MENU
klinika

Nga zgjedhja te përplasjet me PS

Meta dorëzon Presidencën! “Beteja të forta kemi përpara”

25.07.2022 - 07:59

Pas 5 vitesh në krye të shtetit, Ilir Meta i dorëzoi dje zyrtarisht detyrën Presidentit të ri, Bajram Begaj, përmes një ceremonie të zhvilluar në bulevardin para Presidencës.

Ilir Meta priti me buzëqeshje dhe përqafime Bajram Begajn në Presidencë, ku i dorëzoi detyrën rreth orës 19:30. Pas këtij momenti dhe përshëndetjes me pasardhësin e tij, duke bërë shqiponjën me duar, Ilir Meta zgjodhi të largohet në këmbë nga Presidenca. Të dy presidentët ecën drejt bulevardit duke parakaluar në tapetin e kuq.

Bajram Begaj mbajti një fjalë para të pranishmëve, ndërsa më pas të dy u larguan. Meta nuk foli në ceremoni, por zgjodhi të largohej duke bërë simbolin kombëtar shqiponjën, i përcjellë nga pasardhësi i tij deri në fund të rrugës. Më pas, Begaj eci i shoqëruar nga familja e tij drejt institucionit të kreut të shtetit. Presidenti i ri përpara të pranishmëve në ceremoni shtetërore që u shoqërua me 21 të shtëna topi, falënderoi Ilir Metën për përmbushjen e detyrës, teksa këtë ditë e konsideroi më të rëndësishmen e jetës së tij.

Në ceremoni ishin të pranishëm deputetë të PS, PD, LSI, si dhe trupi diplomatik. Seanca e betimit u bojkotua nga ajo pjesë e deputetëve që mbështesin ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike. Gjatë ditës, me anë të një deklarate, PD e konsideroi ditën e djeshme si “ditën e instalimit të monizmit të plotë të Kryeministrit Edi Rama”.

Ndërkohë që deputetët e tjerë që në këto muaj, kanë qëndruar pranë kryetarit të Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj, ishin të pranishëm “në respekt të Kushtetutës dhe institucioneve”, pavarësisht kundërshtive të forta që dhe ata patën ndaj procesit të zgjedhjes së tij. Z.Begaj, ishshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u propozua si kandidat nga PS, me votat e së cilës ai u zgjodh me pas si President më 4 qershor.

Votimi për emrin e tij u krye në raundin e katërt, pasi 3 raundet e mëparshme ishin djegur pa asnjë kandidat dhe shumica e opozitës kishin dështuar të arrinin një marrëveshje për një zgjedhje konsensuale. Zoti Begaj, 55 vjeç, pason në detyrën e kreut të shtetit Presidentin Ilir Meta, i cili mbylli sot 5 vitet e një mandati të trazuar, ku u bë protagonist i përplasjeve të forta me shumicën. Kjo e fundit tentoi dy herë shkarkimin e tij, por pa ia arritur qëllimit.

PARALAJMËRIMI

Ilir Meta ka premtuar rikthimin e tij të menjëhershëm në politikë, me shumë gjasa duke rimarrë drejtimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, partisë që ai themeloi në shtator të vitit 2004 dhe e drejtoi deri kur mori detyrën e Presidentit të vendit. Meta zgjodhi që në ditën e fundit të detyrës në krye të shtetit të jetë tepër aktiv në rrjete sociale. Presidenti u ktheu dje përgjigje disa komentuesve në “Facebook”, të cilët i shprehin konsideratat për punën e bërë në krye të shtetit.

Meta shkruan se beteja të forta e presin në rrugëtimin e ri. Ai shtoi në mënyrë metaforike se nuk mund të arrihet në maja nëse nuk bën pak malore.

“Beteja të forta kemi përpara. Por a mund të arrish në maja pa bërë edhe pak malore? Malet tona më të larta! Një agim i ri nis nesër që do të rikthejë demokracinë dhe llogaridhënien”, shkruan Meta. Ai falënderoi qytetarët për mbështetjen, duke shprehur veçanërisht mbështetjen për popullin e 2 marsit.

“E ndjeja përkrahjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm. Mirënjohje në veçanti për popullin e 2 marsit për ndërgjegjen e lartë patriotike që tregoi”, u shpreh ish-Presidenti i vendit, Ilir Meta. Ishkryetari i KQZ, Kristaq Kume, ishte personi i fundit dje që u dekorua nga ish-Presidenti Meta para se të dorëzonte zyrtarisht detyrën. Juristi i njohur që e ka drejtuar institucionin e KQZ-së edhe në vitin e trazirave politike dhe civile, 1997, u dekorua me titullin “Nderi i Kombit”.

PËRPLASJA

Bajram Begaj vjen në krye të shtetit me premtimin se do të respektojë në mënyrë të barabartë çdo përfaqësues të popullit, ndërsa Ilir Meta largohet si Presidenti që u përplas me shumë se çdo paraardhës i tij me qeverinë.

Po aq në historinë e marrëdhënieve të qeverisë me Presidentin, Ilir Meta do të kujtohet si Presidenti që Edi Rama u përpoq dy herë ta shkarkonte, por një herë e rrëzoi Komisioni i Venecias dhe herën tjetër Gjykata Kushtetuese. Refuzimi i dekretimit të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, në 2018 dhe atij të Jashtëm, Gent Cakaj, në 2019 nisi sagën e përplasjeve mes Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Ato u thelluan me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve vendore të qershorit të 2019- ës, daljen kundër me dekret për shembjen e Teatrit Kombëtar, të paprecendetën protestë të thirrur nga një President apo mosdekretimi i një numri të madh ligjesh të propozuara dhe miratuara nga Partia Socialiste.

Ky konflikt institucional i zhvilluar përgjatë pesë viteve pritet të vazhdojë, por tanimë nga të tjera llogore. Pasditen e së hënës, Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojë konventën e saj, ku Ilir Meta pritet të rikthehet në krye të LSI-së. Pak orë para se Ilir Meta të zhvishte kostumin e Presidentit dhe të veshë atë të kryetarit të LSI-së, e quan një nder dhe privilegj të jashtëzakonshëm që të shërbente si kreu i shtetit për pesë vite. Kombit dhe atdheut i uron më të mirën.

Në ditën e tij të fundit si President, Ilir Meta publikoi një foto me fëmijët nga zyra dhe një mesazh për të gjithë shqiptarët. “Ishte një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të shërbeja këto pesë vite si President i Republikës të Shqipërisë. Uroj për atdheun dhe kombin tonë më të mirën!

Paqe dhe mbarësi për çdo familje shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, shprehet Meta. Ditën e djeshme, Ilir Meta i dorëzoi detyrën pasardhësit të tij, Bajram Begaj, ndërsa vetë do t’i rikthehet jetës aktive politike.