Sezoni i ri shkollor do t’i gjejë këtë vit shkollat në Shqipëri dhe Kosovë me abetare të unifikuar. Media kosovare RTK ka publikuar për herë të parë kopertinën e abetares që do të shpërndahet këtë vit në të gjitha shkollat e vendit tonë dhe në Kosovë.
Abetarja e publikuar nga shtëpia botuese ‘Dukagjini’ është tashmë gati, ajo është shtypur dhe pritet që të jetë në duart e vogëlushëve që do të nisin këtë vit klasën e parë. Shtëpia botuese bën me dije për RTK se në shkollat e Kosovës ka nisur shpërndarja e abetares në disa zona rurale, ndërsa pritet shpërndarja edhe në shkollat e qyteteve gjatë kësaj fundjave.
Gazetarja e Report Tv, Enxhi Musaj ka mësuar se më datë 1 shtator në Kosovë do të mbahet një ceremoni në Kosovë për të bërë publikimin e abetares së re. E pranishme do të jetë edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi me homologen e saj Arbërie Nagavci për të prezantuar në ditën e parë të shkollës këtë abetare.
Shpërndarja e abetares në Kosovë ka nisur më herët për shkak se sezoni shkollor fillon, më datë 1 shtator, ndryshe nga vendi ynë që sezonin shkollor nis më 12 shtator. Zëvendësministri i Arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci ka thënë se është punuar më shpejt për abetaren në mënyrë që të ishte gati për nxënësit në Kosovë.
“Ne kemi pasur kujdes, sepse kalendari i fillimit të vitit shkollor nuk është i njëjtë në Kosovë dhe Shqipëri dhe kemi kërkuar që puna të përfundojë me herët, në mënyrë që Abetarja të jetë e gatshme për 1 shtator, kur edhe zyrtarisht fillon mësimi në Kosovë”, tha Pupovci për Radio Kosova.
Abetarja e unifikuar vjen si zbatim i marrëveshjes së nënshkruar mes qeverive të dy vendeve.