MENU
klinika

“Moska do të aneksojë Khrakiv-in”

Rusia akuzon: Kievi bombardon me armë të NATO-s në Donetsk

10.07.2022 - 16:59

Rusia intensifikon bombardimet në Ukrainë. Ushtria e Vladimir Putin goditi shënjestra në Chasiv Yar të rajonit lindor Donetsk, duke përdorur raketa lëshuesin “Uragan”. Raportohet për dhjetëra viktima, të plagosur dhe disa të zhdukur, mes të cilëve dhe një fëmijë. Por nga ana tjetër separatistët pro-rusë në Donetsk akuzojnë Ukrainën se po bombardon rajonin me municione të NATO-s.

Mediat ruse raportojnë se në orët e fundit, ushtria e Kievit lëshoi një shi raketash në zona të ndryshme në lindje të vendit duke përdorur artilerinë e kalibrit 155 milimetra, që është një kalibër standard i NATO-s.

Inteligjenca britanike nënvizon se Rusia po përqëndron sulmet e saj kryesisht në aksin Donetsk-Kharkiv. Shënjestrat kryesore janë Sloviansk, Izium dhe Lisiçansk.

Ndërkohë, Rusia ka shtuar në listën e saj të dëshirave edhe një tjetër pjesë të Ukrainës. Forcat pushtuese duan të aneksojnë rajonin e Kharkiv, të përcaktuar si një “pjesë e patjetërsueshme e tokës ruse”.

Kështu nënvizon raporti ditor i Institutit Amerikan për Studimin e Luftës. “Qeveria pushtuese ruse në rajonin e Kharkivit tregoi një flamur të ri për regjimin pushtues me simbolet e shqiponjës perandorake ruse me dy koka dhe stemën e shekullit të 18-të të Kharkiv-it”, shkruan instituti amerikan, duke theksuar se kjo konfirmon aspiratën e Kremlinit për aneksimin e kësaj toke ukrainase.

Ndërkohë, Kievi ka bërë bilancin e luftës dhe pretendon se ka vrarë mbi 37 mijë ushtarë rusë që prej nisjes së konfliktit më 24 shkurt. Gjithashtu Ukraina njofton se ka shkatërruar 217 avionë, 188 helikopterë dhe mbi 600 dronë bombardues të Moskës.