MENU
klinika

Mbledh nënshkrime për të shpallur referendum

Partia opozitare maqedonase refuzon propozimin francez

18.07.2022 - 11:16

Partia opozitare maqedonase VMRO, do të mbledhë 150 mijë nënshkrime për të shpallur një referendum, me anë të cilit qytetarët do të kenë mundësinë të deklarohen rreth “asimilimit dhe bullgarizimit të popullit dhe shtetit maqedonas”.

“Dje, pas nënshkrimit të Protokollit ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, opinioni maqedonas më në fund pati mundësinë të shohë tradhtitë e Kovaçevskit, Osmanit dhe Mariçiqit. Votimi në referendum nga qytetarët nuk do të thotë tërheqje nga bllokimi i amendamenteve kushtetuese nga VMRO dhe deputetët nga koalicioni, por përkundrazi, përkundër bllokadës së amendamenteve kushtetuese, qytetarët do të kenë mundësi të shprehin mendimin e tyre nëse janë PRO apo KUNDËR kësaj tradhtie të LSDM-sësë antishtetërore dhe tradhtarit Kovaçevski”, thuhet në njoftimin e partisë.

Ditën e djeshme Shkupi dhe Sofje nënshkruan protokollin për kapërcimin e dallimeve.Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, nënshkruan të dielën në Sofje protokollin që parasheh procedurat dhe dinamikën e kapërcimit të dallimeve mes tyre, që janë pjesë e propozimit francez.

Me nënshkrimin e protokollit hapet rruga për mbajtjen e konferencës së parë politike ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, shkruan abcnews.al.

Komisioni i përbashkët ndërqeveritar është pjesë e detyrimeve që dalin nga Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2017.

Nënshkrimi i protokollit vjen një ditë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, që i hap rrugë integrimit të Shkupit në BE. Pas miratimit, zyrtarët e BE-së paralajmëruar se negociatat për anëtarësim në bllok për Shkupin dhe Tiranën do të hapen javën e ardhshme.
Për gati dy vjet, Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, mbajti në fuqi veton për nisjen e negociatave mes bllokut dhe Shkupit, për shkak të mospajtimeve sa i përket historisë dhe gjuhës maqedonase.

Propozimi francez u miratua dy ditë më parë më 68 vota pro në një seancë të jashtëzakonshme tre ditore. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez me 68 vota pro të mazhorancës.

Opozita u largua nga salla e Kuvendit para se të niste votimi. Propozimi hasi shumë kundërshti nga opozita, e cila ka zhvilluar debate të forta dhe sot u largua nga salla pak para se të niste votimi.
Kundër këtij propozimi kanë qenë edhe qindra qytetarë të cilët kanë protestuar me ditë me radhë dhe nuk munguan as sot jashtë Kuvendit. Sipas tyre, ky propozim cenon identitetin kombëtar.

I menjëhershëm ishte reagimi i Mickoskit i cili tha LSDM-ja si pasardhëse e komunisteve, shndërrohet në shërbëtorë të Bullgarisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN