MENU
klinika

Poeti martir

I dënuar për lirinë…

10.08.2022 - 13:25

          Për poetin e një brezi të dënuar për të jetuar në liri, burgu i qytetit e tij, në veriperëndim të Kukësit, nuk ishte një përvojë e panjohur për Havzi Nelën. Dy dekadat e fundit të jetës, ai i kaloi pothujase pas hekurave.

Nëntë muaj më parë, në nëntorin e vitit 1987, ai mori stilolaps e letër dhe shkroi disa vargje, për një poezi të quajtur “O liri, o vdekje”.

“Le të kënaqet hasmi,

le të qeshë i marri!

Liria më thërret,

vdekja nuk më tund.”

Poeti e mbyllte kështu kushtrimin…. Nela, në atë kohë 54 vjeç, u var në rrugën kryesore të qytetit, mëngjesin e 10 gushtit 1988, pasi gjykata refuzoi apelin ndaj dënimit me vdekje.

Havzi Nela ishte i fundit poet, që u ekzekutua në Shqipërinë komuniste.

“Unë kam mendimet e mia”

Ky 10 gusht shënon 34-vjetorin e vdekjes së poetit të njohur shqiptar, Havzi Nela, i cili ra viktimë e diktaturës komuniste në Shqipëri, duke u varur midis qytetit.

Havzi Nela, është një ndër të paktët shkrimtarë disidentë, që guxoi të shprehej kundër regjimit, në Shqipërinë e një periudhe të errët.

E gjithë jeta e tij ka kaluar mes peripecirash të panumërta, midis burgut, internimeve, arratisjen për një kohë të shkurtër në Kosovë nën ish-Jugosllavi, kapjes nga policia jugosllave dhe rikthimit në burgjet komuniste në Shqipëri dhe në fund, dënimi me varje në mes të qytetit të Kukësit.

Që kur ishte adoleshent në shkollë të mesme në Kukës, Havzi Nela shfaqi kundërshtitë e para ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Ndër varfërisë ekstreme në të cilën jetonte dhe persekutimit, ai arriti të gjente punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit. Por, nuk do kalonte shumë kohë që Havzi Nela të dëbohej edhe nga ky fshat si armik për shkak të “aktivitetit të tij të dyshimtë” duke qënë se i lexonte vjersha të ndaluara nxënësve të tij. Me datë 26 prill 1967, Havzi Nela dhe gruaj ae tij rrezikuan jetën e tyre duke kaluar ilegalisht kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës (nën Jugosllavi atë kohë), ndërsa me pezmatim në zemër për ditët e errëta që kalonte atdheu i tij nën regjimin komunist, ai do të linte një letër në të kaluar të kufirit:

“”Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun…” duke e vendosur në degën e një peme.

Por, fati tragjik e ndjek poetin kuksian dhe gruan e tij edhe në Kosovë, ku vetëm pak ditë pas kalimit të kufirit, ato arrestohen nga policia jugosllave, të cilët do t’i rikthenin sërish në Shqipërinë komuniste. Menjëherë pas rikthimit, poeti dënohet me plot 50 vite burg. Por, Havzi Nela kurrë, edhe në burgjet famëkeqe komuniste, nuk u përthye dhe nuk rreshti kurrë së urryeri “Partinë” dhe kriminelat e saj. Në vitin 1988, poeti shpirtlirë kuksian u dënua me varje dhe kjo ndodhi në mes të qytetit të tij të lindjes.

Një prej poezive më të emocionuese të tij, mbeti edhe testamenti i një të dënuari sepse ishte i lirë… s

Kur të vdes

Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”