MENU
klinika

I riu nga Lushnja e kishte marrë peng

Ishte shpallur e humbur, gjendet 30-vjeçarja nga Durrësi

02.08.2022 - 10:30

Policia e Durrësit ka njoftuar se 30-vjeçarja Ersida Dyrmishi, e cila ishte shpallur e humbur pasi prej datës 25 korrik ajo nuk ishte kthyer në banesë, është gjetur.

Foto e publikuar ne rrjetet sociale nga miqte e Ersida Dyrmishit qe kerkonin ndihme per gjetjen e saj

Në një njoftim për mediat bëhet me dije se ajo dhe bashkëshorti i saj, i janë drejtuar Komisariatit të Policisë mbrëmjen e djeshme për të denoncuar një të ri nga Lushnja si personi që i kishte hequr lirinë këto ditë, kërcënuar dhe përdhunuar.

Teksa nuk dihet si ka arritur të lirohet nga duart e pengmarrësit, e reja ka denoncuar në polici se është mbajtur peng në një hotel përgjatë këtyre ditëve, është përdhunuar dhe kërcënuar me jetën e familjarëve të saj.

Sakaq, policia thotë se ka arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin M. M., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Ai tani akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.

Njoftimi nga Policia Durrës 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”, shtetasin M. M., 32 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas kallëzimit të shtetasve T. D., 36 vjeç dhe E. D., 30 vjeç (bashkëshortë), banues në Durrës, të cilët mbrëmjen e djeshme kanë denoncuar se shtetasi M. M. i ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme shtetases E. D., duke e mbajtur me forcë për disa ditë në një hotel, e ka detyruar për të bashkëjetuar dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj.

Shtetasja E. D. ishte shpallur e humbur, pasi më datë 25.07.2022, në Komisariatin e Policisë Durrës, bashkëshorti i saj, shtetasi T. D. ka kallëzuar se ajo ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.