MENU
klinika

Rishikohet buxheti i shtetit

Gati paketa e dytë e rezistencës sociale

09.08.2022 - 12:44

Rishikohet për herë të dytë buxheti i shtetit, duke shtuar pritshmëritë për të ardhurat. Në aktin normativ për rishikimin e buxhetit thuhet se deri në fund të vitit do të mblidhen 576 miliardë e 831 milionë lekë, nga 546 miliardë e 811 milionë lekë që ishte parashikuar në aktin e parë normativ që u miratua në mars të këtij viti. Pritshmëritë për të ardhurat janë rritur me mbi 30 miliardë lekë.

Edhe totali i shpenzimeve të planifikuara është rritur nga 647 miliardë e 694 milionë lekë, në 660 miliardë e 694 milionë lekë duke pësuar një rritje prej 13 miliardë lekësh. Si pasojë e rritjes së të ardhurave në raport me shpenzimet Ministria e Financave ka rishikuar edhe nivelin e deficitit buxhetor duke e ulur me mbi 17 miliardë lekë, nga 100.8 miliardë lekë që ishte parashikuar në 83.8 miliardë lekë.

Në këtë akt normativ është rishikuar fondi i kontigjencës për paketën e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës. Nga 6 miliardë lekë që ishte paketa e parë, në këtë akt normativ është parashikuar shtimi edhe me 6.1 miliardë lekë për këtë zë duke e çuar në total 12.1 miliardë lekë. Me këtë shtim të buxhetit i hapet rruga miratimit të paketës së dytë të rezistencës sociale. Në akt specifikohet se 1 miliardë e 670 milionë lekë të këtij fondi do të përdoren për kompensimin e ndërtuesve që kanë kontrata publike për çmimet e rritura të materialeve të ndërtimit.


Ndërsa pjesa tjetër e fondit të kontigjencës, do të ndahet sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave se për cilat sektorë apo kategori do të përdoret.

TË ARDHURAT
Ishte 546,8 mld lekë
Bëhet 576,8 mld lekë
Diferenca +30 mld lekë

SHPENZIMET
Ishin 647,6 mld lekë
Bëhen 660,6 mld lekë
Diferenca +13 mld lekë

DEFICITI BUXHETOR
Ishte 100,8 mld lekë
Bëhet 83,8 mld lekë
Diferenca -17 mld lekë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN