MENU
klinika

OKB: Çmimet në strartosferë

“Shqipëria ndër vendet më të rrezikuara nga varfëria”

08.07.2022 - 11:22

Shqipëria është ndër vendet më të rrezikuara në botë sa i përket krizës së çmimeve. Programi për Zhvillim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) ka publikuar së fundmi një studim të thelluar në lidhje me krizën e çmimeve të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ku ndër të tjera ka analizuar mbi 150 shtete të botës sa i përket impaktit të kësaj krize në normat e varfërisë. Shqipëria klasifikohet ndër vendet me rrezik të lartë, dhe kjo gjë ilustrohet grafikisht, por shprehet edhe mes reshtave në raport, ku vendi ynë evidentohet mes shumë shteteve të tjera, kryesisht vende të Afrikës dhe Azisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor.

Por çfarë do të thotë ky klasifikim? Në vendin tonë përllogaritet se 3.2% e popullsisë mund të kenë rënë ose rrezikojnë të bien nën pragun e parë të varfërisë, që vlerësohet pranë 5.5 dollarëve në ditë. Ndër vendet e Europës, shumë pak shtete klasifikohen me rrezik të lartë, ku veç Shqipërisë bie në sy: Ukraina, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi. Norma prej 3.2% përkthehet në rreth 90 mijë individë. Kjo do të thotë se me rritjen e çmimeve, 90 mijë shqiptarë kanë hyrë ose rrezikojnë të hyjnë në varfëri.

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara jep edhe disa rekomandime se si mund të luftohet ky fenomen në nivel global, duke shënjestruar vendet në zhvillim. Disa ndër ndërhyrjet ku mund të fokusohen qeveritë sipas UNDP janë: ulja e TVSH, Ulja e taksave të karburanteve, por edhe transfertat cash. Këto të fundit vlerësohen ndjeshëm më efikase se subvencionet për çmimet e rritura të energjisë, pasi mund ta reduktojnë deri në 75% nivelin e të varfërve të rinj.

Raporti vë theksin gjithashtu te fakti se një ndër sfidat më të mëdha të transfertave cash si mekanizëm për të zbutur varfërinë e krijuar nga rritja e çmimit të ushqimeve dhe energjisë është identifikimi i njerëzve në nevojë, por shton se Covid-19 ka shërbyer në këtë drejtim, pasi ka krijuar disa mekanizma për identifikimin e tyre në pjesën dërrmuese të vendeve të botës.

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara e cilëson krizën aktuale si atë të kostove të jetesës, duke vlerësuar se në të gjithë globin rreth 71 milionë individë janë të “varfër të rinj”, pra kriza e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejtë që ata të bien nën kufirin e varfërisë, prej 5.5 dollarësh në ditë.

Varfëria matet në 3 linja kryesore, ajo e varfërisë ekstreme, prej vetëm 1.9 dollarësh në ditë, ajo e varfërisë së moderuar prej 3.2 dollarësh në ditë si dhe pragu i parë, prej 5.5 dollarësh. Në dy pragjet e tjera vlerësohet gjithashtu një rrezik për të varfër të rinj si pasojë e rritjes së cmimeve në vendin tonë, porn ë nivel më mesatar, në më pak se 1% të popullsisë. (RAPORTI I PLOTE I UNDP)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Arben Malaj/ Çfarë masa duhet të marrë qeveria?

Ekonomia nuk mund të ringrihet pa konsum dhe investime

Paniku për grurin dhe sanksionet

Çfarë ndodhi me importet e drithërave nga Rusia?


Analiza nga "Project Syndicate"

Bota është ende ‘në flakë’!

Kërkesa të shumta nga të huajt për apartamentet ditore

A i rriti turizmi qiratë?

Nga rritja e tyre tek shpërndarja e bonusit

Ndryshime që do sjellë skema e re e pensioneve