MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Sa shumë i detyrohet Japonia, ish-kryeministrit!

12.07.2022 - 08:30

Vrasja e kryeministrit japonez Abe Shinzō në një takim të fushatës zgjedhore në Nara, Japoni, është tronditëse dhe e habitshme.

Është tronditëse sepse Japonia nuk ka patur pothuajse asnjëherë dhunë politike për të paktën gjysmë shekulli dhe për shkak se zotërimi i armëve në vend kontrollohet rreptësisht. Është e çuditshme sepse Abe, pasi dha dorëheqjen si kryeministër në vitin 2020, nuk kishte asnjë rol zyrtar në qeveri; megjithatë vrasja ishte qartazi një akt politik.

Vdekja e Abe nuk ka gjasa të ketë patur ndonjë ndikim në zgjedhjet e 10 korrikut për Dhomën e Këshilltarëve të Japonisë, të cilat Partia Liberale Demokratike në pushtet pritej ta fitonte me lehtësi. Humbja tragjike e ish-liderit dhe kryeministrit të LDP-së mund të ketë shtuar disa vota simpatie duke rritur pjesëmarrjen, por në radhë të parë ka habitur dhe hutuar një vend që është krejtësisht i pamësuar me një dhunë të tillë.

Trashëgimia e Abe nga mandati i tij rekord si kryeministër – i cili u nda mes një viti të pasuksesshëm në 2006-07, i ndjekur nga një rikthim triumfal për shtatë vjet nga 2012 në 2020 – është më i dukshëm për efektet e tij në politikën e jashtme dhe të sigurisë japoneze sesa mbi çështjet e brendshme.

Sigurisht, Abe ishte një shitës i mirë për axhendën e tij ekonomike-politike, të cilën ai e promovoi me sukses nën flamurin e “Abenomics”; por, në fund, ishte politika e tij e jashtme, jo programi i tij ekonomik, që ishte transformues.

Abe solli qartësi, forcë të qëllimit dhe – për shkak të jetëgjatësisë së tij në detyrë – besueshmëri në politikën e jashtme japoneze.

Fakti që termi “Indo-Paqësor” përdoret zakonisht për të përshkruar sigurinë dhe strategjinë diplomatike në Azi, kryesisht i detyrohet Abe, i cili bëri një përpjekje për të ndërtuar një marrëdhënie më të fortë me Indinë dhe e përdori atë për të ndryshuar dhe zgjeruar pozicionin e vendit të tij si rajonal ashtu edhe global.

Ky qëndrim u diktua nga ngritja e Kinës dhe retorika dhe veprimet e saj gjithnjë e më këmbëngulëse në dhe rreth Detit të Kinës Jugore dhe Lindore.

Nën drejtimin e Abe, Japonia u angazhua për të përcaktuar një arenë strategjike dhe diplomatike që do të ishte më e vështirë për Kinën të dominonte. Thellimi i lidhjeve me Indinë ishte pjesë e asaj strategjie, siç ishin përpjekjet e Abe për të forcuar ushtrinë japoneze. Ai ishte një përkrahës kryesor i propozimeve për të ndryshuar kushtetutën e vendit në mënyrë që ushtria e tij të mund të luante një rol më të madh krahas atij të aleatit të tij kryesor, Shteteve të Bashkuara.

Abe ishte padyshim një nacionalist.

Fillimisht ai krijoi polemika me pikëpamjet disi revizioniste rreth historisë së kohës së luftës të Japonisë, veçanërisht në lidhje me çështjen e nxehtë të grave të cilat Ushtria Perandorake Japoneze i skllavëronte në vendet e pushtuara. Megjithatë, sapo ishte në detyrë, ai hodhi poshtë pikëpamjet e tij të mëparshme. Për më tepër, ai ndërtoi marrëdhënie diplomatike më të ngushta në të gjithë Azinë Juglindore, duke përmirësuar lidhjet edhe me fqinjin dhe ish-koloninë e vendit, Korenë e Jugut.

Marrëdhëniet me Kinën ishin shpesh të tensionuara, por dialogu kino-japonez megjithatë vazhdoi.

Është gjithmonë e vështirë të hamendësosh motivet e një vrasësi.

Personi i arrestuar për vrasjen e Abe, 41-vjeçari Tetsuya Yamagami, duket se ka përdorur një armë gjahu, të bërë vetë.  Sipas raporteve të lajmeve, Yamagami shërbeu për tre vjet në marinën japoneze, Forcën Detare të Vetë-Mbrojtjes, deri në vitin 2005. Ky sfond – i kombinuar me avokimin e Abe për një ushtri më të fortë japoneze dhe përpjekjet për të eliminuar klauzolën pacifiste të kushtetutës (neni 9) – bën që të spekulohet se vrasja është kryer në shenjë proteste kundër qëndrimit ushtarak të vendit.

Megjithëse Abe nuk ishte më në detyrë, ai ishte padyshim ende avokati më i shquar dhe më i njohur i vendit për një forcë më të madhe ushtarake.

Ai shpesh shprehte një vendosmëri për të përfunduar punën e nisur nga gjyshi i tij, Nobosuke Kishi, i cili, si kryeministër në vitin 1960, synonte të përforconte mbrojtjen japoneze.

Mjerisht, ndoshta nuk është rastësi që kryeministri i fundit japonez që ra viktimë e një sulmi të dhunshëm ishte Kishi, i cili u godit me thikë gjashtë herë menjëherë pasi u miratua traktati i rishikuar i sigurisë. Megjithatë, ndryshe nga Abe, gjyshi i tij mbijetoi.

Bill Emmott, ish-kryeredaktor i The Economist, është bashkëdrejtor i Komisionit Global për Politikat Post-Pandemike.

Burimi: Project Syndicate

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur..."

Atentati ndaj ish-kryeministrit japonez, reagon Rama

Qëllohet me armë zjarri teksa mbante një fjalim elektoral

FOTO+VIDEO/ Atentat ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe