Këshilli i Ministrave zbaton çmime shumëfish më të ulëta se ato tregut për të shitur te privatët tokën shtetërore në bregdet apo në zonat më të shtrenjta të Tiranës, një praktikë që sipas ekspertëve është tregues i kapjes së shtetit nga oligarkët.
Në një nga brigjet më të bukura të Jonit në Palasë, vilat e reja të fshatit turistik “Green Coast” në pronësi të grupit ‘Balfin’ ofrohen me qira ditore deri në 300 euro apo në shitje deri në 1 milion euro. Edhe çmimi i tokës truall në këtë zonë është i shtrenjtë – ai varion deri në 350 euro për metër katror sipas njoftimeve të agjencive imobilare.
Megjithatë, kur qeveria shqiptare vendosi t’i shiste një sipërfaqje toke truall prej gati 9 mijë metrash katrorë kompanisë ‘Green Coast’ shpk një muaj më parë, aplikoi një çmim shitjeje shumëfish më të ulët, të barabartë me 2135 lekë [18.2 euro] për metër katror.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 13 korrik, kompania ‘Green Coast’ do t’i paguajë buxhetit të shtetit në total 18.7 milionë lekë [160 mijë euro] për një sipërfaqe prej 8774 m2, mbi të cilën pritet të ndërtohet një hotel luksoz.
Ky nuk është rasti i vetëm kur toka shtetërore të lakmuara në bregdet ose në kryeqytet i shiten investitorëve privatë për çmime shumë herë më lira se ato të tregut imobiliar. Sipas ekspertëve të ekonomisë, këto transaksione edhe pse formalisht të ligjshme, përbëjnë një favorizim klientelist të qeverisë për oligarkët dhe dëmtim të interesave publike.
“Rasti kur qeveria me VKM i shet një investitori jashtë kushteve të konkurrencës, nuk është asgjë më shumë se sa një tregues i kapjes së shtetit nga oligarkët dhe klientët e qeverisë dhe një simbiozë e dëmshme, e rrezikshme dhe jokushtetuese midis tyre,” tha Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike në Tiranë.
E pyetur nga BIRN për favorizimin e biznesmenëve në dëm të qytetarëve, qeveria nuk iu përgjigj një kërkesë për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Ndërsa kompania ‘Green Coast’ shpk theksoi se trualli ishte blerë në përputhje me ligjet në fuqi dhe me vlerën e përcaktuar në metodologjinë e përllogaritjes së çmimit të tokës – një dokument i miratuar nga akte normative dhe vendime të Këshillit të Ministrave.
“Toka të cilës ju i referoheni do të përdoret për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe nuk është përfituar duke paguar më pak nga çfarë përcakton metodologjia e përllogaritjes së çmimit të tokës në Republikën e Shqipërisë,” tha kompania ‘Green Coast’ në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike.
“Nga ana jonë nuk është kërkuar marrja e tokës pa pagesë apo me 1 euro për metër katror, pavarësisht se aktet nënligjore në zbatim të nenit 29, Ligji Nr. 93/2015 për Turizmin apo/dhe akteve nënligjore të Ligjit për Investime Strategjike, lejohej,” shtoi kompania, duke theksuar se truallin mund ta merrte dhe falas.
Grupi “Balfin” është një nga konglomeratët më mëdhenj të investimeve në Shqipëri dhe rajon. Ai drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Samir Mane që përshkruhet si njeriu më i pasur në vend ose etiketohet si ‘oligark’ me ndikim në politikëbërje.
Vlera e përdorur nga qeveria për privatizimin e pronave publike është bazuar mbi një hartë të vjetër të vitit 2014 për çmimet referencë të tokës, që nuk pasqyron çmimet e tregut të lirë dhe krijon dëm financiar për të ardhurat publike. Harta u kritikua se ishte larg çmimeve reale të tregut që në momentin kur u miratua nga qeveria.
Kullat e larta u kanë zënë vendin ndërtesave historike në qendër të Tiranës. Foto: LSA
Agjentët e tregut imobilar thonë se çmimet janë në progresion rritjeje çdo vit dhe ato që përdor qeveria për shitje apo kompensim janë krejt të pabazuara në realitetin e çmimeve të tregut.
Arbër Brahaj nga Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, NAREA, i tha BIRN se në përgjithësi të gjitha çmimet që përdoren si referencë nga ana e shteti janë jo të lidhura me realitetin e tregut të lirë.
“Shitjet nga ana e shtetit duhet të shoqërohen me raport vlerësimi për pronën që shitet,” tha Brahaj duke shtuar se “në këtë mënyrë do kishte dhe përgjegjësi penale për dëme financiare”.
Rasti i shitjes së tokës shtetërore në Palasë me çmim shumëfish më të ulët se tregu nuk është i vetmi, por një praktikë që qeveria e kryeministrit Edi Rama e ka ndjekur edhe me biznesmenë të tjerë, duke u dhënë atyre prona në zonat më të lakmuara të Tiranës apo në bregdet.
Në nëntor të 2021, Këshilli i Ministrave i shiti shoqërisë “Building Construction”, 2137 metra katrorë tokë pranë Ish-Gardës së Republikës në Tiranë me çmim 66.9 mijë lekë për metër katror, në funksion të një ndërtimi privat që kompania po bënte në këtë zonë.
“Momenti i kalimit të pronësisë së pronës shtetërore në pronë private do të lidhet me realizimin e projektit, në funksion të të cilit është kërkuar kalimi i pronës shtetërorë në pronë private,” thuhet në vendim. “Building Construction” është një kompani e themeluar në vitin 2011 nga Sokol Meqemeja, i cili ia ka dhuruar 100 për qind të aksioneve në vitit 2015 shtetasit Ilir Merja.
Çmimi i përdorur dhe në këtë rast është referencë në hartën e vitit 2014 për këtë zonë kadastrale, e cila është një nga më të shtrenjtat e kryeqytetit për pasuritë e paluajtshme.
Kontrata e privatizimit të tokës bazohet në një Akt Normativ të qeverisë “Berisha” të vitit 2008 ‘Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve’ dhe në një vendim të qeverisë “Rama” të vitit 2019, “Për përcaktimin e kritereve dhe të kushteve për kalimin e pronës shtetërore në pronë private, në funksion të planeve të përgjithshëm vendore”.
Në prill të vitit 2021, qeveria “Rama” privatizoi me një çmim për pak më shumë se 1 mijë lekë për metër, 55 mijë metra katrorë në Hamallaj të Durrësit, në funksion të ndërtimit të fshatit turistik “Lalzi Marina” nga shoqëritë “Sviluppo Mare 1” dhe “S&D INVEST” që zotërohen nga biznesmenët Redi Peza dhe Gentjan Sula.
Kompanitë “Building Construction”, “Sviluppo Mare 1” dhe “S&D INVEST” u kontaktuan nëpërmjet emailit nga BIRN, por nuk komentuan deri në publikimin e këtij shkrimi.
Në këtë zonë bregdetare, sipas Brahajt, çmimi i tregut varion nga 20 deri 100 euro për metër katror. Në emër të NAREA, ai propozon që qeveria të përdorë çmimet e ponderuara sipas zonave kadastrale.
“Ky model do rezultonte në përdorimin e çmimeve sa më të përditësuara dhe të përafërta me tregun e lirë nga ana e qeverisë dhe drejtorive tatimore,”sugjeron Brahaj.
“Në tërësi ne e shikojmë të gabuar përdorimin e çmimeve të referencës, pasi ekzekutivi nuk duhet të ketë fuqinë të përcaktojë çmimet me të cilat do të paguajë apo dëmshperblejë një pronë, pasi kjo krijon një konflikt interesi,” shtoi ai.
Për ekonomistin Zef Preçi, vendimet e Këshillit të Ministrave për shitjen e pronës publike krijojnë hapësirë për abuzim me pushtetin dhe korrupsion.
“Mungesa e transparencës në zbatimin e ligjit për investimet strategjike dhe keqpërdorimi i autoritetit shtetëror – veçanërisht i vendimmarrjes kolegjiale si ky vendim i qeverisë, lë shteg për dyshime të bazuara për keqpërdorim të autoritetit shtetëror në dëm të interesave publike dhe korrupsion,” përfundoi ai./BIRN