MENU
klinika

Meta për çështjen e detit

“Rama, në pazar me kompanitë greke për 300 miliardë euro naftë”

17.08.2022 - 08:53

Nga Vlora, ku ishte në një takim me strukturat e Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzoi Kryeministrin Rama se ka hyrë në pazar me kompanitë që kanë kryer investigime në zonat e përbashkëta detare Shqipëri-Greqi.

Për shkak të këtyre pazareve, ish-Presidenti tha se Edi Rama është bërë avokat i Greqisë për çështjen e delimitimit dhe ka ndërmarrë veprime që dëmtojnë shtetin shqiptar.

“Shikoni si e ka menaxhuar çështjen e detit me Greqinë, çështje që do hapet fortë në shtator. Të gjitha janë në dëm të Shqipërisë. Është bërë si avokat i palës tjetër. Këtë e bën jo se do të rregullojë marrëdhëniet me Greqinë, por i interesojnë pazaret që ka bërë me kompanitë e shpimit e të kërkimit të naftës e gazit, sepse janë 300 miliardë euro atje e që duhen ndahen në mënyrë të barabartë mes dy vendeve.

Këto kanë ndodhur se s’ka pasur opozitë. Basha ishte i blerë. Drejtësia sot nuk funksionon, por është e blerë. Turp të kenë të gjithë ata që i kanë djegur mandatet, PD e LSI, përfshirë edhe mikun tim Petrit Vasili. Unë s’e kam djegur mandatin tim. Porosia ime ka qenë: në asnjë mënyrë, është një lojë, është një kurth. Unë s’e lëshova zyrën time”, tha Meta.

Ndërkohë, në vijim të fjalës së tij para strukturave, Meta tha se vendi është përballë një rreziku të madh, që sipas tij i kanoset nga qeveria, ndaj duhet të reagojnë. Një nga çështjet problematike që ceku Meta në Vlorë ishte porti i ri i Triportit, ku në lidhje me këtë i drejtoi disa pyetje qeverisë.

“A është statusi i investitorit strategjik?

Cila kompani e ka paraqitur? A parashikohet që prona shqiptare të lihet kolateral për marrjen hua në banka? Çfarë masash garantuese janë parashikuar për të ndaluar sekuestrimin nga bankat shqiptare?

Sa është financimi i parashikuar i portit të ri në Triport dhe sa është fondi? Do ndërtohet me paratë e buxhetit të shteti apo do të merret një hua tjetër? Dihet që kjo është qeveri armike e transparencës sepse çdo investim serioz nuk duhet t’i fshihet popullit.

Interesi i kësaj qeverie është vetëm të vjedhë. Janë bërë shumë investime në Vlorë, shumica e të cilave të dështuara si ato rrugët që bie një vesë shi dhe bëhet Vlora si Venecia. Gjithçka bëhet nga Tirana dhe askush nuk mban përgjegjësi”, tha ai.

PARALAJMËRIMI

Ndërkaq, Meta u bëri thirrje anëtarëve të PL që të bëhen gati, pasi sipas tij opozita ka ndryshuar dhe se zgjedhjet e përgjithshme mund të jenë më shpejt se ato lokalet.

“Zgjedhjet lokale nuk i shtyjmë dot. Si atëherë që nuk u regjistrua as Luli. Ky nuk është një problem. Por mund të ndodhë të bëhen përpara ato të përgjithshme. Duke qenë se nuk kemi përfaqësues në këshillat bashkiakë, duhet të nisë përpara kjo punë për monitorimin e bashkisë. Problemet duhen ngritur në opinion publik. Duhet të ngrenë edhe përfaqësuesit e PL që janë të preokupuar për qeverisjen e Vlorës. Vlora ka një peshë të veçantë”, tha Meta, ndërkohë që bëri të qartë se kushti kryesor i PL për koalicion është referendumi.

“Këtë ka synim që populli vendos mbi vendin e tij.

Ne e kemi çështje të parë dhe në çdo koalicion në të ardhmen. Kushti ynë është: koalicion me ne, referendumi! Populli të rimarrë kontrollin e vendit të vet! Shqiptarët janë bërë të huaj në vendin e vet. Partia e Lirisë kërkon që populli shqiptar të marrë kontrollin e vendit të tij. Kam besim se do bëhemi më të përgjegjshëm.

Mos prisni të na qajë hallin, BE, Amerika e Gjermania. Ata kanë hallet e veta. Kur ngrihet populli, ata thonë që jemi me popullin. Kur populli nuk ngrihet, mos mendoni se dikush do rrijë pa gjumë për fëmijët tuaj apo fëmijët tanë. Ne do ta ngremë popullin”, tha Meta.

Sakaq, kreu i PL ka ironizuar edhe deputetët e PD-së që janë në mbështetje të Alibeajt.

“Zhvillimet do të jenë të forta dhe të shpejta. Ne duhet të jemi të përgatitur të mbajmë peshën që na takon në këtë proces. Paniku nga ana tyre është i qartë derisa shpikin budallallëqe për sekretar partie e tij. Sikur nuk e dinin këta të PD-së që bënte Saliu ministra, nuk e dinin që Saliu ka qenë sekretar partie. Por tani që i futi ky tek inceneratorët dhe te porti i Durrësit, tani u kujtuan që Saliu ka qenë sekretar partie”, tha ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN