MENU
klinika

Nga Lutfi Dervishi

Plehrat janë kthyer në minierë ari. Katër këshilla si të bëhesh milioner në Shqipëri!

12.07.2022 - 16:09

Këshilla në fakt është standarte jo vetëm për Shqipërinë, por për këdo që ka ëndërr të bëhet milioner, këshilla vlen për kohë normale, por edhe për kriza si kjo që po kalojmë.

Mos merr borxh – Gjëja e parë që duhet të kesh parasysh është të qëndrosh larg borxheve. Nuk duhet të ndjekësh shembullin e disa milionerëve shqiptarë që kanë miliarda borxhe nëpër banka dhe individë të tjerë. Borxhi të duket i ëmbëll në fillim, por fundin e ka të hidhur.

Kursim, kursim, kursim – Milionat nuk bëhen duke kursyer miliona, por duke kursyer qindarka. Gjithmonë ka hapësirë për të kursyer. Nëse ke ngrënë deri dje dy kafshata bukë, mjaftohu me një kafshatë. Nëse ke pirë një gotë ujë, mendo se të mjafton edhe gjysëm gote me ujë.

Mos harro këshillën se uria të bën shumë mirë për shëndetin, sepse trupi ushqehet me qelizat e tepërta dhe nuk ke pse shpenzon për mjekë apo për palestër. Një paralajmërim nëse nuk ha ushqimin si ilaç atëherë do të hash ilaçin si ushqim.

Hiq dorë nga shpenzimet e tepërta – Nëse deri dje ke përdorur autobuzin, ec në këmbë. 400 lekë vajtje, dhe 400 lekë ardhje bëjnë 800 lekë në ditë, 292 mijë lekë në vit dhe 3 milionë lekë në 10 vjet. Vetëm nga një biletë autobuzi! Po sikur të kursesh te dritat, te uji, te gazi, te nafta atëherë milionat do të ndjekin nga pas. Dhe milionat do të “pjellin” miliona.

Mendo si milioner, por mos u shfaq si i tillë – Mos e hiq nga mendja idenë se do të bëhesh milioner, por mos u shfaq si i tillë. Njerëzit janë ziliqarë të lindur. Askush nuk do që të të shoh më mirë se vetja. Për shembull, hiqu sikur nuk ke të ardhura, sikur mezi ja del, sikur mbledh kanaçe, apo sikur jeton në azil të pleqve.

Ja kështu bëhesh milionerë. Nëse nuk besoni atëherë lexoni lajmet se si njerëz që jetojnë në azil, njerëz që nuk kanë shtëpi, njerëz që mbledhin kanaçe, apo njerëz që kanë ndërruar jetë, luajnë miliona e miliona. Dhe nuk paguajnë as taksat!

Dikush do të thotë se nuk e kanë të gjithë atë fat sa të lidhen me biznesin e incineratorëve. Këtu gaboheni. Ky vend historikisht ka vuajtur për shumëçka, por asnjëherë për plehra. Këtu ka plehra për të gjithë. Madje sa më shumë plehra aq më shumë rritet çmimi. Nëse gjetkë, plehrat i riciklojnë, apo i djegin, këtu plehrat janë kthyer në minierë ari.

Për to duhet shkruar më shumë, duhen respektuar dhe nderuar siç duhet. Një dekoratë nuk do të ishte e tepërt, një instalacion artistik është tashmë i vonuar. Ndryshe nga vende të tjera që plehrat i mbajnë nën tokë. Ne i mbajmë mbi tokë. Madje edhe mbi kokë! Madje edhe i votojmë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"U shfrytëzuan kriza e tërmetit dhe pandemisë për…"

VOA: Rënie në lirinë e medias në Shqipëri, shtohen paditë ndaj gazetarëve