Është shtuar misteri në lidhje me aktivitetin e ruses Svetlana Timofeyeva në Shqipëri si edhe të dy djemve që e shoqëronin atë, të cilët u kapën duke fotografuar uzinën e prodhimit të armëve në Gramsh.
Agjencia ruse e lajmeve TASS raporton se një gjykatë në Moskë ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar në emër të saj duke kërkuar arrestimin dhe ekstradimin në shtetin amë.
Sipas TASS, gjykata ka dhënë këtë vendim në mungesë ndaj Timofeyeva-s me akuzën e posedimit të materialeve sensitive, raporton abcnews.al.
Rusja akuzohet në Shqipëri se është pjesë e agjenturave ruse dhe kishte ardhur me mision në vendin tonë, ndërkohë që ajo që e shton më shumë misterin lidhet me faktin se gjykata në vendin e saj kërkon ekstradimin urgjent.
Timofeyeva njohet si fotografe që shkrep fotografi të fabrikave funksionale dhe atyre të braktisura, dhe i publikon në llogarinë e saj në Instagram, në të cilën ka mbi 250 mijë ndjekës.
Timofeyeva dhe dy burrat tjerë, njëri rus, Mikhail Zorin, dhe tjetri ukrainas, Fedir Mykhaylov, janë ndaluar më 20 gusht në Shqipëri, vend anëtar i NATO-s.
Shqipëria po ashtu mbështet Ukrainën teksa mbrohet nga pushtimi rus.
Fabrika e armëve në Gramsh është hapur më 1962 për të prodhuar pushkë të llojit AK-47 dhe armë tjera.
Aty është ndalur prodhimi pas rënies së komunizmit më 1990 dhe më pas ka nisur shkatërrimi i armëve. Fabrika përdoret ende për të riparuar armë ushtarake, mirëpo nuk prodhon më të tilla.
Autoritetet shqiptare kanë thënë se Timofeyeva dhe Mykhaylov janë ndaluar afër fabrikës, ndërsa Zorin ka qenë brenda. Ai ka hedhur sprej piperi ndaj dy roje ushtarave që kanë tentuar të kapin.
Më 24 gusht, autoritetet në Shqipëri kanë marrë vendim që tre personat të qëndrojnë në burg derisa të përfundojnë hetimet.