Qeveria parashikohet të miratojë paketën e dytë antikrizë në ndihmë të sektorit urban që po vuan shtrenjtimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës.
Miratimi i paketës së dytë antikrizë do të sjellë që operatorët të tërhiqen nga kërkesa e tyre për mostregtimin e aboneve për muajin gusht.
Unioni i transportit urban pak ditë më parë i kërkoi qeverisë që të miratojë një paketë të re antikrizë për këtë sektor, pasi mungesa e subvencionimit mund të çojë në mbyllen e plotë të shërbimit. Operatorët paralajmëruan moshitjen e abonesë për muajin gusht.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas Rixhin Qoshja tha për “Monitor” se ka një projektvendim për subvencionimin e naftës në tërësi të sektorit për muajt gusht-shtator-tetor. “Jemi në pritje të një paketë të dytë të qeverisë për subvencionimin e naftës për të gjithë operatorët si në Tiranë dhe rrethe. Na është komunikuar që ka një projektvendim, por që nuk u miratua në mbledhjen e radhës së qeverisë. Miratimi i një paketë të dytë do të jetë ndihmë për kapërcyer këtë situatë.”
Prej 1 muaji operatorët janë në pamundësi financiare për të përballuar rritjen e çmimit të naftës. Paketa e dytë subvencionuese e naftës do të sjellë që operatorët të tërhiqen nga vendimi për mosshitjen e aboneve, pasi siç thekson kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas ata ofrojnë shërbim me çmim të lirë, ndërsa kostot janë mjaft të shtrenjta.
“Nëse miratohet vendimi për subvencionimin edhe operatorët e kryeqytetit do të tërhiqen nga vendimi për mosshitjen e aboneve”, pohoi ai.
Paketa e rezistencës sociale mbështeti sektori me fondin 5 mln USD. Fondi u përdor për të kompensuar 100 lekë/litër naftë të deklaruar si shpenzim pranë DPT, sipas një tavani mujor nevoje për secilin operator të transportit publik të udhëtarëve, qytetës, rrethqytetës e ndërqytetës të linjave, të licencuara nga DPSHTRR, MIE dhe Bashkitë, për një periudhë 3-mujore (prill-qershor).
Gjithashtu në fillim të këtij viti për 11 operatorët e transportit urban të Tiranës u miratua fondi prej 1,3 mld lekë për të kompensuar rënien e numrit të pasagjerëve deri në 55% në pandemi. Shpërndarja e kompensimit nga Bashkia e Tiranës u vendos të jetë për periudhë 6 mujore. Për shkak të paketës antikrizë të miratuar nga qeveria për të subvencionuar çmimin e lartë të naftës operatorëve iu disbursua kësti i muajve janar dhe shkurt./MONITOR