MENU
klinika

Analiza

Pse sanksionet e Perëndimit ndaj Putinit janë thjesht ‘fantazmë’?

08.08.2022 - 09:00

Sanksionet perëndimore ndaj karburanteve fosile ruse janë një fantazmë.

Të ardhurat që rrjedhin në arkën e Kremlinit nga shitjet e huaja të naftës, gazit dhe qymyrit janë shumë të larta, duke u dyfishuar në 100 ditët e para të luftës. Regjimi i sanksioneve energjetike të Perëndimit nuk po funksionon.

Kjo për një arsye shumë të thjeshtë – nuk ekziston.

Përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putin në shkurt, Rusia ishte pa dyshim eksportuesi më i madh i karburanteve fosile në botë. Sot ajo mund të shesë naftë, gaz dhe qymyr direkt në çdo vend, përveç SHBA-së.

Disa komentues amerikan dhe evropian pohojnë se kufizimet në eksportet ruse të naftës po u shkaktojnë pasoja qytetarëve të zakonshëm në vendet perëndimore pa reduktuar të ardhurat e Kremlinit.

Ata pretendojnë se sanksionet e perëndimit kanë dështuar.

Megjithatë, masat që perëndimi ka marrë deri tani mbulojnë më pak se 5 për qind të eksporteve të naftës së papërpunuar të Rusisë para luftës. Eksportet e naftës së papërpunuar nga deti, megjithëse janë ulur që nga mesi i qershorit, mbeten më të larta se në fillim të pushtimit. Në pjesën më të madhe, kjo është për shkak se ka qenë e ligjshme importimi i naftës ruse në BE dhe MB dhe do të mbetet i tillë të paktën deri në dhjetor. Çdo javë, rreth 10 deri në 20 milionë fuçi naftë bruto mbërrijnë në Evropë nga portet ruse.

Edhe në SHBA, i vetmi vend me sanksione për importin e drejtpërdrejtë të naftës ruse, shoferët – ndoshta pa e ditur – po vazhdojnë të mbushin automjetet e tyre me benzinë ruse.

Në atë që mund të përshkruhet si një operacion pastrimi global, nafta e papërpunuar ruse dërgohet në rafineritë e huaja dhe më pas importohet në SHBA si benzinë.

Pasi nafta të jetë rafinuar në produkte të tjera, ajo mund të hyjë ligjërisht në SHBA pa thyer sanksionet.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu do të vazhdojë të importojë miliona fuçi naftë ruse të përzier në muajt e ardhshëm. Kjo tregti ka të ngjarë të vazhdojë edhe pasi sankisonet britanike të hyjnë në fuqi në fund të këtij viti.

Këto nuk janë embargo që amerikanët dhe britanikët prisnin kur Presidenti Joe Biden dhe Boris Johnson, njoftuan sanksione në mars.

Dështimi për të vendosur një embargo të vërtetë ndaj naftës dhe gazit rus po shton të ardhurat e Putinit dhe financon krimet e luftës në Ukrainë.

Kompanitë e mëdha të energjisë, të cilat kanë shënuar fitime të mëdha për gjashtë muajt e fundit, mbajnë shumë më tepër përgjegjësi për pasojat që po ndjejnë konsumatorët e energjisë. Kompanitë si BP & Shell në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat morën përkatësisht 8.5 miliardë dhe 11.5 miliardë dollarë nga prilli deri në qershor, dhe Wintershall në Gjermani, që fitoi 1.9 miliardë dollarë, po ecin shumë mirë, por këto fitime nuk janë asgjë e re për industrinë.

Ky është një sektor që ka patur fitime marramendëse çdo ditë gjatë 50 viteve të fundit.

Ditët e fundit, politikëbërësit e BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë ulur kufizimet e tyre ekzistuese.

Pa i dhënë një shans sanksioneve për të funksionuar siç duhet, ata tani po i heqin ato.

Ky kthim pas e shpërblen Putinin edhe kur forcat e tij kryejnë mizori në Ukrainë dhe ndërsa Rusia zgjeron qëllimet territoriale të luftës së saj të paligjshme.

Ukraina nuk do ta harrojë kurrë mbështetjen që na kanë dhënë partnerët tanë. Por për lëndët djegëse fosile, perëndimi përballet me një zgjedhje të qartë. Kushdo që është serioz në lidhje me mbështetjen e tyre për Ukrainën duhet të ndalojë financimin e regjimit të Putinit.

Biznesi si zakonisht shërben vetëm për të zgjatur luftën, e cila ka penguar të gjithë ekonominë globale. Zgjidhja më efektive duhet të përfshijë një embargo të plotë dhe të menjëhershme ndaj lëndëve djegëse fosile ruse në Evropë dhe miratimin e shpejtë të propozimeve të G7 për një kufi global të çmimit të naftës ruse.

Sa më shpejt të ndalohet Putini, aq më shpejt mund të vazhdojmë me rindërtimin e Ukrainës.

Kjo nënkupton sanksioninim e karburanteve fosile ruse në tokë dhe shndërrimin e sanksioneve fantazmë në të vërteta.

Shkrimtari është këshilltari kryesor ekonomik i Presidentit Volodymyr Zelenskyy të Ukrainës.

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN