MENU
klinika

"Na jepni 30 milionë euro me Bitcoin!"

Shqipëria dixhitale merret “peng” nga hakerat, ‘gjobë’ qeverisë

21.07.2022 - 09:35

Prej 5 ditësh, shërbimet online të qeverisë kanë qenë jashtë funksionit e për pasojë përdoruesit nuk ka mundur të kryejnë asnjë veprim.

Për orë me radhë, ngjarja nuk u bë publike, por më pas autoritetet përgjegjëse u detyruan të pranojnë se janë sulmuar nga hakërues dhe se kanë rënë disa prej portaleve kryesore të qeverisë. Beteja me rimarrjen vijoi që nga e premtja e orëve të pasdites e deri paraditen e djeshme, kur u bë e mundur që të ringrihen një pjesë e shërbimeve, për të cilat doli vetë AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) dhe tregoi se çfarë veprimesh mund të kryheshin në “e-Albania”. Por, u bë me dije se në fakt ende nuk është bërë e mundur të rikthehen më shumë se 100 shërbime të tjera edhe pse janë vënë në punë ekspertët e sigurisë dhe sipas vetë Kryeministrit të vendit, në ndihmë ka ardhur edhe vetë NATO. Po çfarë fshihet pas këtij sulmi që mori “peng” thuajse gjithë shtetin?

HAKERAT VUNË “GJOBË’

Autoritetet shtetërore bëjnë me dije se një shtet i huaj ka mundur të realizojë sulmin e fuqishëm kriminal dhe sipas të njëjtave burime, mësohet se angazhimi për ringritjen e sistemit “të gllabëruar” kanë ndihmuar edhe vende të tjera dhe vetë NATO. Por, ditën e djeshme, “TCH”- ja në një kronikë të orëve të mesditës, solli të dhëna ekskluzive në të cilat flitej se ndër të tjera, autorët e sulmit kishin kërkuar një shumë prej 30 milionë dollarësh dhe madje kishin deleguar edhe mënyrën se si mund të depozitohej kjo shumë. Ata i kërkonin në këmbim të kthimit të portaleve dhe mosshkatërrimit të tyre. Sipas të dhënave konkrete të këtij materiali të transmetuar, u bë me dije se në kompjuterët e selisë qendrore të AKSHI-t dhe “e-Albania” ka dalë një tabelë, e cila pretendohet se është e hakerave.

Në këtë tabelë thuhet: “Të gjithë skedarët tuaj janë të koduar me enkriptim RSA 2084. Nuk është e mundur të rikuperoni skedarët tuaj pa një çelës privat. Duhet të na telefononi për të marrë të gjithë çelësat privatë për të gjithë PC-të e prekur”. Më pas, sipas “TCH”, janë publikuar disa numra telefoni shqiptarë. Këta numra janë të krerëve të shtetit shqiptar dhe familjarëve të tyre dhe jo të hakerave. Mendohet dhe dyshohet se në këtë mënyrë ata duan të japin një mesazh dhe më vonë u nga ana e vetë zyrtarëve të shtetit u pretendua se bëhet fjalë për një sinjal të qartë politik për qëndrimin e shtetit shqiptar. Mesazhi mbyllet me një koment në të cilin thuhej: “Pse duhet të shpenzohen taksat tona në dobi të terroristëve të Durrësit”.

Në këtë mënyrë dyshohet se hakerat kanë dashur të tregojnë lidhjen e tyre me shtetin iranian që prej kohësh ka futur Shqipërinë në listën e vendeve jo mike për shkak se strehon anëtarët e opozitës iraniane. Më vonë, është regjistruar edhe një mesazh i dytë, gjithnjë sipas “TCH”. Ky mesazh i dytë ka shkuar tek AKSHI, ku janë kërkuar si shpërblim 30 milionë euro në Bitcoin. Hakerat kanë bllokuar të dhënat e shtetit shqiptar me sistemet më të vështira për t’u zbërthyer, ndërkohë mësohet se virusi i përdorur fshin dokumentet dhe numri i kompjuterëve të prekur është shumë i madh.

Pas sulmit, një seri mesazhesh kanë mbërritur në numrat e telefonit të shumë qytetarëve shqiptarë. Ato në fakt edhe janë bërë publik në rrjetet sociale edhe nga vetë qytetarët ndërkohë që numrat tanë tashmë prej shumë kohësh shiten dhe blihen sa herë t’i nevojiten ndonjë tregtari online. SMS-të në fakt japin mesazhe politike kundër shtetit shqiptar që po ndihmon opozitën iraniane, por tashmë këto të dhëna do të hetohet nga autoritetet tona hetimore, të cilat kanë njoftuar dje që kanë nisur të hetojnë se çfarë vërtet ka ndodhur dhe se cilat janë sinjalet që vijnë nga mesazhet e nisura ditëve të sulmit kibernetik ndaj portaleve qeveritare.

Edi Rama: Nuk na është vënë gjobë!

Kryeministri Edi Rama tha se lufta ende nuk ka mbaruar dhe se pas sulmit fshihet një shtet i huaj. Po ashtu, Rama ka përgënjeshtruar se ndaj qeverisë të jetë vendosur një gjobë 30 milionë euro (pagesë në Bitcoin) nga hakerat, në mënyrë që të kthehet sistemi. Rama theksoi se ky është një lajm i pavërtetë dhe se autoritetet po punojnë që të kthejnë në funksion të gjitha shërbimet online. Sipas Ramës, AKSHI po lufton për të rimëkëmbur të plotë sistemin, ndërsa shton se pas këtij sulmi qëndron një shtet dhe jo thjesht një bandë online. Mes të tjerash, i pari i qeverisë shton se lufta ende nuk ka mbaruar, ndërsa bën thirrje që të mos shpërndahen informacione të rreme.

Në një reagim zyrtar Rama theksoi se: “AKSHI dhe një skuadër e superspecializuar ekspertësh të huaj, po luftojnë natë e ditë për rimëkëmbjen e plotë në kohë rekord të sistemeve pas zmbrapsjes së sulmit. Është e turpshme që të gënjehet publiku në këtë farë feje, cilatdo qofshin motivet e kësaj vale shpifjesh haluçinante! Lajmet për një gjobë 30 milionë euro nga hakerat apo për shkatërrimin e të dhënave janë krejt të rreme! Qeveria ka informuar aq sa mund të informojë, në ndërkohë që lufta nuk ka mbaruar dhe pas hakerave qëndron një shtet tjetër, jo një bandë dosido digjitale që merret me gjoba! Gjyqet me median për shpifje, përfshirë edhe shpifjet që përhapin panik, nuk janë në praktikën e qeverisë sonë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!