MENU
klinika

Tri ditë të errëta...

“Nuk ndërrojmë fe!” – historia e priftërinjve në Shkodër

11.08.2022 - 14:39

         Atëherë, pra pa vendimin e Kadiut e pa pritur aspak, urdhëroi sanxhaktari që të vriteshin, duke i ngulur në hunj. Dhe, edhe pse turqit ua ndaluan të krishterëve që të ishin të pranishëm në një shfaqje kaq mizore, duke i kërcënuar se do t’i vrisnin edhe ata nëse do të vinin aty, me akuzën se ishin pjesëmarrës në komplot, erdhën aty dhe e panë e qenë të pranishëm Gjergj Spathari dhe Palë Sheldia, të cilët ia treguan me besnikëri, në vitin 1650, me datën 24 tetor, martirizimin e këtyre dy Etërve Gjon Pepës të Mollëkuqes, klerik shekullar, që banonte me misionarët e Gashit.

Një djalë, gjithashtu, i Nikollë Brakës nga Iballa, i cili punonte si shërbëtori i një turku në Shkodër, i tha Atë Bernardos nga Verona, në fshatin Aste në Iballë, me datën 26 korrik të vitit 1648, ku po festohej festa e Shna Prendës se ai ishte i pranishëm në këtë martirizim, i cili ndodhi si vijon:

10. Të premten para mesditës u prenë hunjtë e u bënë me maja. U mblodhën turqit për t’u dhënë atyre vendimin. Për t’i frikësuar, u treguan, duke i pyetur se a ishin të veshur si duhet. Ata të dy ju përgjigjën se ishin të veshur si duhet e të pastruar dhe se, sikurse Jezu Krishti u vu mbi ta drurin e Kryqit të Shenjtë për dashurinë që kishte për njerëzit, kështu, edhe ata, të gatshëm, me ndihmën e Tij për ta duruar atë vdekje për dashurinë për Të.

Atëherë u thanë: “bëhuni turq, sepse do t’ju lirojmë!”. Iu përgjigjën se “turqit janë të gjithë djaj e do të shkojnë në Ferr në shtëpinë e djajve, e që nuk duam asgjë tjetër!”.

I vunë, atëherë, hunjtë mbi shpatullat e tyre e të drejtuar nga gabelët i sollën tri herë rreth e rrotull sheshit të Qytetit, me zhurma, britma, buri. Kanë treguar disa se Atë Ferdinando, kur po ecte, u këput e nga frika e vdekjes u luhat, por menjëherë mori forcë nga shoku i tij. Disa turq, duke e parë se për shkak të dobësisë nuk po ecte, i dha një goditje me çekiç hekuri e kështu, nga kjo, u dobësua edhe më shumë. Ky fakt nuk është treguar nga të krishterët që u përmendën më sipër, kur dëshmuan vdekjen e tyre. Është e vërtetë se duke ecur e duke i sjellë rrotull, një turk hodhi në tokë, nga shpatulla e njëri prej Etërve, hurin, duke i thënë me përbuzje: “mbaje fort” Bre e gidi (Ah, ju të pafetë e bregdetit) që në gjuhën shqipe është fjalë e ndyrë dhe fyese, e që pastaj Ati e mori në krah, duke e puthur, si të ishte në gjë shumë e çmuar e tha: “kjo është bërë dhe punuar për mua!”. Kur mbërritën në vendin e caktuar, u thanë përsëri nëse do të pranonin të bëheshin turq. Ende nuk i ngulën në hunj, por ata ngulën këmbë në shpalljen e fesë së Shenjtë të Krishtit e thanë se më mirë preferonin të vdisnin, sesa të bëheshin turq dhe kërkuan kohë që të thoshin pak lutje, kohë e cila iu dha. U drejtuan nga Kisha e Shën Marisë Magdalenë, e cila, pak muaj më vonë, u kthye në ritin turk e u bë xhami nga ky Sanxhaktuar. Iu porositën Hyjit e pasi shkëmbyen pak fjalë mes tyre, bënë shenjën e Kryqit të Shenjtë e u thanë xhahilëve që të bënin atë që donin të bënin.

11. Atëherë, pa vonesë, mizorisht, i ngulën të dy në hunjtë, duke bërë që huri të hynte në të brendshme e tyre me forcën goditjeve të çekiçëve, ndërsa Etërit thërrisnin Emrin e Jezusit. Meqë Atë Ferdinandos huri i hyri nga ana e majtë, nga ana e zemrës, vdiq shpejt dhe ia dorëzoi shpirtin Zotit e kështu, i vdekur, qëndronte në hurin. Por, meqë Atë Xhakomon e ngulën në hurin në anën e djathtë të trupit, disi larg zemrës, ai u ngrit në hurin dhe qëndroi i gjallë, duke u dhënë shembullin e mirë Turqve vetë, prej mesdite e deri në mbrëmje. Gjatë kësaj kohe vetëm lutej. Dhe plot devocion e fe, duke e mohuar besimin Muhamedan, thoshte se të gjithë turqit që po shihte aty i dukeshin djaj. I foli nga maja e hurit të riut që u përmend më sipër, që ishte nga Iballa, shërbëtorit të turkut, sikurse ai ia tregoi vetë Atë Bernardos. I kërkoi pak ujë të pinte. I dha verë, të cilën ai vetëm e shikoi e nuk e piu. Pastaj, i dha ujë, sipas kërkesës së tij.

Piu pak e pastaj ia ktheu kungullin me ujin. Nganjëherë thoshte “Jezus, Jezus”. I dilte pak pështymë nga goja, ngrinte sytë drejt qiellit, mbante duart në bashkuara në gjoks me gishtat e mëdhenj në kryqin. Atëherë, një turk i tha: “shiko, shiko, sesi po vdes në fenë e tij!” dhe me një shkop, duke e goditur, bëri që t’i binte nga gjoksi njëra dorë poshtë, drejt barkut. E në fund, duke qenë se po jepte shpirt, tha: “fretër, fretër”, e duke ngritur sytë, uli kokën e i doli shpirti. Ia dha Zotit të tij.

12. Pasi ata kishin vdekur, iu afruan Etërve të ngulur në hunj njerëzit. Dikush ia priste për devocion veshjen, duke qarë e duke thënë “oh, çfarë mëkati të madh kanë bërë duke i vrarë këta fretër, që nuk i bënin keq askujt, por mirë të gjithëve!”. Qëndruan në hunjtë për tre ditë, nga e premtja e hirit e deri të dielën.

Nga: Mark Palnikaj, Qendra Antropologjike Xhubleta

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkrimtari grek: Historia është histori!

“Arvanitasit as nuk flisnin greqisht”

Dëshmia e rrallë e të arratisurit në vitin ’85

“Si e kalova kufirin i uritur, zbathur e veshur me zhele…”