MENU
klinika

Çfarë deklaroi për ish-zyrtarin e shtetit?

Nuredin Dumani ‘lëshon’ emra të tjerë në duart e hetuesve

30.08.2022 - 09:59

Nuredin Dumani, një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të momentit që Prokuroria e Posaçme ka në dorë, ka nxjerrë emra të tjerë.

Këtë herë ka përmendur një ish-funksionar të administratës publike. Ish-zyrtari, që dikur ka drejtuar komunën Karinë në zonën e Peqinit, është duke u verifikuar nga Prokuroria e Posaçme SPAK, pasi ka të dhëna domethënëse se shtëpia e tij ka shërbyer si bazë për fshehjen e makinave të vjedhura, bën me dije “Ora News”, sipas së cilës ato do të përdoreshin për vrasje nga grupi kriminal i Nuredin Dumanit.

VËLLAI

Bashkë me ish-kryetarin e Komunës Karinë, Dumani ka treguar për prokurorët se protagonist ka qenë dhe vëlla i tij, i cili në vrasjen e marsit 2020 të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, ka ndihmuar njërin nga dy autorët, Eljo Bitrin, të largohet pasi ky i fundit braktisi makinën e krimit, te “Bishti i Zhurit” në Rrogozhinë.

Sipas burimeve nga Prokuroria SPAK, ish-kryetari i Komunës dhe vëllai i tij, përmenden në dy momente nga Nuredin Dumani. Atë të vrasjes së Emiljano Ramazanit ose siç njihej ndryshe si “Ili i Elbasanit” të ndodhur në 20 korrik 2020 dhe vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë të ndodhur në 2 mars 2020.

Dumani mësohet t’u ketë treguar prokurorëve se makinën e vjedhur që përdorën në vrasjen e Emiljano Ramazanit, fillimisht e kanë fshehur në garazhin e një vile trekatëshe, në fshatin Karinë të Peqinit.

Ndërsa pohon se automjeti “Passat”, ka qëndruar 3 ditë në këtë garazh dhe më pas, është çuar drejt zonës së Metalurgjikut, në magazinat e Arben Lazes, në Elbasan. “…drejtues në mjetin ‘Passat’ ka qenë Eljo Bitri dhe e kemi çuar në fshatin Karinë. Makinën e kemi futur garazhin e një vilë 3-katëshe, e cila ishte e një shtetasi me mbiemrin Juba, që me sa di ka qenë kryetar Komune.

Pas rreth 3 ditësh qëndrim në këtë garazh, më ka telefonuar Eljo Bitri, duke më thënë që të merrja makinën ‘Passat’ dhe të çoja te magazina e shtetasit Arben Laze në Metalurgjik, Fushë-Mbret…”, mësohet të ketë deklaruar Dumani. Këto të dhëna kanë shërbyer për SPAK-un, që të verifikojnë pozicionin e ish-kryetarit të Komunës Karinë, në raport me grupin kriminal të Dumanit që kryente vrasje me pagesë.

Por, të dhënat e rastit të parë janë përforcuar akoma më tepër dhe në një episod tjetër, atë të një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Durrës.

Bashkëpunëtori i ka treguar SPAK-ut, se teksa Henrik Hoxha dhe Eljo Bitri kanë vrarë me porosi të tij, Dorian Shkozën dhe Anxhelo Avdinë, Bitri është larguar me makinën e krimit drejt Rrogozhinës, ku dhe e ka djegur atë. “…pasi Eljo Bitri e ka djegur makinën te vendi i quajtur ‘Bishti i Zhurit’, është pritur aty në një xhep të autostradës nga një kushëri i vet, që nuk ia di emrin. Por, vëllai i këtij personi ka qenë kryetar Komune…”, ka deklaruar Nuredin Dumani.

Dumani nxjerr emrin e Arben Lazes

Pak ditë më parë, u bë me dije se killeri i penduar, Nuredin Dumani, ka përmendur biznesmenin e ndjerë Arben Laze, ish-president i ekipit të Elbasanit, si person që kishte ndihmuar grupin e vrasësve për fshehjen e makinës tip “Passat”, që u përdor në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit.

Në rrëfim i penduarit mësohet se tha: Një ditë pas vrasjes së Dorjan Shkozës, vërshuan urimet në telefonin “Sky” të Dumanit.

Ishte shumë i gëzuar. SPAK-u, vijon të hetojë këtë dosje dhe prej muajit prill, e deri më sot ka rimarrë disa herë në pyetje Nuredin Dumanin, i cili ka treguar dhjetëra emra që kanë bashkëpunuar me të në aktivitete kriminale si vrasje, vendosje tritoli, dhunim personi, vjedhje dhe grabitje me armë të bizneseve të ndryshme. Në valën e parë të operacionit “Plumbi i Artë” të kryer në 18 maj, SPAK-u arrestoi 18 persona, ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Në shtëpinë e tij fshehëm makinën që përdorëm në vrasjen e..."

Nuredin Dumani nxjerr emrin e ish-zyrtarit të shtetit