“Ekonomia juaj do të përballet me pasoja shkatërruese”- e paralajmëroi presidenti amerikan Joe Biden homologun e tij rus Vladimir Putin në lidhje me sanksionet që do të vendosnin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën.
Gjithsesi kur Putin e pushtoi Ukrainën, sanksionet e vendosura ishin shumë të ashpra. E megjithatë Putin nuk është tërhequr. Dhe ai është kundërpërgjigjur me sanksionet ruse ndaj Perëndimit. Tani afro 6 muaj nga fillimi i luftës, që ka hyrë tashmë në fazën e saj të tretë, kush po e fiton luftën e sanksioneve?
Faza e parë, sanksionet si një element kryesor parandalues, nuk pati sukses. Vizioni i Rusisë së Madhe dhe besimi i Putinit se fitorja e tij ishte e afërt – mos harroni që ushtarët rusë mbanin në çantat e shpinës uniformat e paradës – mund të mos e kenë shqetësuar dhe aq.
Por edhe nëse ai nuk do të ishte plotësisht i vendosur për ta pushtuar Ukrainën, ne e dimë nga raste të tjera se ndërsa kërcënimet me sanksione kanë pasur njëfarë suksesi për objektivat e kufizuara të ndryshimit të politikave, ato nuk kanë qenë në gjendje të frenojnë agresorë të vendosur që të shkojë në luftë.
As ish-diktatorin italian Benito Mussolini nga pushtimi i Etiopisë në vitin 1935, as ish-udhëheqësin irakian Saddam Hussein nga pushtimi i Kuvajtit në vitin 1990, dhe as Bashkimin Sovjetik nga pushtimi i Afganistanit në vitin 1979. Faza e dytë, sanksionet gjithëpërfshirëse që u vendosën kur Rusia e nisi pushtimin, synonte t’i shkaktonte Rusisë kosto të mjaftueshme, të cilat bashkë me mbështetjen e NATO-s për rezistencën ukrainase do ta detyronin Putinin të tërhiqej.
Sanksionet financiare e shkëputën Rusinë nga pjesa më e madhe e sistemit financiar ndërkombëtar, duke përfshirë ngrirjen e afro gjysmës së 640 miliardë dollarëve që mbahen jashtë si rezerva në valutë të fortë. Teknologjitë si gjysmëpërçuesit, tejet jetike si për pajisjet ushtarake, ashtu edhe për produktet tregtare si celularët dhe makinat, u përfshinë në paketën e sanksioneve.
Në dallim nga raste të tjera, më shumë se 1000 kompani shumëkombëshe i dhanë fund – ose e reduktuan ndjeshëm – biznesin me ose brenda Rusisë. Mbi 600 oligarkë dhe pjesëtarë të elitës ruse, përfshirë Putinin dhe familjen e tij, janë sanksionuar individualisht. Përjashtimet nga të gjitha ngjarjet sportive dhe kulturore – Kupa e Botës (si për meshkuj ashtu edhe për femra), Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull, Formula 1 dhe Eurovizioni – u përpoqën të nxisin ndjenjën e izolimit tek rusi i zakonshëm.
Edhe pse nafta dhe gazi natyror janë veçanërisht strategjikë për ekonominë ruse, dhe prodhimi i paraluftës siguronte rreth gjysmën e buxhetit federal dhe 1/3 e PBB-së së vendit, sanksionet kanë qenë më të ngadalta në hyrjen e tyre në fuqi dhe më të kufizuara, kjo duke pasur parasysh varësinë energjetike të atyre që po i zbatojnë ato.
Paketa e përgjithshme e sanksioneve, pati një ndikim të konsiderueshëm ekonomik. PBB ruse po pëson rënien më të madhe që nga vitet kaotike 1990. Në muajin mars, rubla humbi afër gjysmën e vlerës së saj, nga 84 rubla në 154 rubla për 1 dollar. Në mesin e prillit, kryebashkiaku i Moskës paralajmëroi se ishin në rrezik të paktën 200.000 vende pune.
Inflacioni iu afrua nivelit 18 për qind, duke qenë edhe më i lartë në sektorët më të varur nga zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar. Në kushtet kur rezistenca e Ukrainës po shkatërronte kaq shumë pajisje luftarake, dhe sanksione i pengonin përpjekjet për furnizim, forcat ruse të vijës së parë po përballeshin me mungesa. Por siç bëjnë shpesh vendet e sanksionuara, edhe Rusia i është drejtuar 3 strategjive kryesore të mbrojtjes nga sanksionet, për t’i frenuar kostot: partnerët tregtarë alternativë, vendosjen e sanksioneve të saj ndaj Perëndimit, si dhe kompensimeve të brendshme.
Edhe pse shumë vende iu bashkuan sanksioneve, disa nga ato që janë kryesore nuk iu bashkuan. Kështu Kina i ka shtuar importet e saj të naftës ruse. I ka ofruar Rusisë disa produkte ushtarake, dhe ka bërë disa deklarata mbështetëse për të, megjithëse nuk ka qenë plotësisht mbështetëse sa nënkuptonte partneriteti “i pakufishëm” i shpallur pak javë para pushtimit të Ukrainës.
E joshur nga ulja e çmimeve si dhe nga lidhjet dypalëshe ushtarake, edhe India i rriti importet e naftës ruse nga 1 për qind në 20 për qind. Në kushtet kur Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po refuzojnë të rrisin ndjeshëm prodhimin e tyre, çmimet botërore të naftës po rriten më shumë sesa niveli i kompensimit, duke i dhënë mundësi Rusisë të arkëtojë më shumë të ardhura nga shitja e energjisë jashtë vendit sesa 1 vit më parë.
Dhe shifrat e të ardhurave nga nafta, nuk përfshijnë 3-fishimin e sasive të transportuara me cisterna, të cilat nuk përmenden qëllimisht për të shmangur zbulimin, kompanitë transportuese por edhe rafineritë që e fshehin naftën ruse, duke e përzier atë me të tjerët.
Qindra mijëra ton grurë ukrainas u vodhën nga Moska dhe u dërguan tek aleatët e saj. Po ashtu ka pasur edhe sabotime të tjera ndaj sanksioneve. Kështu oligarkët dhe miqtë e Putinit kanë gjetur parajsa tatimore por edhe porte të sigurta për superjahtet e tyre.
Për kostot që vazhdojnë të akumulohen ende, Kremlini ka përdorur një përzierje masash ekonomike kompensuese dhe shtypjen politike. Rritja e normave të interesit nga Banka Qendrore dhe kontrollet e kapitalit, ndihmuan në forcimin e rublës, duke kaluar nga një rënie fillestare shumë të fortë, në nivelin më të lartë në 7 vitet e fundit në fund të qershorit.
Rritja e pensioneve dhe ndihma e qeverisë ndaj kompanive, ka ndihmuar në zbutjen e pasojave për rusët e zakonshëm. Arrestimet dhe represionet e tjera politike, e shtypën valën fillestare të protestave të brendshme. Ata pak oligarkë që kanë guxuar të flasin, e kanë paguar një çmim. Faza e tretë, ajo në të cilën ndodhemi, është faza e rrënimit. Kush do të rrëzohet i pari?
Kundër-sanksionet e Rusisë, të kufizuara kryesisht tek reduktimi i furnizimeve me gaz natyror në Bashkimin Evropian, kanë edhe anën e tyre negative për Moskës. Që nga 31 korriku, vëllimi i eksportit – më shumë se 400 milion metra kub në ditë 1 vit më parë – është ulur në vetëm 100 milionë metra kub në ditë.
Kostot e energjisë elektrike në Gjermani gati u dyfishuan nga janari në qershor, nga 140 në 260 euro për Megavat-orë. Mungesa e gazit i ka detyruar industritë e mëdha të reduktojnë prodhimin. Masat e kursimit, si dhe ndërrimi i karburantit dhe i furnizuesve kanë ndihmuar, por vetëm paksa.
Marrëveshja e fundit e BE-së për ndarjen e rezervave të gazit midis vendeve anëtare, ka boshllëqe të mjaftueshme për të shndërruar në një makth skenarin e racionimit të energjisë dimrin që po vjen. Në fakt disa racionime kanë filluar që tani. Edhe në mesin e njërës prej verave më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, Spanja u kërkon qytetarëve të saj që kondicioneri të mos gradohet më ulët se 27 gradë Celsius.
Ndërkohë Holanda po inkurajon kufizime 5-minutëshe për dushet, ndërsa në Francë autoritetet vendore mbikëqyrin fikjen e dritave në vitrinat e dyqaneve. Pastaj janë pasojat më të gjera në nivel global. Masat kundër ndryshimeve klimatike po lihen për moment mënjanë. Shtetet e Bashkuara po heqin kufizimet për shpimet për naftë dhe gaz në vend, në një kohë Evropa po rikthehet tek qymyri.
Rritja e PBB-së globale, 5.7 për qind në 2021, dhe në janar e parashikuar në më pak se 4.1 për qind, tani parashikohet të jetë vetëm 2.9 për qind për këtë vit. Ndërsa çmimet globale të naftës kanë rënë kohët e fundit, ekziston një shqetësim i madh se me forcimin e sanksioneve ndaj naftës ruse, çmimet botërore mund të arrijnë deri në 200 dollarë për fuçi.
Vendet e varfra dhe ato në zhvillim, janë goditur veçanërisht rëndë nga kjo krizë, me të paktën 40 milionë njerëz të zhytur në varfëri. Edhe pse taktikat ruse të luftës janë kryesisht përgjegjëse për fatin që gati gjysma e popullsisë së botës po përballet me mungesë të ushqimit, pjesa më e madhe e vendeve në hemisferën jugore fajësojnë edhe sanksionet perëndimore.
Disa analiza, tregojnë se sanksionet i shkaktojnë dëme strukturore gjithnjë e më të thella ekonomisë ruse. Rubla mund të mbahet ende në këmbë, por kurset e këmbimit në tregut të zi tregojnë qartë dobësinë e saj. Aksionet e “Gazprom” në bursë ranë për herë të parë që nga viti 1998. Zëvendësimi i importit ka ngecur në shumë sektorë.
Rreth 500.000 punonjës, shumica me arsim të lartë dhe me përvojë në sektorin e teknologjisë, si dhe një pjesë thelbësore e të talentuarve në çdo sektor të ekonomisë, janë larguar tashmë nga vendi. Në kushtet kur forca ruse kanë humbur rreth 2.600 automjete të blinduara, dhe kanë harxhuar rreth 70 për qind të raketave të tyre të drejtuara me saktësi, sanksionet po i detyrojnë rusët që të marrin gjysmëpërçuesit nga frigoriferët dhe pajatalarëset.
Nëse nuk do të nisë të ndihet shumë lodhja nga sanksionet perëndimore, dhe nëse rezistenca ukrainase e mbështetur nga NATO do të vazhdojë t’i shkaktojë kosto të mëdha në terren, situata ekonomiko-ushtarake mund të përkeqësohet më tej. Por nuk duhet të pritet që Putini t’i lutet Amerikës për paqe.
Shënim:Bruce W. Jentleson, profesor i Universitetit Duke