MENU
klinika

Kritikat e Shoqatës Gjermane të Tregtisë

Qeveria merr tjetër goditje për amnistinë fiskale

14.07.2022 - 18:32

Pas Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë, edhe Shoqata Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë kritikoi nismën e kryeministrit Edi Rama për amnisti fiskale duke vënë theksin te pasojat negative afatgjata, të tilla si nxitja e informalitetit dhe padrejtësia që ky ligj i bën qytetarëve të ndershëm që kanë paguar taksat rregullisht.

Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) kritikoi në një njoftim për shtyp nismën e kryeministrit Edi Rama për amnisti fiskale dhe penale të enjten ndërkohë që kryeministri pritet të mbajë “konsultime” me grupe të tjera biznesi të premten në orën 11.

Shoqata Gjermane, e cila përfaqëson një numër biznesesh dhe investimesh gjermane në Shqipëri, bëri deklaratën e saj pas qëndrimit të prerë të Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë kundër kësaj amnistie.

“Aprovimi i këtij ligji të vetëm do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër, por në terma afatgjata do të sillte gjithashtu me vete efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet me shpresën e një amnistie të dytë fiskale,” thuhet në deklaratën e DIHA-s.

“Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është “Tatimi i posaçëm” në nenin 16 të Projektligjit. Një tatim kaq i ulët (5%, 7% dhe 10%) për formalizimin e parave dhe aseteve të pa deklaruara, jo vetëm që është i padrejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet e tyre në kohën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi me një përqindje shumë herë më të lartë, por njëkohësisht do të nxisë informalitetin në të ardhmen,” thuhet më tej në deklaratë.

Qeveria shqiptare pretendon se vendi ka nevojë për një nismë për amnisti fiskale me qëllim që të legalizojë paratë e mbajtura privatisht nga qytetarët që i kanë fituar përmes punësimit në të zezë apo evazionit fiskal.

Sipas qeverisë, këta individë do të mund të deklarojnë deri në 2 milionë euro para të thata apo pasuri, me kushtin që të paguajnë një taksë që varion nga 5 deri në 10% si dhe të mos i largojnë paratë nga Shqipëria për së paku pesë vjet.

Projektligji është kritikuar për dy arsye kryesore: pandershmëria ndaj qytetarëve dhe bizneseve të cilët kanë paguar taksat në mënyrë të ndershme (barra fiskale në Shqipëri arrin në trefish dhe katërfish në krahasim me taksën e propozuar nga qeveria për legalizimin e parave të pataksuara), por, ajo që është më e rëndësishme, projektligji është kritikuar për rrezikun që paratë e fituara nga zyrtarët e korruptuar në afera korruptive apo ato të fituara në aktivitete kriminale, do të mund të deklarohen si fitime nga ekonomia informale dhe të legalizohen përkundrejt një kostoje minimale.

Qeveria u detyrua një herë të tërhiqet nga kjo nismë vitin e kaluar pas presionit nga Komisioni Evropian. Komisioni ka shprehur sërish shqetësimet e veta nga ky projektligj edhe këtë herë. Ndërkohë, Dhoma Amerikane dhe Shoqata Gjermane nënvijëzojnë që të dyja në deklaratat e veta se kritikat e bëra prej tyre ndaj nismës së kaluar të qeverisë “nuk janë marrë parasysh”; me pak fjalë, Rama duket se ka propozuar të njëjtin projektligj që pati tërhequr vitin e kaluar./Reporter.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN