Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me dy të vdekur në Panaja të Vlorës, ku viktimë mbetën Shpati Lena dhe Haki Xhezo.
Autorët e ngjarjes kanë qenë 3 persona, të cilët besohet se i kanë ndjekur viktimat për disa kilometra dhe sapo janë afruar pranë mbikalimit të Panajasë, i janë shfaqur në krah duke hapur zjarr me breshëri kallashnikovi.
Gazetari Enrik Mehmeti ka mësuar nga burime të policisë se një prej autorëve ka dalë nga makina fillimisht dhe ka qëlluar sërish në drejtim të “Benz-it” të viktimave, ndërsa pak më pas ka dalë edhe qitësi i dytë duke u siguruar se vrasja ishte kryer me sukses.
Ndërkohë bëhet me dije se goditjet kanë qenë aq shumë preçize sa kanë qenë të përqendruara në xhamat e automjeteve dhe janë derdhur gati 60 fishekë.
“Është ende e paqartë nëse Shpati Lena ka qenë i ulur para apo pas në rolin e pasagjerit, pasi ai prej kohësh lëvizte me automjet të blinduar. Gjithsej kemi parë vetëm tre plumba në pjesën metalike të automjetit, dhe gjithë të tjerët në xhamin e përparmë dhe xhamat e tjerë. Pista që po hetohen janë edhe konfliktet që mund të kenë pasur kohëve të fundit, por edhe prishja e pazareve të drogës”, zbulon gazetari.
Automjeti ka qenë me xhama të zinj në pjesën e pasme dhe këto dy xhama nuk janë shkërmoqur nga precizoni i plumbave prej faktit se ishin veshur me plastmasë, ndryshe nga çka ndodhur me xhamin e përparme të makinës dhe atë të dyerve të para.
Ajo ç’ka bie tërheq vëmendjen nga vendngjarja sipas gazetarit Enrik Mehmeti është fakti se policia nuk ka gjetur asnjë gëzhojë arme dhe se Shpati Lena udhëtonte me makinë të blinduar në përditshmëri dhe nuk ekspozohej shumë në Vlorë pas vrasjes së Arben Beqirit në 2019.
“Autorët dyshohet se kanë pasur informacion shumë të saktë për lëvizjen e tyre. Sepse vetë Shpati Lena ruhej jashtëzakonisht shumë, por edhe para se të arrestohej këtë vit nuk ishte shfaqur asnjëherë në publik. Vetëm pas arrestimit qëndroi për disa ditë në paraburgim. Ai jetonte në Vlorë, në lagjen “24 Maji” ose siç njihet ndryshe si lagjja “Çole”. Vetëm pak kohë më parë ka humbur të ëmën dhe ka shkuar me vështirësi në funeralin e saj, pra nuk lëvizte shumë, dhe përpiqej të mos ekspozohej. Lëvizja në ditën e sotme që nuk hyn në automjetet e sigurta për një person që i ruhet atentateve është e dyshimtë. Është një automjet që ka një vlerë të mundshme 5 mijë euro dhe ndoshta nuk e mendonin këtë lloj atentati”, shtoi ai më tej në një raportim live nga mbikalimi i Panajasë, për News24.