MENU
klinika

Korridori blu/ Flet eksperti i ekonomisë

“Qeveria ndërton rrugë më të shtrenjta se Gjermania e Austria”

18.08.2022 - 13:35

Eksperti i Ekonomisë, Klodian Muço, nuk ka asnjë pritshmëri që qeveria shqiptare të reagojë për të minimizuar korrupsionin dhe hequr dorë nga PPP-të e përqendruara në disa kompani si një shenjë reflektimi për gjetjet e raportit të DASH-it për klimën e biznesit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Muço thekson se në kushtet kur sot diskutohet për një krizë ekonomike, qeveria shpërdoron fondet publike dhe projekton investimin e një rruge të re, me një çmim stratosferik prej mbi 800 milionë euro duke ia kaluar edhe Gjermanisë dhe Austrisë.

Kjo është vlera e parë e deklaruar nga qeveria, pasi mund të ketë shtesa gjatë ecurisë së punimeve, për aksin Thumanë-Kashar dhe KasharRrogozhinë që është pjesë e korridorit blu. Sipas tij, problem kryesor në vend për rënien në vazhdimësi të konkurrencës është korrupsioni i një administrate të politizuar.

Teksa tregon hapat që duhet të ndërmarrë qeveria për thithjen e investitorëve të huaj, ai e nis nga stabiliteti dhe projektimi afatgjatë i fiskalizimit që sipas tij, në 10 vite ka ndryshuar 8 herë. Rastin e evidentuar nga raporti i DASH-it kur një kompani amerikane ka shkuar në arbitrazh, është një antireklamë që largon investimet e huaja.

INTERVISTA

Pak ditë më parë, DASHi publikoi raportin për klimën e biznesit në Shqipëri, ku vë në dukje se korrupsioni dhe praktika e dhënies së kontratave koncesionare me PPP-të kanë kufizuar konkurrencën në treg për bizneset e huaja. Cili është opinion juaj për gjetjet e këtij raporti?

Raporti i fundit i DASHit tregon atë që ekspertët shqiptarë kanë vite që thonë. Tashmë nga viti në vit, në Shqipëri kemi një reduktim të vazhdueshëm të konkurrencës. Kemi një përqendrim të tenderëve publikë në pak kompani dhe një pjesë e mirë e aktiviteteve ekonomike po kalojnë nga publiku drejt privatit në formën e koncesionit apo PPP-ve. E kam fjalën edhe për shumë shërbime publike që tashmë janë dhënë me koncesion, qoftë për ndërtimin e rrugëve, duke vendosur çmime që në disa raste janë shumë më të larta nga çmimet referuese të BE-së.

Sipas këtij, raporti DASH-it thekson që disa biznese amerikane nuk janë lejuar ta ushtrojnë të lirë aktivitetin e tyre madje tregon edhe rastin kur një kompani amerikane e ka dërguar çështjen edhe në arbitrazh. Për ju si ekspert i ekonomisë, sa ndikon kjo sjellje në qasjen e investitorëve të huaj për të bërë biznes në vendin tonë?

Shqipëria siç e përmend edhe raporti, në vitet e fundit ka pasur një rënie të vazhdueshme të investimeve të huaja. Ka qenë një periudhë kohe që kishim mesatarisht 1 deri në 1.5 miliardë dollarë investime të huaja në vit. Tashmë, kemi shumë kohë që nuk po shikojmë qoftë fillimin e ndonjë investimi të huaj të madh apo edhe interesimin e ndërmarrjeve të huaja për të investuar në Shqipëri. E vetmja që mund të përmendet por që nuk është investim i madh sa i përket vlerës është investimi në fotovoltaik i kompanisë franceze.

Sot, shikojmë që Shqipëria nuk është aspak tërheqëse për thithjen e investimeve të huaja. Sot, kemi shumë vende në rajon që janë shumë më kompetitive se ne për investimet e huaja. Qeveria shqiptare nuk ka marrë masa konkrete sa i përket thithjes së investimeve të huaja. Raporti tregon për kompaninë amerikane që ka dërguar çështjen në arbitrazh. Në fakt ka shumë prej investitorëve të huaj që kur duan të investojnë në një vend pyesin si është stabiliteti politik dhe ekonomik, sa respektohet e drejta tregtare, e drejta e pronës dhe pastaj të pyesin për burimet njerëzore. Praktikisht ky rast shërben si një antireklamë i vendit ku kompani të caktuara amerikane apo vendeve të tjera kanë probleme me ligjin apo largohen.

Si paraqitet sot gjendja e ekonomisë shqiptare dhe a është korrupsioni faktori kryesor që ka ndaluar investimet e huaja në Shqipëri apo ka edhe të tjerë?

Shqipëria për vite me radhë, ka pasur një rritje ekonomike që ka variuar nga 2 deri në 4 për qind. Problemi sot në Shqipëri është mirëqenia. Raporti i fundit i EUROSTAT-it dëshmoi edhe një herë atë që është folur nga ekspertët në 2020 për mbështetjen që qeveria u dha konsumatorëve dhe bizneseve të vogla përgjatë pandemisë. Sot, del për mbi 45 për qind e shqiptarëve rrezikojnë varfërinë. Ekonomia shqiptare është në një gjendje të vështirë. Korrupsioni është një ndër faktorët kryesorë që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në Shqipëri apo vende të tjera ku kemi një rritje të burokracisë, e cila transformohet në rritje të korrupsionit. Krijohen një sërë hallkash me qëllim që të perfeksionohet një procedurë, por kur ajo kalon në disa hallka gjeneron burokraci dhe kjo transformohet në korrupsion. Sot, administrata publikë është e mbushur me militantë në të gjitha nivelet, ku në shumë raste janë të pa aftë tregon që kemi inefeciencë.

Kjo tregon se sa produktivitet të ulët ka administrata. Korrupsioni është problem mbi problemet. Pse nis korrupsioni me militantët në administratën publike. Sot një pjesë e madhe militantësh e konsiderojnë politikën si një formë investimi dhe kjo transformon një fond për të gjeneruar korrupsion dhe “rikuperuar” investimin e bërë.

A mendoni se qeveria aktuale do të reflektojë për qasjen e saj ndaj biznesit për minimizimin e korrupsionit dhe zhvillimin e tenderëve publikë pa garë apo me fitues të paracaktuar?

Nga qeveria aktuale, kam përshtypjen që jo. Ndër vite, sidomos nga 2017 e në vijim kanë dalë një sërë raportesh që flasin për një rritje të nivelit të korrupsionit, hyrjen në zonën gri të pastrimit të parave probleme me kriminalitetin, përqendrimi i ekonomisë në pak duar dhe monopolizimi i tregut etj. Këto janë një sërë problematikash që ndikojnë negativisht në zhvillimin e ekonomike të një vendi, thithjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e bizneseve të vendit nga biznese të ndershme.

Të gjitha këto nuk kanë shërbyer si një reflektim për qeverinë për të përmirësuar situatën ekonomike. Ne vazhdojmë sot të deklarojmë se kemi shifra rekord të turistëve të huaj, ndërsa strukturat akomoduese nuk po funksionojnë me kapacitet të plotë. Rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe mosmbështetja nga ana e qeverisë të konsumatorëve apo bizneseve ka rritur më tepër varfërinë. Nga ana tjetër vazhdohet me të njëjtën situatë ku në kulmin e një krizë diskutohet të ndërtojmë një rrugë të re me një çmim stratosferik me mbi 800 milionë euro që i a kalon edhe ato të Gjermanisë, Austrisë apo vendeve të tjera të zhvilluara.

Nga njëra anë, kemi varfëri dhe krizë ekonomike dhe nga ana tjetër, e vetmja zgjidhje që mendon qeveria është ndërtimi i rrugëve të reja. Nuk kam besim që do minimizohet korrupsioni dhe tenderët publik do të vazhdojnë të përdoren në të njëjtën formë ku do jenë po të njëjtat kompani që marrin tenderë dhe po të njëjtët persona që shkelin ligjin dhe abuzojnë. Shembull këtu është rasti i koncesionit të inceneratorëve që edhe pse ata u përmendën në të kaluarën për problematika në lidhje me rimbursimin e TVSH-së ata vazhdojnë të marrin para sot kur janë në kërkim ndërkombëtar.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë duhet të bëjë konkretisht qeveria aktuale për të hapur ekonominë shqiptare ndaj investitorëve amerikanë dhe vendeve të tjera dhe a i ka ajo mundësitë dhe kapacitet për t’i bërë?

Sot, është shumë e rëndësishme hapja e ekonomisë ndaj investitorëve të huaj në tërësi. Për ta arritur këtë qeveria duhet të bëjë disa gjëra. Së pari, nevojitet një stabilizim i politikave fiskale pasi në 10 vitet e fundit kemi parë të paktën tetë ndryshime fiskale të rëndësishme. Duket sikur nuk kemi stabilitet fiskal dhe ato çorientojnë bizneset apo e bëjnë të vështirë planifikimin afatgjatë të biznesit.

Së dyti, nevojiten më tepër investime në sistemin arsimor pasi sot po kthehet në problem gjetja e burimeve njerëzore të kualifikuara. Sot është problem ikja e qytetarëve në emigracion.Të gjitha këto të zgjidhen nga pasja e burimeve njerëzore të kualifikuara tërheq. Së treti; Nevojitet të merren masa konkrete për të luftuar korrupsionin apo evazionin fiskal. Është një studim i rëndësishëm që tregon se sa më rëndë të dënohet korrupsioni dhe evazioni fiskal aq më të ulët janë ato në atë vend. Pra, qeveria duhet të marrë masa konkrete për të luftuar korrupsionin dhe evazionin.

Mendoni se sa qytetarë shqiptarë të shkolluar dhe me biznese lënë gjithçka dhe bëhen pjesë e administratës publike që në disa raste rrogat janë modeste 50 apo 60 mijë lekë në muaj. Kjo tregon që në ato vende korrupsioni është arsyeja e shkuarjes së tyre. Kjo tregon që këtu korrupsioni është kthyer në model dhe profesion.