MENU
klinika

Analiza

Perëndimi nuk duhet “t’i hapë më rrugë” Putinit!

26.07.2022 - 13:33

Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë dritën jeshile një marrëveshjeje mbi eksportin e grurit në Detin e Zi, marrëveshja e parë e madhe midis Moskës dhe Kievit që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. “Kjo është një marrëveshje për botën”- tha të premten Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

“Ajo do të sjellë lehtësim për vendet në zhvillim që janë në prag të falimentimit dhe për njerëzit më të cenueshëm, të cilët ndodhen aktualisht në pragun e urisë. Po ashtu, do të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve globale të ushqimeve, të cilat tashmë ishin në nivele rekord edhe para luftës”- shtoi Guterres.

Marrëveshja, e cila u negociua nga Ukraina, Turqia, Rusia dhe Kombet e Bashkuara, përcakton një skemë për rifillimin e dërgesave globale të grurit nga ana e Ukrainës. Marrëveshja parashikon krijimin e një “qendre kontrolli” në Stamboll, me staf nga zyrtarët e OKB-së, turq, rusë dhe ukrainas, për të monitoruar dhe koordinuar eksportet e grurit nga një korridor i caktuar dhe i sigurt detar.

Marrëveshja mbulon eksportet e ushqimit nga qytetet portuale të Ukrainës, Odessa, Chernomorsk dhe Yuzhny. Detajet e plota të këtij plani nuk u bënë menjëherë publike. Zyrtarët rusë këmbëngulën më herët, që anijet ukrainase që transportojnë grurë jashtë

vendit, t’i nënshtrohen inspektimit nga marina ruse në udhëtimin e tyre të kthimit, për shkak të shqetësimit se këto anije mund të përdoren për të kontrabanduar pajisje ushtarake në Ukrainë.

Sipas versionit të finalizuar të marrëveshjes, anijet hyrëse në Ukrainë mund të inspektohen nga ushtria turke. Katër palët pjesëmarrëse arritën një marrëveshje paraprake që në fillim të javës së kaluar, por marrëveshja duhej të merrte dritën jeshile nga Putini.

Putin u takua me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan në fillim të javës së kaluar për të finalizuar marrëveshjen, dhe e falënderoi homologun e tij turk për përpjekjet pro-aktive të Ankarasë për të ndërmjetësuar një marrëveshje të eksportit të grurit gjatë muajve të fundit.

Ndihmësi i presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak, theksoi se në nivel teknik nuk kishte asnjë marrëveshje të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe Ukrainës. Pasi të dyja vendet nënshkruan veçmas të njëjtën “marrëveshje pasqyre” me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara.

Gjithsesi, marrëveshja shënon paktin e parë thelbësore, edhe pse me ndërmjetës, midis Moskës dhe Kievit që nga fillimi i Luftës së Ukrainës. Putin shkoi të martën në Teheran për t’u takuar me liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Teherani bëri një deklaratë ku shprehte mbështetjen e plotë për operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë: “Lufta është një çështje armiqësore dhe me pasoja tragjike. Republika Islamike nuk është asnjëherë dakord që njerëzit e zakonshëm të preken nga luftërat.

Por në rastin e Ukrainës, nëse Rusia nuk do të kishte nisur të ndërmerrte veprime, pala tjetër do të kishte nisur një luftë”- shkroi Khamenei në Twtter.

“NATO është një entitet i rrezikshëm. Perëndimi është tërësisht kundër një Rusie të fortë dhe të pavarur. Nëse aleancës i hapet rruga, ajo nuk do të njohë më asnjë kufij. Nëse nuk do të ishte ndalur në Ukrainë, më vonë do të kishte nisur një luftë të ngjashme në Krime”- shtoi Khamenei.

Rusia dhe Irani kanë si kauzë të përbashkët shmangien e sanksioneve perëndimore. Ndaj  gjiganti rus i gazit “Gazprom”, nënshkroi një marrëveshje prej 40 miliardë dollarësh me Kompaninë Kombëtare të Naftës Iraniane (NIOC), për të ndihmuar prodhuesit iranianë të zhvillojnë fushat e naftës dhe gazit në të gjithë vendin.

Po ashtu të martën, Putin mori pjesë në një takim trepalësh me Erdogan dhe presidentin iranian Ebrahim Raisi për të diskutuar në lidhje me konfliktin e vazhdueshëm në Siri. Rusia dhe Irani janë shfaqur si mbështetësit kryesorë të liderit të luftuar sirian Bashar Al-Assad, ndërsa Turqia mbështet fraksionet anti-qeveritare në veri të vendit.

Samiti nuk i zgjidhi këto mosmarrëveshje themelore, dhe Erdogan dështoi të nxiste mbështetjen e Rusisë nga Iranit për një ofensivë të re turke në Sirinë Veriore nën pretendimin e luftimit kundër grupeve “terroriste” kurde.

Një deklaratë e përbashkët e publikuar nga 3 pjesëmarrësit në samit – e njohur kolektivisht

si Platforma e Astanas – ripohoi angazhimin e tyre për integritetin territorial të Sirisë, duke shtuar se “siguria dhe stabiliteti” në Sirinë Verilindore “mund të arrihet vetëm në bazë të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit”.

Erdogan u tha gazetarëve gjatë rikthimit të tij për në Ankara se ai nuk do të heqë dorë nga opsioni i ndërhyrjes ushtarake në Sirinë Veriore, derisa të adresohen shqetësimet turke për sigurinë nga ajo pjesë e kufirit.

Marrëveshja mbi grurit eksportin e grurit ukrainas, mbylli një javë të diplomacisë ruse, për të cilën ekspertët thonë se synonte të tregonte se ka dështuar fushata perëndimore për të izoluar Moskën ekonomikisht dhe politikisht.

“Unë mendoj se rusët do ta përshkruanin takimin si një dëshmi se ata nuk janë në fakt të izoluar, dhe se mbeten një lojtar kryesor në Lindjen e Mesme. Por unë mendoj se sikurse e theksoi zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, John Kirby, është një shenjë dëshpërimi, që rusët detyrohen t’i drejtohen iranianëve për mbështetje ushtarake”- deklaroi për televizionin CNBC John Drennan, nga Instituti i Paqes në SHBA.

Drenann iu referua edhe deklaratës së mëhershme të Kirby se udhëtimi i Putinit në Lindjen e Mesme “tregon shkallën në të cilën zoti Putin dhe Rusia janë gjithnjë e më të izoluar”. Ndonëse Rusia është gjithnjë e më shumë e izoluar nga Perëndimi dhe disa institucione të udhëhequra nga ky i fundit, takimet e Putinit në Teheran tregojnë për një fenomen tjetër shumë më shqetësues: pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të politikë-bërësve evropianë dhe amerikanë për të formuar një front të bashkuar global kundër Kremlinit, një pjesë thelbësore e botës jo-perëndimore e ka ruajtur neutralitetin. Apo si në rastin e Kinës dhe Iranit, ku është pajtuar hapur me këndvështrimin e Rusisë mbi këtë konflikt.

Burimi: “National Interest