Kolaudimi për mjetet e vjetra mund të rikthehet sërish një herë në vit, si një masë për të rritur sigurinë rrugore.
Prej 1 viti e gjysmë, ndryshimet në kod e kanë bërë kontrollit teknik të detyrueshëm për makinat vetëm çdo dy vjet. Por masa që u mor për të shmangur radhët dhe shqetësimin e drejtuesve, krijoi edhe neglizhencë në mirëmbajtje.
Drejtori i përgjithshëm i DPSHTRR, Blendi Gonxhja, deklaron se do të shihet gjendja e makinave që rikthehen në kolaudim dhe më pas do të vendoset nëse mund të rritet shpeshtësia e kontrolleve për një kategori të caktuar.
Çdo vit, flota e automjeteve në vendin tonë rritet me 40-50 mijë makina dhe mjete të tjera. Gonxhja nuk përjashton mundësinë e liberalizimit të shërbimit të kolaudimit në të ardhmen, me kushtin që të ruhen standardet e kontrollit.
Shërbimi i kontrollit teknik iu rikthye shtetit vitin e kaluar pas një koncesioni 11-vjeçar. Kompania koncesionare u akuzua për moszbatim të disa kushteve të koncesionit, si dorëzimi në gjendje pune i pikave të kontrollit teknik, duke detyruar shtetin të bënte një ndërprerje të përkohshme të këtij shërbimi.
Megjithatë, kontrata e hartuar në disfavor të shtetit, e bën të pamundur ndjekjen ligjore të këtyre shkeljeve.