MENU
klinika

Zef Skiroi

Një shqiptar i madh Te Dheu i Huaj

10.08.2022 - 14:23

        Poet, gjuhëtar, folklorist, etnograf dhe publicist i shquar arbëresh. Atdhetar i madh shqiptar, dijetar dhe koleksionist i traditave poetike arbëreshe, Ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, ai është përfaqësuesi më i shquar i traditave arbëreshe letrare dhe kulturore të Siçilisë.

Me vlerë madhore si për letërsinë arbëreshe, ashtu edhe për studimet letrare shqipe janë veprat e Zef Skiroit, i cili ishte poet neoklasik, prozatori dhe studiuesi, me veprat që përcaktuan kalimin drejt letërsisë bashkohore shqipe në Itali.

Në moshën 9-vjeçare ai shkroi një vjershë kushtuar Skënderbeut, duke hapur kështu sfondin e veprave të veta të mëvonshme. Studioi në “Seminarin Shqiptar” në Palermo, ku u formua me traditën e kulturës shqiptare, si dhe të asaj klasike (Dante, Servantesi, Gëte, Shileri, etj.). Më 1887, së bashku me Françesk Petën themeluan në Palermo revistën “Arbëri i ri”, si dhe botoi përmbledhjen e parë me vjersha. Skiroi mbaroi studimet për drejtësi më 1890 dhe po këtë vit u emërua docent i letërsisë antike në “Liceun Garibaldi” të Palermos. Kur ishte vetëm 35 vjeç, arriti të merrte vendin e titullarit të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, ëelur pranë Institutit Mbretëror Oriental të Napolit. Më pas, ai vazhdoi veprimtarinë albanologjike në Napoli me botime, leksione dhe pjesëmarrje në kongrese.

Jeta e tij do të rëndohej shumë nga vitet e fundit, veçanërisht me vrasjen tragjike të të birit, Minos, si viktimë e një intrige politike më 1920. Më 1925 mbajti një konferencë për të nderuar kujtimin e mikut të vet Luigj Gurakuqi, që u vra atë vit në Bari.

Vdiq në Napoli më 1927, i nderuar dhe i respektuar si personalitet i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe. Në historinë e letërsisë shqipe Zef Skiroi është shquar si poet, prozator, dramaturg, folklorist e studiues. Veprat kryesore të tij mbeten: “Mili e Hajdhia, “Te dheu i huaj” dhe “Mino”.

Poema “Mili e Hajdhia” është këngë subjektive e Skiroit, ku autori derdhi emocionet djaloshare, të cilat mbetën esenciale edhe në botimet e mëvonshme, duke qenë vepra më e mirë e rinisë së tij.

Kjo vepër bashkë me “Këngët e Milosaos” të Jeronim de Radës e “Kanga e sprasme e Balës të Darës”, përbëjnë treshen e poemave romantike arbëreshe të papërsëritshme në letërsinë romantike shqiptare.

Vepra më e madhe poetike e Zef Skiroit, “Te dheu i huaj” u botua në dy variante, më, më 1900 dhe më 1940. Eqrem Çabej, më 1936 e quajti “kryevepra e Xhuzepe Skiroit dhe nderi i literaturës shqipe”. Po ky, më 1945, shtoi: “është në njëfarë mënyre, epi nacional i shqiptarëve të Italisë”, apo “vepra e jetës së tij”.

Poema “Te dheu i huaj”- është kryevepra e Zef Skiroi, njëra ndër veprat më të mëdha në letërsinë arbëreshe. Poema për here të pare është botuar më 1900. Ndërsa për herën e dytë botohet më 1940 në Palermo, nën kujdesin e vëllait të tij Gjonit. Vepra në botimin e pare kishte dhjetë këngë, ndërsa në botimin e dytë, që është një version më i përpunuar, përbëhet nga nëntë këngë. Këngët e poemës janë: “Nata e madhe”, :Të parët”, “Ali B eg Toptani”, “Ali Pasha Tepelena”, “Vasiliqja”, “Kjyeteza e Shkodrës”,’Gjin Kastrioti”, “Donika” dhe “Agullimi”(Agimi).

Poema përbënë një mozaik preokupimesh dhe shqetësimesh të Skiroit për botën arbëreshe dhe atë gjithëshqiptare. Vepra është shtjelluar, kryesisht, në formë të dialogut në mes të babait dhe të birit. Subjekti i saj ndërthuret përmes anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje: Tatës, Mëmës, Hallës dhe të dy bijve.

“Te dheu i huaj” vjen një familje arbëreshe e Siçilisë, pikërisht tek Hora e Arbëreshëve, prej nga ishte autori. Ngjarjet zënë fill pikërisht në kremten e Krishtlindjeve, apo Natën e madhe, siç shprehet autori. Në kremte rrëfehet brenga dhe shqetësimi i kësaj familje. Që në hyrje të poemës, kemi fjalët e Tatës:”Nata e shëjte shkoi për ne”, varg që sugjeron gëzimet e shkuara të jetës për ta, apo fjalët e Mëmës,”Po si zokje t’kukuvatsës”, që shprehin gjëllimin e tyre strukur në mjerim…

Autori, përshkruan dramën arbëreshe; vendosjen në Itali, duke njohur pasojat e shumta dhe që kishin filluar herët. Rënia nën pushtetin aziatik, humbja e gjuhës dhe besimit, heqja dorë nga bota dhe qenësia vetjake. Aziatikët fusin përçarje dhe tradhti midis arbërorëve. Në këtë vepër madhore, trajtohet një formë tjetër e fatkeqësisë së arbërorëve: marrja jeniçerë e rekrutëve dhe ajo e rrëmbimit të Skënderbeut – një tragjedi e re për kombin, çfarë autori me dhembje e shpreh: ”mori fen e armikut t’egër”…

Gjuha e Skiroit shpreh mendimet, ndjenjat dhe përfytyrimet e tij poetike. Është gjuhë e pasur me shprehje emblematike dhe të figurshme, përmes krahasimeve, metaforave, simbolit e hiperbolës, epiteteteve dhe kontrastit. Me kontributin e vet, Skiroi ndihmoi në ngritjen e kulturës arbëreshe, ndërsa personaliteti i tij artistik solli frymëzim për Shqipërinë e kohës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Traditë, larg atdheut...

Zef Skiroi i Horës së Arbëreshëve

"E vranë të liqtë, por të mirët e qajnë"

Zef Skiroi dhe elegjia për të birin ‘Mino’


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit