Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni antidrogë i titulluar “The Eye” që u zhvillua nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza në gjirin e Arushës, në Karaburun.
Si rezultat i operacionit u sekuestruan 992 kg kanabis, teksa në pranga përfunduan 3 skafistët shqiptarë, Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç, dhe 2 shtetasit ukrainas Bychkovi Serhii , 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.
Ka qenë Drejtoria e Policisë së Vlorës dhe Policia Kufitare që ia kanë përçuar GDF italiane informacionin për lëvizjen e tre skafeve me drejtues shqiptarë në gjirin e Arushës në Karaburun.
Siç shihet dhe nga pamjet kanë qenë skafet shqiptarë të cilët në thellësi të detit, në limitet e kufirit mes Shqipërisë dhe Italisë kanë furnizuar me drogë “Velierën” që drejtohej nga ukrainasit.
Veliera u kap nga Guarda Di Finanza në ujërat italianë ku u sekuestrua dhe lënda narkotike.
Sipas News 24, arsyeja përse të dy palët janë rezervuar për të bërë publike pamjet e velierës luksoze që u ngarkua me drogë mësohet të jenë hetimet e zgjeruara që po kryen në Itali për të gjetur pronarin e saj.
Sipas deklarimeve të dy ukrainasve të arrestuar, mjeti lundrues i është “dhënë nga një shtetas italian dhe i ishte thënë “të niseshin drejt Shqipërisë”.
Veliera ka qenë tepër luskoze dhe dyshimet janë të forta nga pala italiane, pasi ende nuk dihet nëse ka një denoncim për zhdukjen nga pronari i mundshëm i saj.