MENU
klinika

Gjeneral ® Piro AHMETAJ

Drejt fundit me turp të luftës dhe Perandorisë Putiniste

15.08.2022 - 18:16

Së pari, përgjatë 6 muajve nga ofensiva ushtarake, në mënyrë konstante jam rreshtuar në llogoret e strategjistëve racionale (optimistëve) duke përsëritur gjithnjë edhe me fortë se: Rusia jo vetëm do ta humbasë me turp luftën për pushtimin e një vendi sovran dhe kombi martirësh (Ukrainës), por edhe do të diskreditohet në përballjen me vlerat demokratike, fuqinë ushtarake dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (US/NATO/BE) !

Fatmirësisht, megjithë makiazhin e sforcuar të sozive të Putinit dhe bolshevikëve mëndjendryshkur, rrokullima ka filluar, pasi përpos të tjerash, 10 vjet luftë në Afganistan (1979-1989) na kanë mësuar se:sa më shumë zgjat Lufta aq më e sigurt është humbja që e pret Moskën në këtë ndërmarrje barbare.

Së dyti, nuk e kam menduar dhe sigurisht as nuk e kam thënë kurrë, që Rusia nuk ka kapacitete dhe aftësi ushtarake për të ndërmarrë një aventurë neonaziste dhe për të fituar disa objektiva lokale, siç ka avancuar në këto 6 muaj në Donetsk, Luhansk, Zaporizhia apo edhe për të sprovuar rendin dhe kohezionin e arkitekturës së sigurisë globale!

Në të kundërt, referuar indeksit të Instituteve Global të Sigurisë, Rusia renditet e dyta në botë (Score: 0.08 Russia comes in second on the list. It has a total of 3.5 million people in its military, 1 million in active service, 13,000 tanks & defense budget $42 billion) për fuqinë ushtarake (mbas USA), edhe pse shpenzimet për mbrojtjen me rreth 50 miliard dollar në vit, janë një shifër ose e barabartë ose me e ulët se ato të UK, Francës, Gjermanisë, Italisë, Turqisë, etj!

Gjithsesi, bëjmë mirë ta përsërisim për ekspertët si dhe për opinionin publik se shpenzimet vjetore të mbrojtjes së Rusisë, nuk kanë as të kahësuar me SHBA. Sipas të njëjtave referenca, SHBA shpenzon 740 Miliard $ në vit për mbrojtjen, pra 15 herë më shumë se Rusia si dhe 2 herë më shumë se 31 vendet e tjera të NATO-s përfshi edhe 2 vendet Nordike, Finlandën dhe Suedinë !

Së treti, po ashtu duhet qartësuar se listimi i dyti në botë për kapacitetet dhe aftësitë ushtarake është vetëm për shkak të inventarit të fuqisë bërthamore me 5977 njësi që zotëron Rusia, kundrejt 5428 që zotëron USA; 350 Kina; 290 Franca; 225 UK etj, me të cilat sigurisht Rusia mundet “ti bëjë edhe gjëmën qytetërimit nëse do të degradojë të damkoset si komb terrorist“.

Gjithsesi, e parë edhe me “sytë” e kolegëve në Washington, Bruksel, Londër, etj vijojmë ende të besojmë fort, që “Lufta në Ukrainë ështe fillimi i fundit të regjimit të Putinit“. Kështu, edhe “lufta bërthamore”, ose me gjuhën e popullit “dita e qametit” nuk ka për të ndodhur, pasi në këtë rast jo vetëm Rusia do të damkosej përjetësisht por edhe Putinistët do të ndëshkoheshin ashtu si nazistët: “për krime kundër njerëzimit” duke marrë shpagimin e merituar nga institucionet e botës së qytetëruar!

Së katërti, duke e ndërlidhur luftën me peshën e fuqisë ekonomike, do të shtoja se ndërsa lufta është ndërmarrje ekstreme, po e rrokullis drejt një kolapsi ekonomik të paevitueshëm Rusinë.

Nga ana tjetër, ekonomia ka patur dhe do të mbajë peshën përcaktuese edhe në humbjen e luftës në Ukrainë. Për ta ilustruar këtë ndërlidhje mes ekonomisë dhe fateve të luftës, mjafton të analizojmë shifrat  e Fondi Monetar Ndërkombëtar (IMF = International Monetary Fund):

Edhe pse siç e përmendëm mbetet e 2-ta në botë për indeksin e fuqisë ushtarake, IMF ka parashikuar për të arritur Prodhimin e Përgjithshëm Neto, ose GDP-në për 2022 1.8 Trilion $, duke e renditur Rusinë të 11-ën  për fuqinë dhe për influencën ekonomike në botë.

Ndërsa kjo shifër, 1.8 T$ e ilustruar në tabelën përmbledhëse (bashkëlidhur) ka parashikuar GDP Globale deri 100 Trilion $ për 2022, të ndarë sipas vendeve me peshën, fuqinë dhe rrjedhimisht influencën më të madhe ekonomike në botë.

Rusia me 1.8 T GDP-në, pra 15 herë më pak se SHBA (25.3); 11 herë më pak se Kina (19.9); 3 herë më pak se Japonia (4.9) apo Gjermania (4.3); rreth 2 herë më pak se UK (3.4), më pak se Italia (2.1); të  barabartë me Korenë e Jugut (1.8) dhe pothuaj vetëm 2 herë më shumë se Polonia (0.8), etj.

Historia e njerëzimit na ka provuar se fuqia ekonomike privalon mbi fuqinë ushtarake në humbjen apo fitoren e luftrave, për rrjedhojë edhe në influencën gjeopolitike.

Prandaj Rusia me 1.8 T GDP, e renditur e 11-ta në botë,  pra me peshë të papërfillshme (me pak se 2% të GDP-së Globale) mbetet shumë larg me mundësitë për të përballuar me një luftë të gjatë në Ukrainë dhe kështu shumë përtej ambicieve për të rikthyer lavdinë e superfuqisë gjeopolitike në botë.

Në shtesë, nëse (pa) fuqinë ekonomike të Rusisë, e çmojmë të përkeqësuar me barrën e rëndë të luftës në Ukrainë e cila në shifrat më të ulëta i kushton buxhetit të Moskës, 10 Miliard dollar në ditë. E thënë më thjesht, vetëm 5 ditë luftë, është kosto e barabartë me buxhetin vjetor të  mbrojtjes, ose  50 Milird $.

Edhe më qartë, mbas 24 Shkurtit 2022, pra gjithësej në 170 ditë luftë rraskapitëse në Ukrainë, RUSIA ka shpenzuar sa të gjitha të ardhurat vjetore, ose siç e përmendëm të gjithë GDP-në e parashikuar nga FMN për vitin 2022 (1.8 Trilion $)!

Barrë shumë e rëndë dhe përgjegjësi historike jo vetëm për fundin kriminal të “Perandorisë Putiniste”. Ndërsa mbetet pikëpyetja kritike për ardhmërinë e Rusisë: “Edhe sa do zgjas lufta ndërsa fundi saj i tupshëm është i pashmangshëm dhe kolapsi ekonomik është te pragu i derës“!

Së pesti, koncepti i Clausewitz: “Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera“, mbetet si ilustrim aktual jo i vazhdimit por fundit të turpshem të politikës së Putinit.

Ndërsa popullit rus do t’i duhen më shumë se disa dekada, ndoshta një gjeneratë të tejkalojë pasojat tragjike të marrëzisë së regjimit të Putinit jo vetëm në Ukrainë!

Thënë këto, shpresoj që fundi kësaj “aventure në kohë moderne” (riciklimi i frikshëm i opsionit të luftës neonaziste), do të shërbejë si një këmbanë përgjegjësish për elitat, historinë e lavdishme kombëtare, gjeneratën e Re jo vetëm të Rusisë.

Së fundmi, me statusin e ekpertit në peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të sigurisë kombëtare, Rajonale & NATO-s, do i këshilloja faktorët shtetërorë dhe politik (sigurisht nuk e kam fjalën për shtetarë të punësuar dhe as dëshmorë kamikazë; as për donkishotë vulëhumbur dhe as për sekserët e bravave të pushtetit) të Tiranës Zyrtare që: “humbja e luftës dhe kolapsi ekonomik i Rusisë, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në Rajon është një rrethanë e artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimarrjeve të mëdha me SHBA & UN/NATO/BE si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëKombëtare në Rajon, Mesdhe, etj“!

Zoti e bekoftë paqen jo vetëm në Ukrainë, fuqinë ushtarake dhe Aleancën e vlerave Transatlantike si dhe interesat gjeopolitike të RSh.

*Gjeneral ® Piro AHMETAJ,

Senior Expert për SK, Rajonin & NATO-n

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, ish:

Këshilltar i Presidentit dhe Zv/ShShPFA,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.