MENU
klinika

Analiza

Pse tani nuk duhet shpresuar për një zgjidhje politike në Ukrainë…

12.08.2022 - 09:30

Tani në muajin e saj të gjashtë, lufta në Ukrainë është kthyer në një ngërç të ngadaltë dhe të dhimbshëm.

Pasi dështoi në përpjekjen e saj fillestare për të marrë Kievin nga veriu, ushtria ruse ndryshoi taktikat në terren dhe u kthye në Donbas në lindje të vendit, forcat e saj tani po godasin pozicionet mbrojtëse ukrainase në qytetin e Donetskut me artileri – një strategji që rezultoi e suksesshme në Luhansk. Ndërkohë, ukrainasit kanë patur rezistencë të ashpër dhe po iniciojnë një kundërofensivë të madhe në Kherson, duke e detyruar Rusinë të rialokojë forcat tokësore në jug për të ruajtur fitimet e tyre atje.

E gjithë kjo është në kontrast të plotë me historinë e kohëve të fundit.

Gjatë 200 viteve të fundit, luftërat kanë zgjatur vetëm pak më shumë se tre muaj mesatarisht. Dhe çuditërisht, ka pasur thirrje që Rusia dhe Ukraina të fillojnë bisedimet.

Dikush mund të mendojë se të dyja palët do të ishin të hapura ndaj kësaj ideje, duke marrë parasysh humbje dhe barrën financiare në rritje të luftës – por mendoni përsëri.

Aktualisht nuk ka asnjë shenjë që secila palë kërkon një marrëveshje, dhe duket se kjo nuk do të ndryshojë.

Disa analistë pretendojnë se duke vazhduar të luftojë, Ukraina thjesht do të rrisë numrin e saj të vdekjeve, do të humbasë toka dhe do të dobësojë më tej pozitën e saj negociuese kur të fillojnë bisedimet. Të tjerë argumentojnë se kriza tashmë e tmerrshme humanitare dhe ekonomike e Ukrainës do të përkeqësohet nëse lufta zvarritet.

Sa i përket Rusisë, pasojat e sanksioneve ekonomike perëndimore do të ndihen gjithnjë e më shumë dhe beteja mund të kthehet kundër saj.

Por ka disa arsye pse nuk po mbahen bisedime.

PërfitimeT, në të vërtetë, kanë ardhur me një kosto të lartë në viktimat ruse dhe pajisjet e shkatërruara, por Presidenti Vladimir Putin nuk beson se po e humb luftën. Përkundrazi, ai mburret se Rusia as që ka filluar të luftojë dhe se “operacioni i tij special ushtarak” me siguri do të ketë sukses.

Putin beson gjithashtu se mbështetja perëndimore për Ukrainën do të marrë fund shpejt, dhe për këtë, ai mund të ketë të drejtë.

Evropianët tashmë përballen me inflacion të lartë dhe kosto në rritje të energjisë, dhe ulja e furnizimeve me gaz natyror nga Rusia po e detyron Gjermaninë, fuqinë ekonomike të Evropës, të marrë masa të jashtëzakonshme për të siguruar që gazi të mos mbarojë deri në dimër.

Sanksionet perëndimore mund të kenë dëmtuar ekonominë ruse, por Putini duket i sigurt se Rusia do të tregohet më elastike se Evropa.

Për më tepër, fitoret mund të nxisin besimin se edhe ato të tjera janë të siguruara. Putini sigurisht nuk do të ishte lideri i parë në histori që do të mashtrohet nga mendjemadhësia dhe nëse ai mendon se mund të fitojë, një zgjidhje diplomatike është jashtëzakonisht e pamundur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ndërkohë, ka arsyet e tij për të mos kërkuar një marrëveshje.

Pavarësisht pengesave ushtarake në Donbas, Zelenskyy beson se koha është në anën e Ukrainës. Rusia, sipas tij, ka pësuar humbje të mëdha në pajisje, duke pësuar më shumë viktima në pak muaj sesa Ushtria e Kuqe në luftën e saj dhjetëvjeçare në Afganistan. Për më tepër, Ukraina po merr armatim të avancuar perëndimor – veçanërisht HIMARS-in e prodhuar nga Shtetet e Bashkuara, i cili tashmë ka goditur dhjetëra depo municionesh ruse, qendra komandimi dhe kontrolli. Nuk ka asnjë shenjë se ndihma ushtarake e SHBA-së, e vlerësuar në më shumë se 9 miliardë dollarë, do të ndalet së shpejti.

Për më tepër, trupat ruse nuk po luftojnë për të mbrojtur atdheun e tyre, ndërsa ukrainasit besojnë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të luftojnë, pasi vetë mbijetesa e vendit të tyre varet në fije të perit.

Megjithatë, Ukraina është zhytur në një krizë të thelluar humanitare dhe ekonomike. 12 milionë njerëz në Ukrainë tani janë bërë refugjatë ose janë zhvendosur brenda vendit, duke përfshirë dy të tretat e fëmijëve të saj.

Pavarësisht gjithë kësaj, morali ukrainas nuk ka rënë, megjithatë, dhe qeveria nuk përballet me ndonjë presion publik për të arritur një marrëveshje me Moskën.

Edhe nëse Zelenskyy do të ishte i prirur të bënte kompromise për t’i dhënë fund vuajtjeve, ai do të përballej me reagime të jashtëzakonshme në shtëpi.

Të ngecur në këtë ngërç, ata që kërkojnë e një zgjidhjeje diplomatike tani kanë frikë se jehona e luftës së vazhdueshme do të arrijë shumë përtej Ukrainës. Dhe kanë të drejtë.

Normat e rritjes tashmë po ngadalësohen në SHBA dhe Evropë, dhe ekonomistët madje paralajmërojnë për recesion. Inflacioni në SHBA është më i larti në katër dekada, dhe në eurozonë, ai ka vendosur një rekord të të gjitha kohërave. Ndërkohë, mungesat globale të ushqimit të shkaktuara nga lufta janë tashmë të rënda dhe mund të përkeqësohen – megjithëse marrëveshja e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB për të rifilluar eksportet e ushqimit nga portet ukrainase ka potencialin për të adresuar një krizë kronike urie.

Pastaj, ka rreziqe ushtarake.

Mbështetja e plotë e Perëndimit për rezistencën e Ukrainës e ka bërë tashmë atë një bashkëluftëtar në sytë e Rusisë.

Sa më i thellë të bëhet përfshirja e SHBA-së dhe Evropës, aq më i madh është rreziku i përhapjes së luftës në një vend të NATO-s, i cili mund të vërë në lëvizje një përshkallëzim të konfliktit bërthamor – skenari absolut i rastit më të keq.

Fatkeqësisht, asnjë nga këto shqetësime nuk mjafton për të nxitur as Ukrainën dhe as Rusinë në një proces serioz diplomatik.

Në kohë lufte, mendimet që kanë më shumë rëndësi janë ato të luftëtarëve dhe që diplomacia të bëhet e zbatueshme, Rusia dhe Ukraina – ose të paktën njëra prej tyre – duhet të arrijnë në pikën ku të bisedosh është një alternativë më e mirë sesa të luftosh.

Ata nuk janë askund afër kësaj pike.

Burimi: Politico.eu

Përktheu dhe përshtati: Konica.al