal. Rama po bën gati 10 vite që po ua nxin jetën qytetarëve, nuk mund të nxijmë emrin tonë. Unë jam për t’i sqaruar qytetarët se nuk ka të bëjë me ata. Rama, nga dita në ditë, po ua nxin jetën, po s’mund të dalim në protestë”, tha Xhaferraj.

REAGIMI

Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi u shpreh i habitur me qëndrimet e kolegëve të tij. Ai tha se shqiptarët kanë shumë arsye për të dalë në shesh kundër maxhorancës dhe kush e pengon protestën, sipas tij, është në pazar me qeverinë. “Më ardhka keq nëse kjo ka ndodhur. Është absurde nëse kjo thirrje është bërë. Çdo shqiptar ka 1001 arsye për të dalë në protestë, kushto që do të mbysë zërin e qytetarëve, është në shërbim të qeverisë. Alibeaj apo çdo deputet i zgjedhur nga 25 prilli, jemi zgjedhur për të qenë opozitë përballë Ramës, jo me Ramën. Është absurde që të shkojmë në drejtim të gabuar. Nuk ka fuqi, zero. Nuk e kam parë deklaratën, por më duket absurde”, tha Këlliçi.

PRO PROTESTËS

Të distancuar me Berishën, por pranë qytetarëve janë shprehur disa deputetë. “Uroj që shqiptarët të protestojnë si pas masakrës së zgjedhjeve të 25 prillit në të gjithë qarkun e Kukësit. Ky është një rast që protestohet nga çdo shqiptar, jo vetëm nga ata që jetojnë këtu, por edhe ata që janë larg dhe që duan që Shqipëria të ndryshojë. Strukturat e PD-së janë gjithmonë të bashkuara. Dhe ne e kemi për detyrë të bashkohemi edhe me ata që i bashkohen forcës më të madhe opozitare, Partisë Demokratike. Në të kundërt, kot hyjmë në këtë Parlament”, tha Flamur Hoxha deputeti i PDsë në Kukës.

Duka: Duhet të dalim të protestojmë për problemet që ka bujqësia

Protestës së thirrur nga deputetët e Partisë Demokratike do t’i bashkohen edhe aleatët e selisë blu. Interesit të gazetarëve iu përgjigj dje kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Sipas këtij të fundit, shqiptarët kanë shumë arsye për të dalë në shesh kundër qeverisë. Ai shtori se nuk ka koordinim me organizatorët, por vlerëson se të gjithë duhet të dalin në protestë.

“Po, ne do marrim pjesë, PAA, nuk kemi asnjë lloj rakordimi me zotin Berisha apo organizatorët e protestës, por mendojmë që për çështjet të cilat bëhet protesta, për çmimet etj., por sidomos për problemet që ka bujqësia sot, mendoj që PAA duhet të jetë prezente në protestë, edhe për të dhënë një mesazh për gjendjen e bujqësisë sidomos për heqjen e TVSH për inputet bujqësore etj.”, tha Duka.

Ndërkohë, më herët ka konfirmuar se do t’i bashkohet protestës së thirrur nga ish-Kryeministri Berisha për krizën e çmimeve edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, është shprehur se qytetarët duhet të dalin në protestë edhe për vjedhjen që u është bërë me inceneratorët.

“Do dal në protestë, por s’duhet të ekzistojë më pyetja ‘me Berishën apo Bashën?”

Shumica e deputetëve të Partisë Demokratike kanë konfirmuar se do të jenë në protestë të enjten e ardhshme. Ata shprehen se kjo është nevojë kombëtare, pavarësisht se kanë rezerva me ish-Kryeministrin Berisha për organizimin.

“Kanë bërë shumë mirë që i kanë përfshirë deputetët kudo. E mira është që përveç përfshirjes, të kërkonin edhe mendime më tej se sa përfshirja. Duhet të kuptojmë qartë që Grupi Parlamentar duhet të ketë prestigjin e të respektohet si i votuar nga demokratët dhe nga shqiptarët. Si të tillë nuk është vetëm çështje që të jemi në grupe pune, duhet patjetër të konsultohen të gjithë deputetët sa i takon strategjisë që do të ndiqet. Unë jam pro protestave. Besoj që protesta do t’i bashkojë demokratët. Pastaj se çfarë do të bëjë hierarkia lart, është çështje më e madhe se kaq”, tha Duma, duke theksuar se do të vijojë takimet për të ftuar mbështetësit në protestë.

Ndërkohë, deputeti i Lushnjës, Saimir Korreshi, u shpreh se nuk duhet të vendoset në pikëpyetje nëse mbështesin Berishën apo Bashën, por shqiptarët e demokratët. “Për të marrë pjesë në protestë, unë nuk e ndërroj, ju kam thënë që do të marr pjesë. Me strukturat jam përditë. Varet çfarë strukturash, se i kemi dyzuar strukturat. I kemi shartuar njerëzit në atë farë feje saqë nuk pyesim më: ‘A je kundër kësaj qeverie, apo jo?”, por pyesim: ‘Je me Lulin apo me Saliun?’. Unë mendoj që duhet të jemi të gjithë Partia Demokratike dhe nuk ka më struktura, ka demokratë. Kjo është zgjidhja të shkojmë në protestë kundër qeverisë, jo sepse jemi me njërin apo me tjetrin. Kështu gjykoj unë”, tha Korreshi.

Ndërkohë, Xhelal Mziu tha se shqiptarët nuk kanë pasur ndonjëherë më shumë arsye për të protestuar. “Nuk besoj se ka një situatë më kritike në familjet shqiptare sesa sot. Kemi çmime rekord në botë dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit. Kemi papunësinë më të madhe dhe korrupsionin më galopant që mund të ketë një shtet dhe pak ditë më parë zumë edhe vendin e 7-të në botë për sa i përket hashashit. Nuk është një protestë e Berishës, është një protestë e demokratëve”, tha Mziu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Basha dhe Alibeaj janë zjarrfikës të protestave"

Berisha tregon çfarë do të ndodhë më 7 korrik

Aksion kundër krizës së çmimeve

Berisha thërret protestë më 7 korrik

“Të rikthejmë demokratët e vitit 90”

Berisha shpjegon pse zgjodhi 7 korrikun për protestën