MENU
klinika

Nga Roland Qafoku

Sfida e tre shtatave, 10 pritshmëritë e PD-së për protestën e të enjtes

05.07.2022 - 10:08

Në orën 7 pasdite, të datës 7, të muajit të 7-të, Partia Demokratike do kalojë sfidën e parë që pas humbjes së rëndë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Pas një tollovitje dhe ndarje në dy grupime, Partia Demokrarike me kryetar Sali Berishën do ketë në zhegun e këtij muaji përballjen e parë publike me qeverinë. Janë të paktën 10 pritshmëri nga kjo protesë.

Protesta e 7 korrikut pret të konfirmojë nëse vendi ka opozitë reale që i kundërvihet qeverisë dhe nëse e vendos në vështirësi qeverinë. Testi i vërtetë i kësaj proteste pritet të jetë se sa mbështetje ka në popull opozita. Një opozitë që e humbi misionin e vet në këto 9 vjet duke bërë nul kauza të ngritura me aq idealizëm për një pjesë të mirë të demokratëve dhe që përfunduan me shuarje. Në këtë më shumë se një vit, ajo pësoi një tronditje tektonike por njëkohësisht i ka bërë mirë edhe kjo shoshitje për arsye se e shkundi, e vendosi në pozicion real. Pyetja e kryeministrit Edi Rama ditën e premte “pse ka opozitë” ishte një ironi therëse për të cilën opozita duhet t’ia japë me vepra përgjigjen.

1. Protesta e 7 korrikut pritet të konfirmojë se Partia Demokratike di të realizojë demonstrime të denja për një forcë opozitare. Dhe për PD vlen të ketë pjesmarrje të madhe dhe aspak dhunë. Në radhë të dytë një protestë qytetare që për nga mënyra se si do funksionojë do tregojë shumë. Protesta e 7 korrikut pret të konfirmojë që Partia Demokratike di të bëjë protestë qytetare, pa eksese dhe dhunë ndaj institucioneve dhe policisë. 8 janari është ende i freskët në memorien e qytetarëve dhe sulmi ndaj selisë së PD ka lënë një shije aspak të mirë. Nëse më 7 korrik do ketë dhunë, padyshim kjo do t’ia ulë shumë kuotat kësaj partie.

2. Protesta e 7 korrikut pret të konfirmojë se Partia Demokratike mbetet një forcë alternative qeverisëse. Për këtë duhet të tregojë se është ringritur pas humbjes së 25 prillit të vitit të kaluar por edhe tallazeve që kaloi përgjatë këtij një viti. PD duhet të tregojë se humbja e kuotave të saj në këtë një vit i kanë shërbyer pikërisht për tu ringritur dhe protesta e të enjtes duhet ta tregojë këtë në të gjitha drejtimet.

3. Protesta e 7 korrikut pret të konfirmojë se sa e bashkuar dhe solide është Partia Demokratike. Pavarësisht dy grupeve të mëdha brenda partisë, pavarësisht asaj që ndodhi në këtë një vit, pavarësisht përplasjeve, sherreve dhe debateve, protesa pritet të tregojë gjendjen reale të kësaj partie. Pjesmarrja e deputetëve pavarësisht nëse mbështesin ose jo “Foltoren” dhe Sali Berishën do tregojë në një farë mënyre se bashkimi dhe jo ndarja i bën mirë kësaj force politike. Deputetë të përkëdhelur që më 7 korrik kanë një punë dhe nuk do jenë në protestë nuk i shërbejnë opozitës. Protesta nuk është pronë as e Sali Berishës dhe as e “Foltores” por e një opozite që pavarësisht problemeve që ka duhet të tregojë fuqinë e saj politike.

4. Protesta e 7 korrikut pret të konfirmojë nëse PD ka kaluar krizën e saj që e ka mbërthyer pas zgjedhjeve të 25 prillit nga e cila u shpartallua. Kjo krizë përgjatë një viti arriti disa momente kulmore të saj, një prej të cilave ka qenë largimi i kryetarit Lulzim Basha me dorëheqje por dhe përplasja fizike e 8 janarit. Protesta e 7 korrikut do të konfirmojë se në cilën fazë ndodhet PD dhe nëse e ka kaluar apo jo krizën e madhe të saj.

5. Protesta e 7 korrikut pritet të konfirmojë se pavarësisht vendimit non grata ndaj Sali Berishës, Partia Demokratike mbetet një parti proamerikane dhe e tillë do jetë pavarësishtr këtij vendimi. Nuk pinë ujë idetë dhe mendimet e hedhura se ambasadorja Yuri Kim punon për vete dhe se ndjek vijë të ndryshme nga Departamenti i Shtetit. 7 korriku do tregojë nëse PD mbetet një parti proamerikane dhe këtë duhet ta tregojë duke hequr dorë nga sulmet ndaj ambasadores Kim si dhe ndaj deklaratave sovraniste që kanë bërë gjatë kësaj kohe disa drejtues të saj.

6. Protesta e 7 korrikut pret të konfirmojë se rinia dhe vetëm ajo mbetet promotore dhe e ardhmja e çdo procesi demokratik në vend. Pjesëmarrja e sa më shumë të rinjve në këtë protestë do tregojë realisht forcën e vërtetë të kësaj partie. Nëse kjo do evidentohet padyshim që protesta do ketë një kuotim shumë të lartë, në të kundër mungesa e të rinjve do ti ulë vlerat protestës. Vetëm pjesmarrja e rinisë do ta shndërronte protestën në një akuzë konkrete ndaj qeverisë pikërisht për arsyen e madhe se numri i të rinjve të larguar nga vendi është shumë i lartë dhe alternativa e të rinjve për një Shqipëri më të mirë do tregohet në këtë protesë.

7. Protesta e 7 korrikut pret të konfirmojë se politika është e qytetarëve edhe jo pronë e disa individëve. Pritet me shumë interes se cilët do jenë personat që do flasin në protestë por edhe mesazhet që do jepen. Ende i kujtojmë protestat me fjalime boshe dhe mbajtura vetëm nga ish-kryetari Lulzim Basha i shndërruan ato në demonstrime të personalizuara që gjithçka e lidhnin me kryetarin e partisë. Pikërisht ky ka qënë defekti më i madh i çdo proteste të Partisë Demokratike. Protesta e 7 korrikut pret të konfirmojë se ky stil alla Basha nuk do vazhdojë.

8. Protesta e 7 korrikut pret të tregojë se ata deputetë që kanë një punë atë ditë dhe nuk marrin pjesë janë thjesht kalimtarë në politikë. Dhe Shqipëria ka patur shumë të tillë në këto 32 vjet. Ata politikanë që kanë në xhep mandatin e deputetit të opozitës që nuk do marrin pjesë në protestë nuk duhet të flasin për opozitë. Një protestë nuk është pronë e askujt. As e Sali Berishës e as e Lulzim Bashës. Që një deputet i opozitës nuk merr pjesë në një protestë se ajo është thirrur nga Sali Berisha tregon dritshkurtësi. Protesta është pjesë e popullit opozitar dhe si e tillë duhet të bashkojë dhe jo ti ndajë deputetët e PD. Ndryshe ata që bëjnë të kundërtën duhet të mbajnë damkën e përçarësit.

9. Protesa e 7 korrikut pret të konfirmojë edhe se si qeveria dhe mazhoranca sillen ndaj një proteste. Mënyra se si qeveria do përballet me këtë protestë do tregojë shumë. Mënyra se si policia do ta menaxhojë protesën do tregojë shumë. Përdorimi i gazit lotsjellës do ishte i papranueshëm po aq sa edhe nëse ushtrohet dhunë ndaj institucioneve të shtetit. Dhe këtë e ka në dorë vetëm policia.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN