MENU
klinika

Nga Lutfi Dervishi

Të fluturosh… me këngë në gojë!

03.07.2022 - 14:53

Kënga e djeshme e kënduar në tunelin e Skërficës do të mbahet mend gjatë. Një pjesë vlerësuan talentin dhe guximin e këngëtarëve, por nuk ishin të paktë edhe ata që vlerësuan guximin e skajshëm të atyre që u dedikohej kënga.

Emocionet e forta që të shkakton kënga në kushtet e një vape të papërballueshme janë problem jo vetëm për ata që vuajnë nga zemra. Të këndosh një këngë (si ajo e djeshmja) është një gjë, por ta dëgjosh atë është akt heroizmi. Kënga është mirënjohje.

Në këtë pikë jemi të parët. Renditemi të parët në Ballkan, të parët në Europë dhe të parët në Azi. Është nga rastet e rralla që të qenit të parët me këngë nuk bazohet në legjenda urbane, “fake news” apo thashetheme, por bazohet në fakte, prova dhe dokumente të pakundërshtueshme.

Mbi 200 tunele janë hapur në rrugën që lidh Malin e Zi dhe Bosnjën. Asnjë këngë për be! Mosmirënjohja në këtë rast ka emër!

245 tunele dhe 435 ura janë ndërtuar në hekurudhën që lidh Podgoricën me Beogradin, por nuk gjen as këngë, as poezi as valle. Vetëm mosmirënjohje nga malazezët dhe serbët!

Po të kalojmë në Europë, aty ku edhe duam të “shkojmë’.

Në vitin 1994, tri vite pas hyrjes së pluralizmit në Shqipëri, u ndërtua kanali i La Manshit me 50.5 kilometra tunel nën ujë. As anglezët, as francezët dhe as kombet e tjera që përfitojnë aq shumë nga ky tunel, nuk u kujtuan të bëjnë një këngë! Anglezët jo vetëm që nuk festuan, por kaluan në nostalgji. “Nuk jemi më ishull”, “Tani jemi pjesë e kontinentit”- jargaviteshin titujt e gazetave të mëdha angleze.

Po francezët kaq problem e kanë pasur për të bërë një këngë apo i ka penguar proverbi i tyre që: “këngët janë ëndrra, por në kohën e shkuar”. Është e qartë se siç thoshte Charles De Gaulle “popujt që kanë shumë këngë të lavdishme nuk kanë histori”, por nuk ka kërkuar njeri nga francezët shumë këngë, por një mund ta kishin bërë për La Mansh-in se nuk është vepër e vogël.

Këtë vepër madhore ata e mbaruan për 6 vjet. (15 dhjetor 1987- 10 dhjetor 1993). Ne na u deshën 16 vjet për Kardhiq-Delvinë. Në La Mansh kanë ecur më shpejt ndoshta se nuk e kanë ndarë në lote, dhe sidomos nuk kanë bërë inspektime të punimeve. Por skandali është tjetër kund. Megjithëse e mbaruan tunelin më 10 dhjetor 1993, qarkullimi u lejua në qershor 1994. Mendja ta do që e kanë shtyrë për zgjedhjet, por arsyeja është edhe më banale se kaq: Kolaudimi. Punë frikacakësh që fshihen pas fjalës “standard”.

Kur vjen puna te këngët kinezët kanë mbetur prapa botës. Megjithëse Kina ka plot vepra të denja për këngë deri më tani është regjistruar vetëm një e tillë, ajo për Presidentin Xi Jinping. Dhe për turpin e kinezëve, këtij populli të madh, më i madhi në planet, kënga ka ardhur nga grupi i humbur muzikor i provincës së Henanit, Kina Qendrore. “Baba Xi dhe mama Peng” ( Peng Liyuan, zonja e parë). Kinezët mirë që nuk ja thonë për këngë, por të paktën mos të shkurajojnë popujt e tjerë duke thënë: “këngët janë si ninullat, shërbejnë për të vënë popullin në gjumë”.

Për ta bërë të plotë rëndësinë e këngës, sidomos këtu në Ballkan po riprodhoj më poshtë një bisedë të një mikut tim me ciceronen e muzeut të Cetinjës:

Ajo: Nga 2400 km2, nën mbretërimin e Krajl Nikollës, Mali i Zi arriti 13 812 km2.

Unë: Dikujt ia morët këto toka?

Ajo: Po, Bosnjës, Kosovës dhe sidomos Shqipërisë.

Unë: Më vjen mirë që të paktën e pranoni këtë!

Ajo: Nuk mund të gënjej për një fakt historik.

Unë: Ndihem keq sesa këngë kemi ne kundër Krajl Nikollës dhe Malit të Zi!

Ajo: Po, e di. Ju shpartallo me këngë, Krajl Nikolla merr toka…

Ngela si peshku pa ujë. Nën shiun e but\ë të asaj dite gushti, Cetinje 2019.

Ciceronja u tregua e sinqertë dhe tha se malazezët kanë vetëm një këngë për Krajl Nikollën dhe atë pasi e kishin rrëzuar nga froni. (Krajl Nikolla na umore, blagostilja Crnagore-Krajl Nikolla duke dhënë shpirt, bekon Malin e Zi).

Po të futesh në google dhe të kërkosh sa këngë kemi bërë për Krajl Nikollën kupton qartë se malazezët nuk kanë pasur, nuk kanë dhe nuk do të kenë asnjë shans të fitojnë përballe nesh. Kemi dhjetëra këngë për Krajl Nikollën. Mund të na kenë marrë toka boll, por me këngë i kemi mbyt! Ky është fakt.

Kënga siç e thamë që në krye është shenjë respekti dhe mirënjohje. Ne të paktën nuk jemi popull mosmirënjohës. (Edhe veprat publike që nuk kanë mbaruar prej më shumë se një dekade: Unaza e madhe, rruga Arbërit, Qukës – Qafë Plloçë, etj, nuk është çështje projekti, fondesh apo shpronësimi, thjesht çështje frymëzimi. Kur të jetë kënga gati, zëre se mbarojnë sa hap e mbyll sytë).

Kënga për veprat publike të bëra me paratë e taksapaguesve mund të jetë një “vlerë” unike që ne ja japim bujarisht Bashkimit Europian. Madje në kuadër të ndarjes së punëve, mund të negociojmë që ata të bëjnë punën dhe ne t’ia kthejmë detyrimin me këngë!

Çdo shtet anëtar i BE-së, dhe jo vetëm, mund të porosisë këngë te ne për çdo vepër publike.

Besoj se do ja dalim!