MENU
klinika

"Qeveria të tërhiqet nga kjo nismë"

VOA: Dhoma Amerikane e Tregtisë kundër amnistisë fiskale

13.07.2022 - 21:07

Në Shqipëri, Dhoma amerikane e Tregtisë, shprehu sot “shqetësime serioze” mbi projektligjin për amnistinë fiskale, të propozuar së fundmi nga qeveria shqiptare. Sipas një deklarate të shpërndarë prej saj “rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij”, duke rekomanduar tërheqjen e kësaj nisme.

Projektligji parashikon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, pa specifikuar burimin e tyre, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 5-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale, pavarësisht se fondet mund të jenë krijuar si pasojë e krimeve të ndryshme financiare, si evazion fiskal, kontrabandë, apo mashtrime me TVSH-në.

Ndërkohë nuk parashikohen mekanizma të rreptë që do të përjashtonin përfitimet nga kjo nismë dhe të parave të krijuara nga aktivitete të rënda kriminale si trafiqet e paligjshme. Sipas Dhomës amerikane “dispozitat e këtij projektligji nuk ofrojnë garanci që individë me aktivitete kriminale serioze si droga, trafiku i qënieve njerëzore, pastrimi i parave janë të përjashtuar nga amnistia”.

Një tjetër aspekt shqetësues, konsiderohet nga Dhoma amerikane, efekti negativ mbi sipërmarrjet private, duke sjellë “konkurrencë të pandershme”, pasi “individë me aktivitete të shkuara të paligjshme, do të favorizoheshin duke shmangur pasojat e sistemit gjyqësor, duke investuar fonde nëpërmjet kanaleve jo të ligjshme në ekonominë formale, si dhe duke paguar një normë tatimore më të ulët (5-10 përqind) në krahasim me ato të përfshira në aktivitete të ligjshme, e cila aktualisht qëndron në një normë totale 32 përqind. Për rrjedhojë, këto situata do të ulin pajtueshmërinë tatimore në Shqipëri në të ardhmen”, nënvizon deklarata.

Sipas Dhomës amerikane, nisma rrezikon të sjellë pasoja dhe në raportin e vendit kundrejt institucioneve ndërkombëtare. “Pozicioni i Shqipërisë në programet e monitorimit ndërkombëtar mbi parandalimin dhe pastrimin e parave do të përkeqësohet. Duke qenë se Shqipëria ndodhet në listën gri të pastrimit dhe parandalimit të parave nga Moneyval, zbatimi i kësaj amnistie në këto momente kur Shqipëria ende po punon për rritjen dhe forcimin e strukturave monitoruese do të sjellë një stuhi të ekonomisë informale. Shqetësimi ynë kryesor është se miratimi i këtij projektligji do të rrezikonte pozitën zyrtare të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar procesin e anëtarësimit në BE”, thekson Dhoma amerikane e Tregtisë.

Dy javë më parë, gjatë takimit të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, Komisioni europian “nënvizoi shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, ndërkohë që do të bënte pak për të rritur aftësinë e administratës tatimore për të përmirësuar pajtueshmërinë e ardhshme lidhur me kërkesat tatimore. Për më tepër – vijnte Komisioni – për shkak se rezidentët jotatimorë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në BE ose në Ballkanin Perëndimor, përfshihen në objektin e tij dhe u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia, drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, si dhe një rrezik thelbësor reputacioni për vendin”, vihej në dukej në deklaratën përfundimtare të takimit.

Edhe dy vjet më parë qeveria shqiptare paraqiti një projekt për aministi fiskale, nga i cili u detyrua të tërhiqet në momentet e fundit si pasojë e trysnisë si nga ana e Fondit monetar ashtu dhe nga Brukseli. Sipas Dhomës amerikane të Tregtisë “edhe pse akti i ri ka disa ndryshime nga iniciativa e mëparshme e qeverisë e ndërmarrë në vitin 2020, këto ndryshime nuk janë aq thelbësore për të ndryshuar rreziqet e ngritura prej saj dhe nga partnerë të tjerë”./ Marrë nga VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Rrezik thelbësor reputacioni për vendin"

Komisioni Evropian rrëzon Amnistinë fiskale