Thellohet skandali i emërimeve të zyrtarëve me të shkuar kriminale në doganat shqiptare të drejtuara nga Genti Gazheli.
“News 24” ka arritur të sigurojë vendimin e Gjykatës së Gjirokastrës të 26 qershorit të vitit 2000, ku Arben Zhupa, drejtues aktual i pikës doganore “Tri Urat” në Përmet, është dënuar me 1 vit burg për veprën penale të dhënies se ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kryer në bashkëpunim. Bashkë me Arben Zhupën janë dënuar edhe 3 persona të tjerë si njohës i mirë i kufirit.
Genti Gazheli i ka besuar Arben Zhupës detyrën e shefit të doganës së “Tri Urave” në Përmet, thënë ndryshe personi i dënuar për trafik klandestinësh vite me parë tani lufton kontrabandën për llogari të doganave shqiptare. Pak ditë më parë, “News 24” zbuloi është rastin e 4 zyrtarëve të lartë të doganave të hetuar nga drejtësia greke për kontrabandë dhe grup të strukturuar kriminal, ndërkohë që u kapën në flagrancë. Genti Gazheli u mundua që të mbrohej duke thënë se dëshmitë e tyre të penalitetit janë të pastra, ndërkohë që nuk tha asnjë fjalë për vendimet e gjykatave greke dhe promovimin në detyrë të doganierëve të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm.
NEPOTIZMI
Promovimi në poste të larta i zyrtarëve që kanë hesape të pambyllura me drejtësinë në vendet e BEsë, nuk është e vetmja “njollë e zezë” për drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli. Më herët, “News 24” publikoi dokumente që vërtetojnë se Genti Gazheli i drejton Doganat në shkelje të ligjit. Në bazë të ligjit 44, datë 27 janar 2006, ndalohet të ushtrojnë detyrën brenda të njëjtit institucion publik, punonjës të lidhur mes tyre me lidhje familjare, gjinie apo krushqie. Por çfarë po ndodh në të vërtetë brenda Doganave?
“Balkanweb” po publikon vetëm tri raste, nga dhjetëra që disponon, kur persona të së njëjtës familje ndajnë postet në institucionin e drejtuar nga Genti Gazheli. Alfreda Trajani është drejtoreshë e komanduar te Burimet Njerëzore, ndërsa e bija, Gestina Bregu (Trajani), është specialiste te Antikorrupsioni i Doganave. Ky duket të jetë një rast i paprecedent në të gjithë administratën shqiptare, kur mamaja drejtoreshë promovon të bijën. Eglantina Kaja është përgjegjëse te sektori i pagesave, ndërsa e bija, Enxhi Kaja, është doganiere tek aposteriori 5-ditor. Por nepotizmi nuk ka kursyer as paradhomën e Genti Gazhelit. Ajla Petrela është sekretare e Gazhelit, ndërsa bashkëshorti Alban Fishka është doganier fizik në Doganën e Tiranës. E thënë më thjeshtë, Doganat duket se nuk janë një “çerdhe” ku punësohen dhe promovohen ata që kanë probleme me drejtësinë në vendet fqinje, por edhe nga dy persona nga e njëjta familje, duke shkelur kështu hapur ligjin e nepotizmit.