MENU
klinika

Mare Nostrum?

Mesdhe brenda Mesdheut? Adriatiku, si hapësirë e vetme historike

16.08.2022 - 16:31

        Për biografin e mirënjohur të Mesdheut, Fernand Braudel, Adriatiku ishte “ndoshta më i bashkuari nga të gjitha rajonet e detit Mesdhe”. Mirëpo, prapë se prapë, shtronte “të gjitha problemet e nënkuptuara në studimin e gjithë Mesdheut”. Një Mesdhe brenda Mesdheut. Egidio Ivetic i trajton këto probleme në mënyrë të drejpërdrejtë në të shumëpriturin “Historia e Adriatikut”./Konica.al

Duke ndjekur modelin e paraqitur nga Braudel, në studimin e tij të 1949-ës për Mesdheun, Ivetic eksploron historinë e Adriatikut si një hapësirë e vetme historike. Fryti më famëmadh i historisë së Adriatikut është Venecia. “Republika më e qetë” dominoi Adriatikun për shekuj, derisa i dha fund Napoloni më 1797. Edhe pse shkau në errësirë si pjesë e Austrisë dhe, më pas, në Italinë e bashkuar, qyteti i Venecies vijon të magjepsë. Është e vështirë të gjesh një galeri të madhe arti në botën perëndimore, pa një pikturë (ose shumë) të Venecies, dikur pjesë e një pelegrinazhi artistik thelbësor. Histori të panumërta, udhëtime dhe, së fundmi, libra gatimi vazhdojnë të festojnë historinë dhe trashëgiminë e La Serenissima.

 

Interesi për Adriatikun, si një rajon i vetëm historik, ka qenë më pak i dukshëm. Në të vërtetë, libri i Ivetic është studimi i parë në gjuhën angleze që është botuar. Ndërsa për shumë, Adriatiku mund të përkufizohet kryesisht nga Venecia, me ndikimin dhe trashëgiminë kulturore të qytetit, Ivetic e sheh atë ndryshe. Historia e tij, thekson natyrën periferike të Adriatikut dhe sesi shtrirja në udhëkryqet e shteteve dhe qytetërimeve të ndryshme u ka dhënë trajtë njerëzve që e kanë përcaktuar veten në lidhje me detin, dhe jo si qytetarë të një shteti të vetëm.

Në lashtësi, brigjet e Adriatikut u caktuan nga kolonët grekë dhe, me zgjerimin e Romës, u shndërrua në një liqen romak brenda një liqeni romak më të gjerë mesdhetar: Mare Nostrum ose “deti ynë”, siç e quanin romakët. Me rënien e Perandorisë Romake Perëndimore, filloi të merrte formë Adriatiku, siç e njohim sot. Shekuj me radhë pas këtij perëndimi, Perandoria Bizantine Lindore qëndroi në brigjet e Adriatikut, duke u tërhequr ngadalë përballë pushtimeve të njëpasnjëshme të fiseve sllave, gjermanike dhe turke, në Itali dhe në Ballkan. Këto pushtime bënë që shumë qytetarë latinë të iknin në laguna, ishuj dhe qytete të fortifikuara përgjatë bregut të Adriatikut. Nga kjo tragë, Venecia, si dhe Republika e Raguzës, e themeluar në atë që sot është Dubrovniku dhe e modeluar sipas Republikës së Venedikut, si dhe prania latine nëpër qytetet dhe ishujt Dalmatë dhe Istria. Njëkohësisht, kjo prodhoi brendësinë sllave të Adriatikut lindor, që evoluoi përfundimisht në kombet e Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi. Megjithatë, ishte një rrugë e paqëndrueshme. Shkatërrimi total i fuqisë bizantine erdhi nga duart e osmanëve, të cilët shpejt u bënë fuqia dominuese në Ballkan dhe sfiduesi kryesor i Venedikut në Adriatik. /Konica.al/Në mënyrë të ngjashme, ngritja e Habsburgëve solli edhe Austrinë në brigjet e Adriatikut, që më pas u bë një vend kufitar perandorak. Po ashtu, si kufi qytetërimi, pasi Adriatiku lindor e gjeti veten në pozicionin e Antemurale Christianitatis: mburojë e botës së krishterë. Në shekullin e 19-të, Adriatiku u bë një hapësirë për projeksionin e nacionalizmit romantik.

Nga perëndimi, ishte nocioni i një “Mare Nostrum” të ri italian. Nga lindja, projektet kombëtare sllave konkurruese që shihnin në Adriatikun lindor dhe në bregdetin e tij të thepisur, një kufi natyror perëndimor. Në dy Luftërat botërore, Italia luftoi për të vënë nën kontroll Adriatikun, në fund duke humbur pothuajse të gjithë praninë detare. Gjatë Luftës së Ftohtë, Adriatiku – si pjesa tjetër e Evropës – u nda në Llindje dhe Perëndim. Nga njëra anë, qëndronte një Itali e re kapitaliste dhe demokratike, në anën tjetër, Jugosllavia socialiste e paangazhuar e Titos dhe Shqipëria maoiste e Enver Hoxhës.

Dëshira serbe për të ndërtuar një Serbi të Madhe në Adriatikun lindor, nga rrënojat e Jugosllavisë, lëshoi bomba mbi Dubrovnik, me nofkën “Perla e Adriatikut”, nga viti 1991 deri në 1992. Ishte një fund simbolik i historisë së Adriatikut. Sigurisht, historia do të vazhdojë të shkruhet përgjatë brigjeve të detit, por do të jetë histori e një lloji tjetër. Për shekullin e kaluar, historia e Adriatikut ka qenë historia e bregdetit, e epërsisë politike, kulturore dhe ekonomike, duke u larguar nga deti, jo në drejtim të tij. Gjatë gjithë kësaj kohe, Venecia është vetëm një tjetër element kalimtar në historinë e Adriatikut. Por, ndoshta është shembulli më i mirë i fatit të Adriatikut në tërësi. Venecia është bërë pak më shumë se një muze në qiell të hapur. Ivetic ankohet se fati i Adriatikut, mund të jetë i ngjashëm me detin dhe bregdetin e tij, duke u shndërruar në produkt i shitur për turistët në afshin e zagushisë së verës. Ose, ndoshta, një kapitull i ri në historinë e Adriatikut është i pashmangshëm, me një Evropë të re të bashkuar, që kthehet sërish drejt ujërave të saj./Konica.al