MENU
klinika

"Po e monitorojmë!"

Projekti në Portin e Durrësit, reagon BE

31.08.2022 - 12:10

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri i kërkon qeverisë më shumë qartësi dhe transparencë në lidhje me marrëveshjen me kompaninë arabe sa i përket projektit të marinës në Portin e Durrësit.

Në një reagim për gazetën “Panorama”, BE thekson se siç parashikon marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, qeveria shqiptare duhet t’u japë mundësinë e garës kompanive nga vendet evropiane.

“Për sa i përket rizhvillimit të Portit të Durrësit, BE-ja ka nënvizuar vazhdimisht nevojën për qartësi dhe transparencë për marrëveshjen tregtare të lidhur mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke theksuar se, siç parashikohet në Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit, kompanitë nga vendet e BE-së duhet të kenë mundësi të konkurrojnë mbi baza të drejta dhe të barabarta për kontratat publike”, thuhet në reagimin e delegacionit evropian për gazetën “Panorama”.

Ndërkohë paralajmërojnë se po ndjekin me vëmendje të gjitha zhvillimet që lidhen me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe integrimit në BE dhe se më pas do të raportohen në Parlamentit Europian dhe në institucionet Shqiptare.

“BE-ja do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e rëndësishme për Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asociimit dhe për procesin e anëtarësimit në BE, përfshirë në raportin vjetor të Komisionit, si dhe do t’i trajtojë ato me institucionet shqiptare në forumet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së BE.

Sakaq, delegacioni i Bashkimit Evropian nuk ka informacion as për planet e qeverisë për aktivitetin e portit të ri. “Për sa u përket planeve të shpallura për zhvendosjen e aktiviteteve të Portit të Durrësit, presim të marrim detaje të mëtejshme nga qeveria”, thuhet në përgjigjen e tyre.

MARRËVESHJA ME ALABAR

Pak javë më parë, më 10 gusht, u firmos marrëveshja e bashkëpunimit mes dy kompanive që do ndërtojnë portin e jahteve të Durrësit. Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua mes “Eagle Hills Real Estate Development” shpk, përfaqësuar nga investitori Muhammed El Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”. Ndërsa Kryeministri Rama tha se Marina e Durrësit do të hapë rrugën për gjithë bregdetin shqiptar, jo thjesht për Durrësin. “Kontrata do të jetë përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kanë spekuluar e nuk kanë lënë gjë pa thënë për këtë projekt që është një nga projektet që do të ndryshojë jo Durrësin, por Shqipërinë përgjithmonë. E tha zoti Alabbar, këtu nuk është e 12 mijë vendeve të reja të punës, vende cilësore. Këtu nuk është çështja e mbi 1000 jahteve që vijnë e që sjellin konsumatorë në Durrës, që do të ngrenë jashtëzakonisht shumë nivelin e konsumit, se kjo është ajo për të cilën ne kemi nevojë, që turizmi ynë të kalojë në një nivel tjetër”.

PROJEKTI I DURRËSIT, MARINA & YACHTS

Në dhjetor 2020, një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara kaloi në Kuvend për të marrë miratimin. Në fokus të saj ishin tri pika: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Viti 2021 do të niste me lajmet e bujshme sesi kompania më e madhe që transformoi Dubain, EMAAR, do të zbatonte projektin e Durrësit. Delegacione të qeverisë në Dubai dhe anasjelltas nuk munguan, duke i dhënë zë projektit që do të zbatohet në Shqipëri, ashtu sikurse nuk munguan edhe daljet e Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i ‘Emaar Properties’, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.

Teksa projekti, për vetë përmasat, vlerën e investimit, por edhe akuzave që e kanë shoqëruar mbi kompaninë zbatuese, që nuk është drejtpërdrejt EMAAR, shihet disi me sy konservator, institucionet shqiptare këmbëngulin se ai do të bëhet realitet dhe për këtë po hidhen të gjithë hapat e nevojshëm. Aktualisht, kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore. Kompania zotëruese e aksioneve ishte ‘Symphony Real Estate Development’, që pak kohë më parë i kaloi aksionet te ‘NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED’.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Monaco duhet të na e ketë frikën”

Alabbar: Porti i ri i Durrësit nis në fillim të prillit