1 ditë pasi hapi tunelin e Skërficës, kryeministri Edi Rama është ndalur tek një tjetër vepër infrastrukturore. Kreu i qeverisë ka shpërndarë në rrjetet sociale rrugën e Lumit të Vlorës, e cila sapo është përfunduar.
Rama thotë se rruga shkurton distancën për të shkuar në bregdetin e Jonit në më pak se 1 orë. Por më e rëndësishme sipas tij është fakti që zgjeron hartën turistike të jugut, duke afruar malet e Labërisë me detin. Kjo sipas tij, mund të sjellë një turizëm në të gjithë muajt e vitit.
“Dhe me një tjetër vepër të sapopërfunduar të infrastrukturës sonë kombëtare, rrugën e Lumit të Vlorës, e cila jo vetëm shkurton distancën për të shkuar në bregdetin e Jonit nga më shumë se dy orë në më pak se një orë, por dhe zgjeron hartën turistike të jugut, duke afruar malet e Labërisë me detin përmes një udhëtimi të bukur panoramik për një turizëm gjithëvjetor, ju uroj një të diel të bukur”, shkruan Rama.