MENU
klinika

U firmos nga Begaj

Moratoriumi i gjuetisë shtyhet me tre vite!

16.08.2022 - 12:40

Miratohet ligji për moratoriumin e gjuetisë. Ligji është dekretuar edhe nga presidenti i republikës Bajram Begaj dhe është botuar në Fletoren Zyrtare. Sipas këtij ligji moratoriumi do të jetë në fuqi për 3 vitet e ardhshëm më saktësisht deri më 27 Gusht 2025.

Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

Përjashtim për ndalimin e gjuetisë bëhet vetëm në rastet e konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër në zonat e lejuara për gjueti dhe në rezervatet e mbarështimit, si dhe në rastet e konstatimit të dëmtimit të kulturave bujqësore, blegtorisë dhe ndaj jetës njerëzore në zonat rurale.

Shkelja e ligjit parashikon edhe sanksione. Kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve, subjekti që e organizon dënohet me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) deri në 1 000 000 (një milion) Lekë; kur shkelja kryhet nga një person gjoba varion nga 80 000 (tetëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) Lekë. Ndërsa në rastet e përsëritjes së shkeljes përveç dënimit me gjobë, vendoset si dënim plotësues edhe heqja e lejes së gjuetisë, si dhe konfiskimi i armës së gjahut.

Shtyrja e afateve të moratriumit u bë pas përfundimit 5-vjeçar të ligjit për moratoriumin e gjuetisë i cili u miratua në 2016. Ky ligj është kundërshtuar nga grupet e interesit dhe sipas tyre nuk është marrë asnjë masë për shtimin e popullatave në risk.