MENU
klinika

Pritet marrja në pyetje e ‘biznesmenëve’ që s’kanë strehë mbi kokë

SPAK nis verifikimin e ‘milionerëve’ që lidhen me kompanitë e mbetjeve!

06.07.2022 - 10:06

Janë 24 kompani që kanë kryer 200 milionë euro evazion fiskal, që të gjitha të dyshuara si të lidhura me inceneratorët.

Kjo ishte deklarata që prej dy ditësh tronditi vendin, ndonëse në fakt disa prej pronarëve të “famshëm” u risollën në skenë, pasi emrat e tyre u publikuan edhe në janarin e këtij viti. Por askush nuk u mor me aktivitetin e këtyre personave, që sipas të dhënave gjeneronin miliona euro, madje as Prokuroria e Posaçme që prej kohësh ka nisur gjuetinë për të vënë para drejtësisë përgjegjësit.

Monika Kryemadhi pati publikuar edhe më herët një skemë me 5 biznesmenë kompanish, por SPAK asnjëherë nuk bëri me dije nëse këta persona do të merreshin në pyetje apo do të verifikohej aktiviteti i tyre. Por pas publikimit të dy të moshuarve, të cilët rezultonin që kishin bërë shitje blerje të një aktiviteti me shifrën marramendëse të 30 milionë eurove, SPAK duket se do të nisë verifikimin e të gjithë emrave. Por prokuroria po i pret këta emra t’i shkojnë nga dosja e përgatitur nga LSI, si forca politike që ka rihapur sërish skandalin në përmasa thuajse të frikshme evazioni fiskal.

E ndërkohë që gruaja që rezultonte si shitëse e këtij biznesi, jetonte në azil pleqsh e braktisur dhe pas asnjë të ardhur, dje ka dalë në skenë një tjetër grua, thuajse me të njëjtën gjendje ekonomike se ‘pronarja’ e kompanive milionëshe. Ajo ka mohuar të ketë njohje me asnjë nga personat që gjenden në skemë, por ka treguar edhe se ajo nuk ka shtëpi, pasi gruaja e moshuar, bashkë me burrin e saj jetonin në Laprakë, vend në të cilin shteti ndërhyri dhe u shembi shtëpitë.

Çifti është strehuar nga vëllai i gruas në banesën e tij, por ata në fakt kanë rezultuar pronarë biznesesh të fuqishme dhe me shumë kapital. Referuar të dhënave që vijnë nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Korrupsionit mësohet se janë nisur verifikimet menjëherë pas denoncimit të bërë nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, për inceneratorët. Po krahas verifikimeve, SPAK pret që Kryemadhi të kryejë edhe një kallëzim e bashkë me të edhe gjithë të dhënat dhe faktet që ajo ka për skandalin, që thellohet çdo ditë në lidhje me kompanitë e përpunimit të mbetjeve. Referuar të dhënave hetimore mësohet se do të nisin verifikimet e të gjithë emrave që gjenden në materialin e publikuar si denoncim për evazionin fiskal.

Po ashtu, SPAK pritet të marrë në pyetje edhe çiftin e të moshuarve, të cilët prej dy ditësh janë personazhet më të njohur në vend, Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi. Ata do të dëshmojnë atë që dinë dhe mbajnë mend nga kontaktet me persona të panjohur. Po ashtu, SPAK pritet të ndërhyjë edhe në azil, aty ku është e strehuar Haxhireja, e cila tha për mediat se dy djem i kishin prezantuar si prokurorë dhe i kishin premtuar se do t‘i lironin paratë e pensionit që ia kishte bllokuar banka. Po ashtu bëhet me dije se janë një numër i madh personash që do të pyeten jo vetëm për skandalin e denoncuar nga Kryemadhi por edhe për shkak se në fakt emrat e tyre figurojnë kudo nëpër QKB si biznesmenë, por që ata nuk janë në dijeni të ‘pasurisë’ miliona euroshe të tyre.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Si po vidhen para me skemën e inceneratorëve?

Kryemadhi: Çojmë në SPAK 24 kompani