MENU
klinika

Studimi i panjohur i Agim Vincës

Epopeja e Ballit, e Musarajt, a Përqafimi i Dy Kundërshtarëve, e Hekuran Zhitit?..

03.08.2022 - 13:25

         Nga: Visar Zhiti / Pjesa e katërt

Pllaka të kujtesës dhe thasë…!

NË LUFTË DHE PASLUFTËS

Themeltar në letrat…!

Ernest Koliqi

(1903 – 1975)

Do të ikte…!

…mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit…u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës. Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…!

Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre…!

Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali, duke i’u mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje. Gjatë mërgimit të detyruar politik, Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon Katedrën e Albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe. Vdes papritur në dhjetor të vitit 1975, në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale.

Nacionalistë: Stavro Skëndi

(1905 – 1989)

…shqiptar tjetër i Ventotene-s, mik dhe ky me ideatorët e Europës së Bashkuar, i internuar si kundërshtar aktiv i pushtimit italian, që, me t’u liruar nga ishulli plot erëra i dhembjes, shkon të vazhdojë luftën për çlirimin e vendit, bashkohet me ‘Ballin Kombëtar’. Kishte studiuar në shkollën amerikane të Stambollit, në Robert College, (Gjej se aty më vonë është diplomuar dhe shkrimtari Orhan Pamuk, nobelisti i parë turk), pastaj kryen universitetin për studime ndërkombëtare në Gjenevë. Kthehet në atdhe dhe jep leksione në Shkollën Tregtare.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, bashkohet me frontin e ‘Ballit Kombëtar’. Komunistët nuk mund t’ia falnin kët;e, aq më tepër që ai ishte kundër revolucioneve, por për evolucionet, për zhvillimin shkencor dhe kulturor të Shqipërisë.

Shkon në SHBA në vitin 1946, punon në Columbia University, i përkushtohet Albanalogjisë, boton studime dhe libra për Shqipërinë, për ekonominë dhe politikën e izolimit, Rilindjen, alfabetin, poezinë e letërsinë më gjerë, në Ballkan, etj.

Jeta e tij përmbledh 8 dhjetëvjetësha të historisë së vendit, Shpalljen e Pavarësisë, mbretërinë, Luftën e Dyt:e Botërore, vendosjen e komunizmit, që ai e shikon si tragjedi kombëtare dhe emigracionin, veprimtaritë e diasporës. E trondit dhe e dëshpëron së tepërmi mbyllja e atdheut, shtypja që i bëhej intelektualëve dhe artistëve si gjithë popullit…! Vdes në Nju-Jork, atë vit kur do të shembej Muri i Berlinit dhe do të fillonte të binte perandoria komuniste dhe diktatura në atdhe.

Shkrimtari Isuf Luzaj

(1913 – 2000)

…shet tokën e vet me ullinj në Vlorë për të studiuar jashtë vendit, në Universitetin e Sorbonës në Paris, ku do të mbrojë dy doktoratura, në filozofi e në letërsi. Në atdhe punon në ‘Normalen’ e Elbasanit dhe në Liceun e Korçës. Përmbledhja e parë poetike e tij “Rrëfime” nuk arrin të shpërndahet, e ndalin edhe autorin nga shkaku i poezisë “Neroni”.

Si kundërshtar aktiv, e shpërngulin në Itali në ishullin e të dënuarve, Ventotene. Me ndërhyrjen e Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit, lirohet nga burgu dhe rikthehet për t’u bashkuar me nacionalistët, që luftonin për çlirim, por kur kishte nisur vëllavrasja dhe pabesitë. Pasi humbin, me të mbaruar lufta, ikën duke lënë familjen, por në Itali e dënojnë, akuza: dyshime për vrasje e një gjenerali italian gjatë luftës. Me ndihmën e Sandro Pertinit. Presidenti i ardhshëm i Italisë, me të cilin ishin njohur në Ventotene, punon në Bibliotekën e Vatikanit.

Fati i tij që në Argjentinë kërkohej një profesor filozofie me diplomën e Sorbonës. Do të njihej me shkrimtarin Jorge L. Borges. Mbas 18 vjetësh punë atje, e ftojnë në SHBA, ku e zgjedhin kryetar të ‘Ballit Kombëtar’ në Kongresin e Nju-Jorkut.

Isuf Luzaj, krahas titullit “Professor emeritus”, merr edhe dekoratën “Profesor i Amerikës”, të cilën ia jep vetë Presidenti Regan. Mban leksione në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshirë, Indiana etj. Emërohet titullar katedre i 87 profesorëve në Universitetin e Illinoisit. Ka lënë në dorëshkrim edhe 32 vëllime, poezi, filozofi, histori, ditarë, romane etj., të gjitha të panjohura në atdhe, por edhe të dënuara të gjitha.

“Histori e Shqipnis”

Tajar Zavalani

(1903 – 1966)

Zavalanët njiheshin si fis i shquar me tradita atdhetare në qytetin e Manastirt, në Maqedoni, por të Veriut siç quhet sot me këmbënguljen e grekëve, ndërsa ne, lehtësisht mund t’i themi Maqedonia e Jugut…! Në fillim të shekullit të kaluar, shkolla shqipe s’kishte dhe babai i Tajarit, kryeredaktor i gazetës “Bashkimi i Kombit” që dilte në qytet (1907), e çoi Tajarin e vogël në shkollën franceze, të hapur nga misionarët katolikë, “Vëllezërit Maristë”. Ndërkaq shqipen ia mësonte njëri nga familja e Qiriazëve, që më vonë do të hapnin në Korçë të paren shkollë shqipe femërore shqip. Gjatë Luftës së Parë Botërore, pasi francezët bombarduan dhe dogjën Manastirin, Tajari shkon në Selanik dhe vazhdon studimet dhe do të jetë “laureati më i ri në universitetet franceze”. Më 1922 vjen në Tiranë për të filluar punë në Ministrinë e Jashtme dhe emërohet Sekretar i Legatës Shqiptare në Romë dhe kontaminohet me idetë komuniste Dhe shkon në Bashkimin Sovjetik në vitin 1925, për të studiuar shkencë dhe politikë. Bëhet anëtar në Grupin Komunist Shqiptar, ka pseudonimin “Zoniev”.

Në Rusi i pushkatojnë vëllanë, Hysen Zavalanin, e përfshijnë “ngjarjet antistalinistev të vitit 1937-38 në Saratov”. Tajari ndërkaq kishte ikur Zvicër dhe kthehet te i ati në Selanik si një antikomunist. Në Shqipëri që viti 1933 punon si gazetar dhe përkthyes, kur po shkëlqenin shkrimtarët Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Migjeni, Branko Merxhani, Petro Marko, Vedat Kokona, etj., dhe dilnin gazetat dhe revistat “Illyria”, “Minerva”, “Bota e re”, “Përpjekja shqiptare”, “Koha e Re”, “Besa”, “Shtypi”, “Shkëndija”, “Leka”, “Vatra”, “Rilindja”. Gjithë kjo begati jo veç titujsh, por dhe idesh e mendimesh moderne. Tajar Zavalani me të shoqen internohen në Itali, sepse ai kishte përkthyer romanin “Nëna” të Gorkit dhe jo vetëm, por ata arratisen në Francë dhe më pas shkojnë në Angli. Qysh në vitet e Luftë së Dytë Botërore, Tajari në Londër fillon punë në Radio BBC, në Seksionin Shqiptar të Shërbimit për Europën dhe mban një sërë konferencash mbi Shqipërinë.

Do të jetë anëtar i PEN Clubit, të themeluar nga shkrimtari nobelist Xhon Gollsuorthi për, të mbrojtur shkrimtarët nga persekutimi dhe dënimet dhe do të zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Pen Clubit të Shkrimtarëve në Mergim, të atyre që vinin nga vendet e robëruara dhe në revistën që nxirrnin, “Arena”, do të botonte letërsi shqipe, do të përkthente dhe nga Gjergj Fishta. Në Komitetin e Kombeve të Robëruara (ACEN) do të jetë delegat i Komitetit Shqiptar, detyrë që mbajti deri në fund të jetës. Po ai i takon më së shumti botës së librave, përkthimit, ku është themeltar. Ja, ç’solli ai në shqip, me radhë: “Sonata e Krojcerit” dhe “Ana Karenina” të Tolstojit, “Novelat” e Çehovit, “Nëna” e Gorkit, “Zonja me kamelje” e Alekasandër Dymas-birit, “Tartarini e Taraskoni” i Alfons Dode, “Gobseku” i Balzakut. La në shtyp, kur po ikte nga Shqipëria “Jeta e Napoleonit” e E. Ludwig, e pjesën shqip nga “Larousse”, etj.

Në mërgim përktheu nga rusishtja në frëngjisht librin e kolonelit G.A.Tokaev “Kujtimet e mia mbi parajsën e Stalinit” (Mes memoires – Le Paradis de Stalin), që u botua në Paris më 1957. Dhe nxori librin në gjuhën angleze “How strong is Russia?” (“Sa është e fortë Rusia?”, ku i tregoi botës se “Ariu i bardhë” nuk është aq i rrezikshëm sa ç’duket apo hiqet, se Rusia sovjetike nga brenda është e dobët gjithandej, Puna e gjerë e Zavalanit mbart vlera letrare e gjuhësore, është e begatë në leksik, morfologjia aty ndërthur dialektin e toskërishtesh me trajta të gegërishtes, ajo “ue”-ja foljore kumbon si muzikë elegjiake për diktaturën që do te binte më pas dhe mbi gjuhën.

Si vepër origjinale, me rëndësi të madhe e të veçantë mbetet “Histori e Shqipnis”, monument me dy vëllime, të botuara shqip në Londër, ku përfshihen kohët që nga ilirët e deri te pushteti i komunistëve dhe mbaron me vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, deri kur Tajar Zavalani vdes, në 1966, pikërisht kur doli dhe vepra…! Kjo kryepunë ka thellësitë e mjegulluara të së kaluarës së largët dhe largpamësinë e qartë për të ardhmen si epilog: “Do të vijë dita, herët a vonë, kur edhe demokracia do të triumfojë mbi diktaturën komuniste dhe do të krijohen kushtet për të bashkue Shqiptarët brenda kufijve etnikë të atdheut të tyre mijëvjeçar”, – kështu e mbyll historinë e tij eruditi i shkëlqyer europian, Tajar Zavalani ynë, që dhe vetë u bë “Histori e Shqipnis”..

* * *

…do të iknin dhe të tjerë nga ata që po bënin histori dhe që e shkruanin ndërkaq historinë, luftëtarë, patriotë të lartë, kryeministra, ministra, shkrimtarë, shkencëtarë, antropologë, mendimtarë, gazetarë, etj, po boshatisej…Mehdi bej Frashëri, At Zef Valentini (Italian), Branko Merxhani, Ago Agaj, Kol Bib Mirakaj, Abaz Ermënji, Namik Resuli, Sejfi Protopapa, Kadri Cakrani, Xhelal Koprenca, Mentor Çoku, Tahir Kolgjini, Reshat Agaj, Ismail Boçari, Gjon Sinishtaj, etj.…! Po drejtori i parë i Bibliotekës Kombëtare, kush ishte, Karl Gurakuqi? Do të ikte dhe ai Tmerri u kishte hyrë dhe librave…!

…të dënuar me vdekje në atdhe, do të iknin ku të mundnin, në Itali, Turqi, Egjipt, në asgjëkund, sa më larg të keqes, në Francë, Angli, SHBA… që të luftonin të lirë dhe ndryshe nga kudo, të shkruanin…! Nuk do të ktheheshin dot, në një atdhe pa liri, dhe ata që kishin mbetur jashtë, piktorët e njohur Ibrahim Kodra, Lin Delija, fotografi me famë botërore Gjon Mili, studiuesja dhe shkrimtarja Nermin Vlora Falaschi, etj. Dhe do të vazhdonin arratitë…!

Misionarë të mëdhenj të besimit…

Fan Noli, mërgon në SHBA, kryepeshkop që do të shërbente në Boston, që do të shpallte Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, poet dhe përkthyesi gjenial i Shekspirit, Kahjamit, Servantesit, etj, muzikant dhe orator… dhe nuk do të donte të kthehej kurrë më (thotë korbi: “never more”) në atdheun ku kishte qenë dhe deputet dhe kryeministër, që e la në lëngatë nën diktaturën komuniste, edhe pse më parë ishte i dhënë “pas bolshevizmës”, por i penduar…! Bashkë me Faik Konicën anë themeltarë të “Vatrës” së shqiptarëve në SHBA, në ndihmë të çështjes kombëtare..!

Baba Rexhepi

….mërgon në SHBA, kreu i Bektashianëve, i dënuar me vdekje në atdhe si kundërshtar nga fitimtarët që do të vendosnin regjimin komunist. Në Boston do të ngrinte teqenë e parë, mik i Fan Nolit, që të mblidhte dhe ai shqiptarët pa dallim, për të mbajtur gjallë zjarrin e atdhedashurisë.

Nënë Tereza

….vajza me emrin e bukur Gonxhe Bojaxhiu, murgesha katolike shqiptare, që do të ikte larg, shumë larg në Indi dhe do të bëhej ‘Nënë Tereza e Kalkutës’, gruaja më e njohur e planetit, në shërbim të më të varfërve të të varfërve kudo, që do të merrte dhe çmimin ‘Nobel’ për Paqe, por nuk do ta lejonin të futej në Shqipëri, as që të takonte nënës e saj në Tiranë, si misonare jo dhe jo se shikohej si e ikur, si agjente e Vatikanit. Ajo do t’i lutej Zotit vazhdimisht dhe për Shqipërinë.

“BIBLIOTEKA E MËRGIMIT”

Ikje e dhëmbëshme dhe rrënuese. Iknin krerët. Kishin ikur dhe para 500 vjetësh kështu arbëreshët, eksod si në Bibël, se pas vdekjes së Udhëheqësit të Kombit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kështjellat po binin një nga një dhe perandoria otomane po pushtonte atdheun. Ishte si një murtajë pa mbarim…! Dhe tani prapë një murtajë tjetër. Perandoria komuniste po gllabëronte sërish. Duke patur qendrën në të ftohtin e saj të madh, ajo ishte një perandori akullnaje. Dhe iknin krerët e vendit përmes erërave drejt Perëndimit…!

Lufta e tyre do të ishte me libra. Me kujtesë dhe dije. Dhe me shpresë te Zoti. Dhe do të krijohej ajo që në botimet jashtë vendit, të ndaluara në Shqipërinë socialiste, do të quhej aq mallëngjyeshëm “Biblioteka e Mërgimit”. Eruditi europian, Tajar Zavalani, në veprën e rëndësishme, por të lënë në harresë, “Histori e Shqipnis”, (botuar në Londër në vitin 1966, me ballinat e kuqërremta e me shqiponjën e zezë të Skënderbeut në krye, që gjendet më së shumti në Bibliotekat e Mërgimit, ndër të ikurit në SHBA…), në volumin II të veprës, me ato fletët e zverdhura, në faqen 306, shkruan:

“Arësimi i bazuem në dogmat e marksizmit-leninizmit asht i papajtueshëm jo vetëm me zbulimet e shkencës moderne por edhe me faktet e historisë kombëtare qi vejnë në pah sukseset e nacionalizmit shqiptar. Për komunistët lufta kundër nacionalizmit kishte fillue gjatë okupatës së huej dhe vazhdoi mbasi ata erdhën në fuqi. Dita e Flamurit u zavendësue me ditën e nesërme për të kremtue “fitoren e komunistëve” nëpërmjet lëvizjes Nacional Çlirimtare. Flamuri i Skëndebeut u bastardue tue i ngjitë hyllin e verdhë të Sovjetve. Kryeveprat e letërsisë kombëtare, si Lahuta e Fishtës, u ndaluen të lexohen në shkollat ose privatisht. Veprat e Leninit dhe Stalinit, poezit dhe romancat e shkrimtarëve rus në shërbim te partis bolshevike, u banë landë leximi te detyrueshëm për shqiptarët pleq dhe të rinj.

DY POEMA SIMBOL

Thirrja e bashkimit, v.s. Satira e përçarjes.

DY KUNDËRSHTARËT

“EPOPEJA E BALLIT KOMBËTAR”

Luftë, e dyta e botës. Dhe u botuan dy poema në Shqipërinë e vogël, për luftën dhe ato, por të ndryshme në shumëçka, në frymë e përmbajtje, në apelin e tyre e deri dhe në fatin e autorëve. Të përbashkët kishin “Ballin Kombëtar”. Që të dyja u shpërndanë dhe si trakte gjatë Luftës. E para duhet të jetë ajo e Hekuran Zhitit, “Dy kundërshtarët”, elegji e botuar në disa gazeta, e gjejmë te “Lajmëtari i Lirisë – Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944. E dyta është “Epopeja e Ballit Kombëtar”, satirë e shkrimtarit Shefqet Musarai, e cila u bë shumë e njohur pas Luftës duke u ribotuar herë pas here dhe futur në të gjitha tekstet shkollore. Autori i saj, nga partizan, u bë shkrimtar i realizmit socialist. Autori i së parës, veprimtar i ‘Ballit Kombëtar’, e pësoi keq, edhe prej poemës, pas Luftës ai u arrestua, u përndoq, etj., dhe poema u zhduk dhe u harrua. S’e dimë a janë njohur njëri me tjetrin dy autorët “kundërshtarë”, por sigurisht duhet t’i kenë lexuar këto dy poema të njëri-tjetrin.

Poema “Dy kundërshtarët”, është tragjedi e vëllavrasjes, s’kish si të ishte ndryshe në kohë lufte, me vargun vajtimtar 10 dhe 11 rrokësh, me rimat e puthura AA, si vetë përafria që kërkonte, kur shqiptarët ishin të përçarë në luftë civile mes partizanëve me ballistët. Aq shumë jehonë pati poema, sa ajo u dramatizua duke marrë emrin “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, ajo që mungonte dhe u shfaq në shumë skena të qyteteve tona, deri dhe në kryeqytet, në Kinema “Kosova”. Ajo ishte një thirrje e dëshpëruar për bashkim, se duke vrarë njëri-tjetrin, kemi vrarë Nënën Shqipëri.

Poema “Epoja e Ballit Kombëtar” është një satirë në kohë lufte, me varg popullor 5-6 rrokësh, me rimat e ABCB, që gudulisin duke përgjakur ndërkohë si maja thikash, vihet në lojë Organizata e Ballit Kombëtar dhe eksponentët e saj, personalitete të kombit, duke i përtallur ata me mjetet që lejon një poemë satirike. Dhe kjo poemë u dramatizua vonë nga teatri i shtetit të fitimtarëve dhe botimet luksoze u ilustruan dhe me karikatura, kurse poema tjetër, e harruar, ndërkaq ishte dërguar në fabrikë të letrës për t’u ricikluar në karton të bardhë. Ndonjë punëtor guxoi ta nxjerrë nga dhëmbët e makinerisë, e fshehu dhe ua dha familjarëve të autorit, kur diktatura ra.

U vu sërish në skenën e teatrit, ku autori kishte punuar si aktor dhe u ribotua ë librin postum me poezi. Një piktor kompozoi tre tablo të mëdha nga poema. Edhe veprat ashtu si njerëzit qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Si paraprirëse ndjesish të dy fronteve të poezisë së mëvonshme, të asaj të fitimtarëve, plot bujë dhe festa dhe e një tjetre, e fshehtë, e nëndheshme, e pakët dhe plot natë…!

Poeti dhe studiuesi, Profesor Agim Vinca në veprën “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)”, Prishtinë 1997, në kapitullin “Poezia si akt moral”, shkruan:

“Një krijim interesant i kohës së luftës, antipod i poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt, mund të konsiderohet poema “Përqafimi i dy kundërshtarëve” e Hekuran Zhitit… Kjo poemë (…) luftën dhe antagonizmat e saj në Shqipëri nuk i sheh në planin ideologjik dhe politik, por në atë kombëtar.

…Autori e parandjen se përçarjet dhe vëllavrasjet që filluan gjatë luftës do të vazhdojnë dhe pas saj… vargjet ku apostrofohen ato, janë ndër më të bukurat e poemës: “Si i ngjau Kosovës dhe Çamërisë së shkretë,/ Ëndërruan lirinë, u bënë ëndërr vetë”. Historia e letërsisë duhet t’i pranojë të dy poemat, si poema dhe si tregues të një kohë, në mirëkuptimin e tanishëm ashtu siç janë dhe pasardhësit e autorëve.

KUR PO ÇLIROHEJ KRYEQYTETI, MASAKËR…

…ende pa u çliruar Shqipëria nga pushtuesit nazi-fashistë, fitimtarët e afërt po vazhdonin vrasjet dhe pushkatimet.

Trokit në shtëpitë e intelektualëve të Tiranës dhe zbrazu breshërinë e plumbave mbi gjoks.…po luftohej për të marrë kryeqytetin, Tiranën, – kam shkruar në librin tim, “Lajmëtarë të Europës. Antologji e të vrarëve”,

19 a 20 ditë luftime. Brigadat partizane, I, VIII, IV, etj, hidheshin në sulm, luftë frontale me nazistët gjermanë, nga lagjja në lagje, ndërtesë pas ndërtese, trup më trup. Tanket gjermane para Xhamisë së Vjetër, minarja e së cilës ra, pranë shitores “Zingoni” villnin zjarr…! Dhe duke përfituar nga shiu i madh dhe terri i 16 nëntorit, 3.000 gjermanë, makineria e tyre e blinduar, morën udhën drejt Veriut dhe më 17 nëntor, Tirana gdhiu e çliruar…!

…trokitje të forta dyerve, shqyerje të tyre…partizanët… e pa besueshme, nuk po kërkonin gjermanë të fshehur, nëse kishte, por… intelektualë… emrin?… ejani me ne… lëri fjalët!… ejani… ku, mos duhen për përkthyes, për ndërmjetësa, për… festën e fitores, të përgatiteshin fjalime… edhe 5 ditë e do të çlirohej kryeqyteti… ku po i çojnë, ku… ja, gazetari Nebil Çika, botuesit Muntaz dhe Vesim Kokalari, vëllezër të shkrimtares Musine Kokalari… ja dhe… s’janë komunistë, jo… u bënë shumë… 15… 19… 20… më shumë… me urdhër të Enver Hoxhës… të shokëve të tij… armiqësi… xhelozi… s’po i çojnë në burg, jo, por në Hotel “Bristol”… atje ku ka bujtur dhe Ajnshtajni, para se të shkonte në SHBA, mori pasaportë shqiptare ai, thonë, e këtu u mbrojtën hebrenjtë, nuk u dorëzua asnjë, madje erdhën të tjerë nga Ballkani, Europa, gjetën strehë e bukë këtu… qeveria shqiptare… besa, Kanuni, miku, tjetri… duan nderuar e mbrojtur. Po me këta tanët, intelektualët e njohur, ç’do bëjnë, pse i çuan në bodrum… i mbyllën… dhe…!Memorie.al