MENU
klinika

Detaje të reja

Masakra e Fushë Krujës: Hetimet shtrihen në disa qytete, pritet të merret në pyetje Endrit Dokle

24.07.2022 - 17:54

Masakra e Fushë Krujës ku mbeten të vrarë 3 të rinjtë, Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj ende mbetet pa autor. Sipas hetuesve kamerat e sigurisë në zonë kanë dhënë shumë pak të dhëna dhe grupi hetimor nuk ka mundur dot të ndërtojë një identikit të autorëve të dyshuar.

Mësohet se Policia është e orientuar në grumbullimin e sa më shumë dëshmive nga pyetja e personave që kishin konflikt me viktimat, rrethi shoqëror i tyre po ashtu edhe pyetja e personave me precedent penal në zonë që mund të kenë të dhëna për autorët.

Hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik janë shtrirë në Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës e Elbasan dhe policia ka përpiluar një listë me gati 30 emra që një pjesë janë pyetur e një pjesë tjetër priten të pyeten. Të parët që dhanë deklarime para uniformave blu ishin familjarët e 3 viktimave, Brilant Martinaj, Dikler Varaj dhe Besmir Hoxha.

Në dëshmitë e tyre nuk u dha asnjë indicia që mund të çonte në autorët. Duke qenë se pista kryesore e hetimeve është vrasja për hakmarrje në pyetje janë marrë edhe të afërm të policit të FNSH-së, Xhulio Prela për vrasjen e të cilit ka qenë i dyshuar Brilant Martinaj.

Në pyetje priten të merren edhe të afërm të ish-policit Xhelal Reçi të vrarë në nëntor të vitit të kaluar ku po ashtu dyshohej I përfshirë si autor Brilant Martinaj. Mes familjarëve të tij është dhe ish-kryetari i bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili pritet të pyetet edhe për një konflikt të hapur që ka me kushëririn e Brilantit, Ervis Martini. Sipas dëshmisë së Nuredin dumanit, ky i fundit ka paguar për ta eliminuar.

Në listën me 30 emra janë edhe persona të tjerë me precedent të theksuar kriminal që kanë konflikt me Ervis Martinin.

Në numrin e celularit të vënë në dispozicion nga policia për të dhënë informacione të vlefshme kundrejt shpërblimit 30 milionë lekë kanë ardhur disa informacione që grupi hetimor i ka cilësuar orientuese por nuk kanë mbërritur ende në emra konkret për autorët.

Ngjarja e rëndë ndodhi me 17 korrik ku tre të rinjtë u vranë në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. 4 dyshohet se ishin atentatorët të cilët kanë qenë të maskuar, njëri prej tyre drejtues i mjetit i cili më pas u gjet i djegur tërësisht në fshatin Larushkë. Viktimat janë: Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha. Vata doli jashtë mjetit po u ekzekutua me breshëri plumbash, dy të tjerët u dogjën brenda mjetit. Tek makina e autorëve, identike me atë të viktimave, janë gjetur 1 armë automatike MP5 dhe 2 kallashnikovë.