Në kulmin e Luftës së Ftohë, kur CIA dhe KGB ishin në ekspasion dhe konkurencë të fortë mes tyre, qarkullonte një histori me humor. Për të ulur vlerën e CIA-s, propaganda komuniste ruse tregonte se KGB ia zbulonte të gjithë agjentët rivalit të saj CIA-s. Po si? Lehtë fare: Në një rast, njeriun që e kishte dërguar në Moskë si agjent i fshehtë ishte një djalë me ngjyrë. Mjafton kjo që rusët e KGB-së të “vërenin” asnjë inteligjencë te inteligjenca amerikane. Kjo ishte e gjitha një barsaletë për të treguar supermaci, një stil tipik i asaj kohe. Por në fakt mes KGB-së dhe CIA-s, për afër 5 dekada u zhvillua një luftë reale brenda asaj që quhej Lufta e Ftohtë. Qindra agjentë të CIA-s amerikane u infiltruan në KGB-në ruse dhe anasjelltas nën rregullin se spiuni nuk duhet të ndodhet në qendër të ngjarjeve. Kulmi i spiunazhit ishte Kim Philby, sekretar i ambasadës britanike në Washington dhe shef i shërbimit britanik MI6 në këtë ambasadë. Ai i dha shumë materiale KGB-së, përfshirë edhe dokumente për operacionet e CIA-s në Shqipëri. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si kryeministër, Tony Blair e pranoi publikisht fiaskon e MI6 dhe CIA-s të asaj periudhe si një nga dështimet më të mëdha në historinë e këtyre dy shërbimeve aleate.
Vijmë pas më shumë se tri dekadash nga rënia e Perdes së Hekurt. Më 20 gusht 2022, Shqipëria u bë sërish lajm i parë në median botërore me histori spiunësh. Tre të rinj, dy rusët Mikhail Zorin 24 vjeç dhe Svetlana Timofleeva 33 vjeçe si dhe ukrainasi Fedir Alpatov 25 vjeç, u arrestuan të dyshuar si agjentë të shërbimit sekret të Rusisë FSB, pasardhësja e KGB-së së famshme dhe të frikshme. Ata po fotografonin ish-uzinën e armëve në Çekin të Gramishit dhe pas pengimit që i kanë bërë ushtarët roje, të rinjtë janë përleshur madje kanë përdorur edhe spry për tu dëmtuar shikimin. Alarmi përfshiu gjithë shtetin shqiptar nga qeliza më e vogël deri në kupolë dhe arrestimi i tre të rinjve me një makinë sportive i markës amerikane “Chevrolet” u trajtua si një histori spiunimi i FSB-së ruse, i barasvlefshëm me radiolojën e operacioneve të famshme “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit” në vitin 1949 deri në 1951. Pra, tre të rinj që nën petkun e turistëve synonin të vilnin të dhëna për një uzinë që dikur prodhonte armë dhe në mënyrën më të trashë u përleshën me ushtarët pasi ata i panë se po fotografonin. Por a duken spiunë tre të rinjtë me adrenalinën e eksploruesit urban dhe pasionit për të fotografuar një uzinë ushtarake të shndërruar në togje hekurishtesh? Versioni i parë zyrtar i dalë nga grupi hetimor të lë pa fjalë teksa theksuan:
“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri, me mision, të rekrutuar nga shërbimet inteligjente ruse”.
Një pjesë e medias shqiptare u tregua jo pak naive saqë i quajti të rinjtë një skuadrilje spiunazhi të dërguar nga shërbimi ushtarak rus GRU dhe ai i jashtëm SVR, derivate të FSB-së shrbimi sekret qendror i Rusisë famshme. Lehtësitë e etiketimit si agjentë mori dhenë në çdo gazetë, në çdo televizion dhe në çdo portal duke bërë që mes gazetarëve të shpërthente një konkurencë se cili do jepte më shumë detaje për agjentët duke i trajtuar ata sikur të ngjanin me agjentin e famshëm Claus Fuchs që teksa punonte në laborarorin amerikan në Los Alamos për prodhimin e bombës bërthamore i jepte KGB-së informacione se çndodhte atje. Për nder të mbiemrit të tij, në Shqipërinë e komunizmit fjala Fuchs mori konotacionin e një spiuni. Ishin aq të tendosur dy ministrat Niko Peleshi dhe Bledi Çuçi në konferencën për shtyp pas dy ditëve nga arrestimi i tyre saqë ndonënse u treguan të kujdesshëm për të mos artikuluar gabime në ato që thoshin përsëri lanë të kuptohej se ky ishte një rast agjenturash dhe nuk mund të trajtohej si një incident i tre aventurierëve të rinj që si blogerë apo pasionantë të fotografisë synonin të merrnin të dhëna për shërbimin sekret. Por të gjitha pikëpyetjeve dhe dilemave ua mbylli gojën vetë kreu i qeverisë Edi Rama teksa tha më 26 gusht:
“Mjegulla e ngritura mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë. Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte të rëndësisë së veçantë. Kanë statusin e SHPK-ve të falimentuara. Janë deri në pikën kur për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë dritat ju priten edhe dritat. Kanë disa roje për ta mbrojtur nga zaptimet. Të thuash që po bëhej spiunazh duke fabrikuar mbetjet e komunizmit është shumë qesharake. Ajo që duhet të na shqetësonte është këta persona çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë. Një mision spiunazh me veturë sportive e cila duket sikur thërret aman hajdeni dhe më kapni është qesharake”.
Po përse lajmi me tre të rinjtë mori jehonën e medias vendase dhe të huaj madje? Çfarë ishin këta të rinj që kishin pasion të shtuar për vizita në vende që ne shqiptarët i kemi harruar? A kishte vend për tu shqetësuar ndaj tre të rinjve që shkrepnin foto dhe çuditshëm u përleshën edhe me ushtarët roje? A mund të jenë agjentë të një shërbimit sekret disa që kryejnë veprime të këtij lloji dhe duke shkelur rregullin mw kryesor tw njw agjenti, atw qw nuk duhet tw jetw nw wendwr tw ngjarjes? Qesharakja arriti kulmin kur media raportoi dëshmitë e vetë “agjentëve”. Çdo gazetë dhe televizion raportoi pak a shumë këto fjali:
“Mësohet që 23 vjeçari rus, Zorin, student në Republikën Çeke, të ketë pranuar se është ngarkuar nga shërbimet inteligjente ruse për të fotografuar objekte ushtarake dhe të infrastrukturës kritike. Në ato që prokuroria i cilëson si “pajisje speciale elektronike të fotografimit” mësohet se janë gjetur dhe imazhe të disa veprave hidroenergjitike të vendit”.
Dhe të dhënat shtesë e ndërlikuan akoma më shumë historinë. Për dy të tjerët, ukrainasi Alpatov dhe rusja Timofleeva, media raportoi se kanë mohuar të jenë pjesë e shërbimeve të huaja inteligjente, dhe se kishin ardhur në Shqipëri për turizëm. 33-vjeçarja Timofleeva, e cila është spostuar me banim në Gjeorgji, pas konfliktit në Ukrainë, është një blogere, e njohur për foto nga objekte ushtarake, ndonëse me siguri të lartë. Në vitin 2012, fotografitë e saj nga brenda një fabrike raketash në afërsi të Moskës, patën jehonë jo të vogël.
E thënë me pak fjalë: Nëse do jenë spiunë, vërtetë këta duhet të jetë më të paaftët në historinë e spiunazhit. Veprimet e tyre por më shumë veprimet dëshmia e tyre se pranojnë se janë agjentë është edhe më qesharake se kaq. Për një javë opinioni u mbars me versionin e agjenturës dhe pas kësaj gjithçka u trajtua me një version pak më të zbutur. Pavarësisht se nuk mund të kalojë duke u qeshur e gjitha kjo, seriozja është gjetiu. Mua më shqetëson më shumë e vërteta e invazionit rus në Shqipëri nën petkun e turistëve. Por jo në stilin e këtyre tre tipave. Më shqetëson fakti që shumë prej tyre kanë blerë vila dhe apartamente në Shipëri, veçanërisht Sarandë. Dhe kjo është pothuajse e njëjtë me ekspasionin rus të blerjes së tokave, shtëpive, apartamenteve dhe bizneve në bregdetin e Malit të Zi. Mua më shqetëson fakti që disa portale duken hapur që kanë një qendrim të çuditshëm ndaj Rusisë. Mua më shqetëson fakti që disa gazetarë apo analistë të vetëshpallur kanë një trajtim jo normal të Luftës në Ukrainë dhe krimeve të kryer nga Rusia atje. Mua më shqetësojnë raste si një raport në media që bën fjalë për një ushtarak të lartë shqiptar që ka dhënë informacione sekrete zyrtarëve rusë të ambasadës në këmbim të shpenzimeve të studimeve për të birin. Vërtetë këto janë problem që nuk mund të kalojë as me të qeshur e as lehtësisht siç kalojnë tek ne. Pa disa blogerë aventurierë që argëtohen me lojra luftash janë shqetësimi më i vogël.
Sikur në një moment të imagjinojmë se vërtetë tre të rinjtë do rezultojë se janë spiunë të FSB-së. Mos o zot se do na bëhej një çështje ndërkombëtare! Rusia do na akuzonte se i kishim arrestuar agjentët e saj dhe kushedi se çdo kërkonte në këmbim. Tamam si historia e basketbollistes amerikane Brittney Grinner që u dënua me 10 vjet burg në Moskë dhe që në këmbim për lirimin e të cilës Rusia kërkon lirimin e disa agjenëtve të saj në SHBA. Çudia shtohet kur për tre të rinjtë e arrestuar në Gramsh nuk ka asnjë interesim dhe asnjë reagim nga Rusia. Unë jam i bindur që një ditë kjo ngjarje do futet te “funny story” me spiunë, tamam si ajo barsaleta propagandistike ruse për CIA-n. Në ndonjë libër do shkruhet se nuk kishte histori më qesharake kur në verën e vitit 2022 u servir si një operacion i shërbimit sekret rus për zbulimin e të dhënave për një uzinë ushtarake fantazëm në Çekin të Gramshit. Tamam si agjenti me ngjyrë i CIA-s i hedhur në Moskë gjatë Luftës së Ftohtë. Në rastin tonë do shkruhet se tre agjentë të Rusisë të maskuar si blogerë dhe turistë “loë cost” u hodhën në veprim në Shqipëri. Vetëm se bën një gabim të vogël: Po fotografonin pa droje një uzinë fantazëm, u përleshën me rojet ushtarake, u hodhën spry në sy dhe pasi u arrestuan teksa lëviznin me një makinë luksoze “Chevrolet” pranuan menjëherë që ishin agjentë rusë. Me këtë do gajasen të gjithë.