MENU
klinika

"Zëri i Amerikës"

Shqetësime për sfidat e sigurisë në rezidencën e ish-Presidentit Trump

14.08.2022 - 08:57

Konfiskimi i dokumenteve të klasifikuara të qeverisë amerikane nga rezidenca Mar-a-Lago e ish-Presidentit Donald Trump ka nxjerrë në pah shqetësimet e vazhdueshme të sigurisë kombëtare të paraqitura nga ish-presidenti dhe shtëpia të cilën ai e quante “Shtëpia e Bardhë Dimërore”, thonë disa ekspertë të sigurisë.

Zoti Trump po hetohet nga organet federale të rendit lidhur me mundësinë e shkeljes së ligjit të spiunazhit, i cili e bën të paligjshëm spiunimin për një vend tjetër ose keqpërdorimin e të dhënave të mbrojtjes së SHBA-së, përfshirë ndarjen e informacioneve me njerëz që nuk janë të autorizuar, thuhet në urdhrin e gjykatës për kontrollin e shtëpisë së ish-presidentit.

Kur shërbeu në Shtëpinë e Bardhë, në disa raste Presidenti Trump ndau informacione, pavarësisht sa sensitive ishin ato. Në fillim të mandatit, ai i dha spontanisht të dhëna shumë sekrete kryediplomatit rus, ndërsa ishte në Zyrën Ovale, lidhur me planet e Shtetit Islamik, thanë zyrtarët amerikanë në atë kohë.

Por rrezikun më të madh për organet amerikane të zbulimit e paraqiste rezidenca e zotit Trump në Mar-a-Lago ku kishte shumë të ftuar të rëndësishëm dhe organizoheshin darka për mbledhje fondesh në oborrin dhe verandën përkarshi valëve të detit.

Kur zoti Trump ishte president, Shërbimi Sekret tha se nuk përcaktonte se kujt i jepet qasje në rezidencën Mar-a-Lago por vetëm bën kontrolle fizike për t’u siguruar që askush nuk sjell sende të ndaluara dhe zhvillon kontrolle të mëtejshme për të ftuarit që ndodhen afër presidentit dhe figurave të tjera të larta.

Urdhri i Departamentit të Drejtësisë për kontrollin e rezidencës së ish-presidentit ngre shqetësime për sigurinë kombëtare, tha ish-zyrtarja e drejtësisë, Mary McCord.

“Duket qartë se ata menduan se ishte shumë serioze që këto materiale të ktheheshin në një vend të sigurt”, tha zonja McCord. “Mbajtja e dokumentave tejet sekrete në vend të papërshtatshëm, duke patur parasysh rezidencën, vizitorët e huaj atje dhe të tjerë që mund të kenë lidhje me qeveritë dhe agjentët e huaj, përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare”.

Përmes një deklarate në median e tij sociale, zoti Trump tha se dosjet ishin “të gjitha të deklasifikuara” dhe të vendosura në “vend të sigurt”.

Zonja McCord tha se ajo nuk kishte parë asnjë “argument të besueshëm se ai kishte marrë një vendim të vetëdijshëm për secilën prej tyre (dosjeve) për t’i deklasifikuar para se të largohej”. Pas largimit nga detyra, tha ajo, ai nuk kishte autoritetin për t’i deklasifikuar dosjet. Departamenti i Drejtësisë nuk ka dhënë detaje se si dhe ku janë ruajtur dosjet dhe fotot, por dobësitë e rezidencës janë dokumentuar mirë.

Një shembull i profilit të lartë është edhe rasti i vitit 2017, kur zoti Trump shtroi një darkë me kryeministrin e atëhershëm të Japonisë, Shinzo Abe, në mjediset e jashtme, ndërsa të ftuarit qëndronin pranë duke dëgjuar dhe bërë foto të postuara më vonë në rrjetin Twitter.

Darka u ndërpre nga një provë me raketë nga Koreja e Veriut. Të ftuarit dëgjonin ndërsa zoti Trump dhe zoti Abe diskutonin lidhur me reagimin e tyre ndaj situatës. Pas publikimit të deklaratës, zoti Trump ndaloi tek një dasmë që organizohej në klubin e rezidencës./VOA/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN