MENU
klinika

Dyndje e të huajve dhe emigrantëve në Shqipëri

Biznesi i kirurgjisë plastike larg krizës

21.08.2022 - 12:03

Klinikat private pohojnë se, edhe këtë vit, vijon të ketë kërkesa të larta për kirurgji plastike, kryesisht nga shtetas të huaj dhe emigrantë. Fluksi i kërkesës është nxitur më tepër nga gratë për ndërhyrjet në gjoks, rimodelimin e trupit dhe hundës. Këtë vit, çmimet kanë shënuar rritje të lehtë, ndërsa ofrohen tarifa 50% më të lira se Europa

Prej vitesh, klinikat private të ndërhyrjeve kirurgjikale nuk e njohin fjalën krizë. Kërkesa për ndërhyrje plastike vijon të jetë e lartë edhe në vitin 2022, sipas operatorëve kryesorë në vend.

Tregu është në zgjerim, për shkak të shtimit të numrit të klinikave dhe spitaleve që kryejnë ndërhyrjet kirurgjikale estetike.

Në Shqipëri, gratë janë ato që nxisin më tepër kërkesën e lartë për procedura kirurgjikale, ku rimodelimi i gjoksit dhe trupit për heqjen e dhjamit janë ndër operacionet më të kërkuara. Te meshkujt, kërkesa më e lartë është për rinoplastikë.

Ashtu si tendenca globale, edhe në Shqipëri, ndërhyrjet kirurgjikale janë më të kërkuara nga grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç.

Në Shqipëri, operacionet plastike po kryhen kryesisht nga shtetasit e huaj që, për disa klinika, zënë deri në 60% të kërkesës dhe emigrantët shqiptarë, për shkak të çmimeve të leverdishme që ofrohen.

Spanja renditet e para në botë për numrin më të lartë të pacientëve të huaj që kërkojnë të bëjnë ndërhyrje kirurgjikale, më pas SHBA dhe Brazili, sipas të dhënave të Shoqatës Ndërkombëtare të Estetikës dhe Kirurgjisë Plastike (ISAPS).

Administratorja e klinikës “Dermolife”, Lida Hoxha, tha për “Monitor” se këtë vit, ka një bum kërkesash për ndërhyrje kirurgjikale, sidomos nga emigrantët.

“Nëse në sektorët e tjerë të ekonomisë, kërkesa apo konsumi është në krizë, në sektorin tonë nuk mund të flasësh për krizë. Kërkesa për ndërhyrje kirurgjikale është 30% më shumë se vitin e kaluar.

Ajo dominohet nga pacientë shqiptarë nga SHBA, Italia dhe Australia. Kërkesë për ndërhyrje kirurgjikale ka edhe nga vendasit, por në muajt e verës, ajo është më e ulët, pasi është në rritje nga emigrantët dhe shtetasit e huaj”.

Këtë vit ka pasur rritje 30% të kërkesës në raport me vitin 2021 edhe për operacionet e rinoplastikës, sipas doktor Kostandin Balloma nga klinika “Luis Medical Center”.

Ai thotë se kërkesa dominohet nga shtetasit e huaj. “Këtë vit është rritur kërkesa nga shtetas të huaj, nga Anglia, Norvegjia, Suedia dhe Danimarka. Ndërsa kërkesa nga emigrantët, këtë vit është e lartë nga shqiptarët që jetojnë në SHBA. Ndërsa nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, kërkesa është në rritje për ata që jetojnë kryesisht në Zvicër dhe Gjermani”.

Skerdi Faria, drejtor i klinikës “KEIT”, nënvizon se kërkesa për ndërhyrje kirurgjikale është 3-fishuar krahasuar me vjet.

Sipas tij, tendenca në rritje e markës KEIT është ndikuar edhe nga kronikat në mediat italiane rreth turizmit estetik të pacientëve italianë që bëjnë ndërhyrje në Shqipëri. “Kërkesa dominohet nga emigrantë, shtetas të huaj nga Europa, kryesisht italianë, por edhe vendas. Këtë vit kemi pasur pacientë edhe shtetas nga SHBA”, pohon ai.

Përfaqësues të klinikës “Da Vinci” pohuan se për sa i përket kërkesës, 60% janë shtetas të huaj dhe 40% shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe vendas.

“Në fakt, nga viti në vit vihet re rritje e kërkesës për ndërhyrje estetike. Për 7-mujorin e parë të vitit 2022, operacionet estetike janë rritur me 23% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2021”.

Prej vitesh, për muajt korrik –gusht, fluksi i kërkesave për ndërhyrje kirurgjikale në klinikën “Da Vinci” është nga shtetasit e huaj dhe emigrantët që jetojnë në Londër, Belgjikë, Zvicër, Gjermani, SHBA, Norvegji, të cilët shfrytëzojnë pushimet e verës për ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara 6 muaj më parë.

Klinikat private të kirurgjisë plastike patën bum kërkesash edhe në vitin 2020, pas rihapjes së ekonomisë nga karantina e mars-majit.

Kërkesa ishte e lartë, sidomos për vendosjen e balonit gastrik që pati rritje deri në 15% sipas operatorëve të tregut. Fluks të lartë të kërkesës pati edhe për heqjen e dhjamit të trupit, rimodelimin e hundës dhe mbjelljes të flokëve.

Në verën e vitit 2020, 90% e operacioneve plastike kryheshin nga vendasit dhe 10% e zinin shtetasit e huaj apo emigrantët, për shkak të pamundësisë për të lëvizur nga kufizimet e pandemisë së Covid-19.

Çmimet më të lira se vendet e huaja kanë rritur kërkesën

Arsyeja kryesore se pse të huajt zgjedhin Shqipërinë për kirurgjinë plastike, sipas doktoreshë Lida Hoxha, është çmimi i ulët, duke i shtuar edhe rritjen e standardeve të shërbimit. Klinikat më të njohura në Shqipëri kanë të punësuar një numër të madh mjekësh nga Italia dhe Turqia.

“Çmimet 3 herë më të lira se jashtë dhe kualiteti shumë i lartë i specialistëve të kirurgjisë plastike rindërtuese dhe estetike nga Roma ka sjellë shumë shqiptarë që jetojnë jashtë, por edhe të huaj, të bëjnë ndërhyrjet kirurgjikale në klinikën tonë.

Edhe mundësia për të biseduar nga afër dhe gjerësisht me mjekët për realizimin e pritshmërive të tyre, pasi shohin trupin në pasqyrë është tjetër faktor që po shtyn shumë pacientë të zgjedhin klinikën tonë”, thotë znj. Hoxha.

Çmimet më të lira se vendet e tjera mbeten arsyeja kryesore e rritjes së kërkesës edhe për operacionet e rinoplastikës.

Doktor Kostandin Balloma, nga klinika “Luis Medical Center”, tha se bumi i kërkesave këtë vit është nga shtetasit e huaj, për shkak të çmimeve më të lira që ofron Shqipëria, por edhe pasi në disa shtete, numri i klinikave të rinoplastikës është i ulët.

“Turizmi mjekësor në vend po arrin në nivelet e Turqisë. Përvoja mjekësore e klinikave shqiptare dhe rezultatet shumë të mira te ndërhyrjet kirurgjikale është një tjetër arsye pse të huajt zgjedhin Shqipërinë”.

Ndërhyrjet më të shpeshta

Procedurat kirurgjikale më të shpeshta në mbarë botën mbetën të njëjta edhe gjatë vitit 2021, sipas të dhënave të Shoqatës Ndërkombëtare të Estetikës dhe Kirurgjisë Plastike (ISAPS).

Zmadhimi i gjoksit përbënte 16% të të gjitha procedurave, liposuksioni (heqja e dhjamit) 15,1%, kirurgjia e qepallave 12,1%, rinoplastika 8,4% dhe abdominoplastika (rimodelimi i barkut) 7,6%.

Studimi i Shoqatës analizon të dhënat për 10 vendet me numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale në botë, si: SHBA, Brazili, Gjermania, Japonia, Turqia, Meksika, Argjentina, Italia, Rusia dhe India.

Te femrat, nga 5,2 milionë ndërhyrje të kryera në vitin 2020, rreth 30% e tyre ishte për gjoksin, 20% ishte liposuksioni, 19% kirurgjia e qepallave, 17% rinoplastika dhe 14% abdominoplastika.

Sipas studimit të ISAPS, te femrat 43,3% kanë pohuar se arsyeja e ndërhyrjes është kozmetike, 18,1% e tyre kanë kryer ndërhyrje për asimetri dhe pjesa e mbetur, për të tjera arsye.

Në botë, procedurat kirurgjikale më të zakonshme tek meshkujt vijuan të jenë kirurgjia e qepallave, duke zënë 26% të totalit të ndërhyrjeve, liposuksioni zë 23%, gjinekomastia e meshkujve 22%, rinoplastika 21% dhe operacioni i veshit, 8%.

Qasja është e njëjtë edhe në Shqipëri. Zmadhimi i gjoksit, heqja e dhjamit të tepërt, apo siç njihet në gjuhën mjekësore, liposuksioni, dhe rinoplastika mbeten ndër ndërhyrjet kirurgjikale më të kërkuara.

“Për ndërhyrjet në hundë, raporti i kërkesës mes femrave dhe meshkujve është i njëjtë. Ndërsa heqja e dhjamit të barkut kërkohet më tepër nga femrat sesa nga meshkujt. Shumica e meshkujve që kryejnë këtë lloj ndërhyrje janë ata që kanë humbur peshë dhe kanë varje të lëkurës.

Ndryshimi i mënyrës të jetesës të burrave në Shqipëri, ndryshe nga femrat që janë tepër të kujdesshme, i ka nxitur ata të marrin masat për këtë problem në trupin e tyre. Ndërsa ndërhyrjet në gjoks mbeten ndër operacionet më të kërkuara nga femrat”, thekson Lida Hoxha, administratorja e klinikës “Dermolife”.

Sipas klinikës “Da Vinci”, operacionet më të kërkuara janë liposuksioni dhe lipofilling (rimodelimi i trupit me dhjamin e vetë pacientit).

Për vitin 2020, një nga shërbimet që u përdor më shumë në klinikat e ndërhyrjeve kirurgjikale plastike ishte vendosja e balonit gastrik, për shkak të frikës së njerëzve obezë nga infektimet e Covid-19.

Ashtu si edhe në 10 shtetet më të famshme në botë për numrin e lartë të ndërhyrjeve estetike, edhe në Shqipëri, çuditërisht janë moshat e reja ato që kryejnë më shumë operacione plastike.

Duke parë shpërndarjen e moshës për procedura të ndryshme, sipas studimit të ISAPS, grupmosha 19-34 vjeç përbën përqindjen më të lartë të atyre që u nënshtrohen rinoplastikës (67,9%) ndërsa moshat 35-50 vjeç përbënin shumicën për procedurat e balonit të stomakut (50,2%).

Tendenca është e njëjtë edhe në Shqipëri. Sipas drejtorit të përgjithshëm të klinikës “KEIT”, Skerdi Faria, ndërhyrjet e preferuara janë rimodelimi i hundës, trapianti i flokëve, balloni gastrik dhe dietat për dobësim nëpërmjet aplikacionit online. “Këto ndërhyrje i bëjnë të gjitha moshat, por më tepër janë të rinjtë e grupmoshës nga 18 deri në 35 vjeç”.

Sipas përfaqësuesve të klinikës “Da Vinci”, operacionet estetike janë më shumë të kërkuara nga grupmosha 30 deri në 50 vjeç. Grupmosha nga 30 deri në 40 vjeç kryejnë më shumë liposuksion dhe lipofilling. Grupmosha 40 deri në 50 vjeç kërkojnë më tepër liposuksion dhe abdominoplastike.

Në lidhje me rimodelimin e hundës, doktor Kostandin Balloma thotë se 70% e pacientëve që rimodelojnë hundën janë femra të moshës nga 20 deri në 35 vjeç, ndërsa pjesa e mbetur, meshkujt.

Kirurgjia plastike po evoluon sipas modelit të turizmit mjekësor

Fluksi i lartë i kërkesës nga shtetas të huaj ka bërë që shumë klinika private në vend ta zhvillojnë biznesin në modelin e turizmit mjekësor.

Administratori i klinikës “Luis Medicinal Center”, z. Balloma, teksa flet për çmimet e operacioneve të rimodelimit të hundës, thotë se shumë të huaj zgjedhin të marrin paketën e plotë, e cila përfshin që nga transporti nga aeroporti, qëndrimin në hotel dhe shtrimin në klinikë.

Çmimi për rimodelimin e hundës në Shqipëri është deri në 50% më lirë se në Europë. Për një operacion të thjeshtë hunde, çmimi varion nga 1,600 deri në 1,800 euro, ndërsa në Greqi, ky lloj operacioni kushton 3,300 deri në 3,500 euro sipas administratorit të “Luis Medical Center”.

“Për këtë vit, 30% të kërkesës e zënë operacionet nga shtetas të huaj që kërkojnë të ribëjnë ndërhyrjen që e kanë bërë më parë në një klinikë të huaj.

Jashtë, operacioni kushton nga 10,000, 12,000 deri në 15,000 euro. Te ne kushton 2,500 euro. Tregu ynë është më i lirë në çmime.” Një tjetër klinikë pohoi se çmimi i operacionit të hundës varionte nga 2,200 deri në 2,400 euro.

Si kanë ndryshuar çmimet për operacionet plastike?

Çmimet e lira mbeten “arma” më e fortë e klinikave shqiptare për të thithur pacientë që jetojnë jashtë. Kjo ka bërë që disa klinika të mbajnë të pandryshuara çmimet prej vitesh, edhe pse këtë vit po përballen me shtim të kostove nga shtrenjtimi i lëndëve mjekësore.

“Jo, çmimet për operacionet estetike nuk janë rritur, ndaj dhe kërkesa për këto operacione është më e lartë, pasi pacientët janë komfort për kryerjen e një operacioni të tillë, duke qenë se kostot me të cilat ata përballen arrijnë pritshmëritë e tyre”, pohuan përfaqësues të qendrës “Da Vinci”.

Këtë vit, klinika “Luis Medicinal Center”, sipas administratorit të saj, ka rritur çmimet në fashën e 100 deri në 200 eurove. “Nuk mendoj se do të ketë rritje të mëtejshme të tyre për ndërhyrjet kirurgjikale në vend, pasi tregu nuk e favorizon këtë ndryshim”, pohon z. Balloma.

Edhe drejtori i klinikës “KEIT”, Skerdi Faria, tha se në raport me vjet, çmimet kanë shënuar rritje të lehtë, pas 7 vitesh që tarifat kanë mbetur të pandryshuara, për shkak të rritjes së kostove nga organizimi i operacioneve me standarde.

Në vitin 2020, pas rihapjes së ekonomisë, strategjia e ndjekur nga klinikat private favorizonte njerëzit, me qëllim që të mos ndiheshin e efektet e Covid-19, duke ulur çmimet 10 deri në 25%.

“Për vitin 2020 në krahasim me 2019 kemi aplikuar çmime më të ulëta, pasi nuk mund të qëndronim të ngurtë, kemi dashur të ndihmojmë njerëzit në pandemi. Ndërsa në vitin 2022, çmimet nuk janë rritur, madje kemi ofruar edhe paketa me çmime promocionale”, pohon Lida Hoxha, nga “Dermolife”.

Kërkesa në botë për operacione plastike

Për vitin 2020, numri i operacioneve plastike në botë ra 23% krahasuar me 2019, për shkak të pandemisë. Operacionet për rimodelimin e gjoksit ranë 10%, liposuksioni 10%, i qepallave ra 3%, abdominoplastika (rimodelimi i barkut) ra rreth 8% dhe rinoplastika, 6% sipas statistikave të Shoqatës Ndërkombëtare të Estetikës dhe Kirurgjisë Plastike.

SHBA renditet e para ndër 10 shtetet në botë për numrin e lartë të operacioneve plastike. Nga totali i operacioneve në rang global, 14,7% e tyre e zinte SHBA.

Më pas renditet Brazili me 12,9%, Rusia me 4,7%, Meksika 4,5%, Gjermania 4,2%, Turqia 3,6%, Argjentina 2,8%, India 2,5%, Italia 2,4% dhe e fundit në renditje është Japonia me 2,2%. Në këto shtete, për vitin 2020, janë kryer rreth 5 milionë operacione plastike nga 6,5 milionë që u kryen në 2019-n.

Në SHBA, ndërhyrja më e kërkuar është ajo për zmadhimin e gjoksit, duke zënë 25% të totalit të operacioneve plastike.

Në Brazil më i kërkuar është heqja e dhjamit, apo siç njihet në gjuhën mjekësore liposuksioni duke zënë 13,3% të operacioneve, në Gjermani gjithashtu më i kërkuari mbetet liposuksioni me 18,2%, në Japoni më e kërkuara është kirurgjia e qepallave me 64,6%, në Turqi rinoplastika me 18,6%, në Meksikë, liposuksioni duke zënë 16,2% të operacioneve plastike, në Argjentinë rreth 20% të kërkesës për ndërhyrje dominohet nga operacioni i gjoksit.

Edhe në Itali, kërkesa më e lartë është për operacionin e gjoksit me 16% të totalit të ndërhyrjeve. Në Spanjë, 26,8% të ndërhyrjeve bëhen në gjoks, në Greqi 14,6% e ndërhyrjeve bëhet për qepallat.

Pesë procedurat kryesore jokirurgjikale më të kërkuara janë toksina botulinum (botoks stomaku, 43,2% e të gjithëve procedurave jokirurgjikale), acidi hialuronik (28,1%), heqja e qimeve (12,8%), reduktimi jokirurgjikal i yndyrës (3,9%) dhe përtëritje fotografike (3,6%). Rreth 85% e procedurave jokirurgjikale janë kryer në femrat.

Drejtori i klinkës “KEIT” Skerdi Faria

“Ndërhyrjet e preferuara janë rimodelimi i hundës, trapianti i flokëve, baloni gastrik dhe dietat për dobësim nëpërmjet aplikacionit online.

Këto ndërhyrje i bëjnë të gjitha moshat, por më tepër janë të rinjtë e grupmoshës nga 18 deri në 35 vjeç”. / Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë kërkon Rusia në Ballkanin Perëndimor?

Analiza në DW: Moska po zgjeron ndikimin e saj, synimi është të…

DW: Turistët nga Kosova kryesojnë listën

Ballkanasit shpëtojnë turizmin në Shqipëri