I restauruar, filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë “Tana”, shënoi premierën bashkohore në arkivin qendror. Me subjekt nga novela e shkrimtarit Fatmir Gjata, për skenarin kanë punuar emra si: Fatmir Gjata, Nasho Jorgaqi dhe Kristaq Dhamo.
Filmi prek një nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare të kohës, si kolektivizimi në fshat, po kjo pa u shkëputur nga ndryshimet shoqërore kryesisht në fshat. Realizimi i kohës i përmban të gjitha ngjyrat: dashurinë dhe urrejtjen, zemërimin apo ligësinë, mentalitetin e deri te përdorimi i armës, për të ndaluar një dashuri…
Ndërsa vlen të kujtojmë se më herët, regjisori Kristaq Dhamo ka rrëfyer për realizimin e filmit “Tana”, që kishte fituar shumë nga bashkëpunimi dhe përvoja me kineastët sovjetikë, në xhirimet e filmit “Skënderbeu”.
Ndërsa aktorja jonë e madhe Tinka Kurti, atëherë ishte një vajzë plot ëndrra, që fati nuk do ta zhgënjente.
Tana – personazhi kryesor në film, ashtu si dhe në novelë është Tana Premti, e interpretuar nga aktorja e teatrit të Shkodrës, Tinka Kurti. Aktorja e re, e talentuar Tinka Kurti e sjell bukur personazhin e Tanës, si në punë, shtëpi, por edhe në marrëdhënien me djalin që dashuron. Asokohe aktore në skenë, kritika e kohës e vlerësoi Tinkën e re, për paraqitjen e mirë në film, duke iu larguar teatralitetit, me natyrshmërine e personazhit të saj, Tanës.
I xhiruar më 1957-ën, Tinka Kurti e kujton kështu, më se 60 vjet të shkuara, njohjen me regjisorin Dhamo.
“Puna e filmit është rastësi. Unë isha ulur në një tavolinë me një koleg dhe shoh disa veta që e rrethonin Kristaq Dhamon. Ju them, kush është ai, Shuberti? Më thonë, është një artist që ka mbaruar studimet në Budapest. Kristaqi erdhi tek unë dhe më tha: me ty, do të xhiroj filmin e parë shqiptar!.. Dhe e mbajti fjalën. Po kanë qenë shumë tramvaje. Më e mira, nuk isha, sepse kishte femra të bukura shumë, që kishte mundësi t’i merrte, se në film kishte aktorë të mëdhenj, si Naim Frashëri, Kadri Roshi.
Tanën e kam luajtur pa e ditur mirë, se çfarë po bëj. Isha vajzë e re, mbase edhe jo aq e re, se e kisha një fëmijë. Por, shkova atje dhe ishte një arë e madhe. E korra arën dhe më pas, më vunë në gomar dhe luajta rolin”, – thotë, Tinka.
Përtej një dashurie që pengohet nga xhelozia dhe mentaliteti, apo përtej lojës aktoriale, filmi ka konotacionin e fortë të kohës, me jetën e kooperativës dhe rolin e partisë, që vijnë të idealizuara.
Tinka veshi tiparet e një vajze magjepsëse, të emancipuar dhe që sfidon realitetin. Përtej propagandës, për arkivin filmi është trashëgimi kulturore.
“Puna jone themelore si arkiv është të ruajmë trashëgiminë kulturore dhe pas 64 vitesh, filmi merr formën e tij më të mirë të mundshme, që është restaurimi”, – tha Marinela Ndria, Drejtore e AQSHF.
Figura e Tanës në film tashmë mund të shihet nga ballina e arkivit. Procesi i restaurimit u mundësua nga bashkëpunimi mes AQSHF, “Cinegrell” në Zvicër dhe “PostFactory”, Gjermani. Regjisori Dhamo, që gjendet në spital, ka kërkuar që filmi të shfaqet në Korçë, ku është xhiruar.