MENU
klinika

Perënditë në shëtitje...

Zbulohet tempulli i Zeusit në Egjipt

01.07.2022 - 12:38

         Sundues i qiellit dhe tokës, Zeusi, më i madhi i perëndive të Olimpit. Sipas mitologjisë greke, pas betejës dhe fitores me titanët e ciklopët, meritoi respektin dhe nënshtrimin, duke u shpallur si i pari mes perëndive të tjera.

Pjesë të tempullit kushtuar Zeusit, po dalin në dritë në malin e Sinait. Zbulimi u bë në zonën arkeologjike të Tel al-Farma, qyteti antik Pelusium dhe ka një rëndësi të madhe, si shembull i shkrirjes së besimeve fetare. Në këtë rast, kulti i Zeusit, nga mitologjia greke, zë vend pranë perëndive në malin Kasios.

Zbulimi i shumëpritur ky, vjen ndërsa gërmimet e para në zonë datojnë në vitin 1910. Ishte arkeologu francez Jean Clédat, ai që zbuloi mbishkrime të vona greke, në një arkiv që tregonte praninë e një tempulli, që ai nuk ia arriti ta gjente.

Mbetje graniti

“Gërmimet e tempullit filluan në afërsi të dy kolonave të mëdha prej graniti, që përfaqësonin portën hyrëse, kjo e shembur nga tërmeti”, – tha sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Antikiteteve Egjiptiane Mustafa Waziri.

“Tempulli ishte ndërtuar me tulla balte, mbi një platformë të ngritur, ndërsa tavani mbështetej në kolona graniti rozë. Shkallët, të veshura me mermer, u shërbenin besimtarëve për të arritur në platformën e tempullit”.

Arkeologët kanë gjetur blloqe të tjera të mëdha prej graniti rozë, në afërsi të tempullit. Ato ndoshta ishin hequr nga tempulli, për t’u ripërdorur në ndërtimin e kishave. Duke shtrënguar traun, është arritur në tempullin aktual. Këtu u gjet edhe një mbishkrim që plotëson atë të mëparshëm, duke zbuluar se perandori Hadrian (76-138 pas Krishtit) urdhëroi shtesa të reja në tempullin e Zeusit në Kasios. Më pas, prokurori i Aleksandrisë, Titus Flavio Tiziano, vijoi punimet.

Beteja tokësore dhe kozmike

Qyteti i Pelusium, ku shtrihej tempulli, daton në periudhën e vonë faraonike dhe kaloi nëpër epokat greko-romake dhe bizantine. Ishte qytet-kështjellë, i rëndësishëm për të mbrojtur kufijtë ekstremë lindorë të deltës së lumit Nil. Në shekullin e 8-të para Krishtit, mbreti asirian Senakeribi, duke përparuar nga mbretëria e Judës, në një përpjekje për të pushtuar Egjiptin, nuk mundi ta pushtonte qytetin, që ra në duart e persianëve në vitin 525 para Krishtit.

Mali Kasios, objekti i kultit “hibrid”, ndodhet përgjatë kufirit aktual, midis Sirisë dhe Turqisë, në një zonë që tani është militarizuar. Pikërisht këtu, sipas mitologjisë greke, ekzistonte lufta për epërsi kozmike midis Zeusit dhe Tifonit, përbindëshit të stuhisë. Zeusi arriti të mposhtte Tifonin me rrufetë dhe më pas, e varrosi nën malin Etna, në Siçili, në një largësi që vetëm perënditë mund ta kapërcenin shpejt në kohën mitike.

Një tempull perëndive

Mali Kasios (lokalisht i quajtur Jebel al-Aqra) ishte gjithashtu, një vend i lashtë adhurimi për banorët e Cananeas (një zonë që përfshinte Izraelin e sotëm, Palestinën, Libanin, Sirinë dhe Jordaninë). Për ta, përfaqësonte tempullin e hyjnive. Për shembull, të perëndisë së stuhisë Ba’al Zefon. Njerëzit e qytetit-port të Ugarit, e nderonin malin, si selinë e pallatit të Ba’alit dhe motrës së tij, Anat. Mali Kasios përmendet gjithashtu në Bibël, si dhe mali Zafon.

Më pas, erdhën grekët që aty sollën kultin e Zeusit, duke e riemërtuar pikërisht, Zeus-Kasios. Pra, ky fakt dëshmon se në kohët e lashta, njerëzit shpesh fleksibël për sa i përket besimeve fetare, duke i njohur ato të të tjerëve si të vlefshme, deri në pikën e shkrirjes së tyre me të tyret.

Për nder të Zeusit, grekët ndërtuan tempuj dhe elterë, skalitën trupore anembanë botës, deri në Turqinë perëndimore dhe Italinë e Jugut, dhe me degëzimet e veta në veri, deri në Rostov në Don (Tanais), në jug deri në Nilin e mesëm (Hermopolisin), në lindje deri në Indi (Aleksandria) dhe në perëndim, deri në Marseillei (Massalia). Prej tempujve që i janë përkushtuar, më madhështorët janë Tempulli i Zeusit (në Olimpi, nga mesi i shek, para e.s., tempulli në Arkagant (sot Agrigenti) në Siçili, përafërsisht rreth vitit 480 para e.s. (në sipërfaqe prej gati 7000 metra katrorë) dhe Olimpeoni në Athinë, i filluar në mesin e shek. V para e.s. dhe përfundon në shek. II të e. s. Sot të gjithë janë në gërmadha. Prej elterëve të Zeusit më i mrekullushmi ka qenë i ndërtuar në Pergam. Është i vitit 180-160 para e.s. dhe sot, i rekonstruktuar, është në Muzeun Shtetëror në Berlinin Lindor. Prej skulpturave të tij më e njohura është e ashtuquajtura Zeusi Otrikol dhe i ashtuquajturi Zeusi Verosp, kopjet romake të origjinaleve greke nga gjysma e dytë e shek. IV para e.s. (sot në Muzeun e Vatikanit). Skulptura më e lashtë e Zeusit me cilësi të larta artistike prej bronzi Zeusi nga Artemisia, është nga gjysma e parë e shek. V para e.s., dhe që është nxjerrë prej detit te kepi i Artemisisë në vitin 1928. Origjinali i tij gjendet në Muzeun Arkeologjik në Athinë, ndërsa kopja besnike e stolis aulën e ndërtesës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.