MENU
klinika

Analiza

Si Ukraina na kujtoi nevojën për një ushtri të BE-së

08.08.2022 - 13:36

Njerëzit pyesin dhe do të vazhdojnë të pyesin : kur do të përfundojë lufta në Ukrainë? A do të marrë fund ndonjëherë barbarizmi i shkaktuar nga Vladimir Putin?

Përgjigja qëndron kryesisht në duart e Ukrainës. Por në fund të fundit edhe në ato të pjesës tjetër prej nesh: BE, Shtetet e Bashkuara, MB dhe vende të tjera demokratike të botës.

Ndër këta aktorë të jashtëm, përgjigjen vendimtare për këtë pyetje duhet ta japë BE-ja, fqinjësia e së cilës është më e prekura nga agresioni rus kundër Ukrainës; e dyta pas vetë ukrainasve, natyrisht.

Kremlini sulmoi Ukrainën sepse besonte se mund ta përballonte këtë.

Ai gjithashtu pa se, në aspektin ushtarak, Evropa po zhduket nga harta botërore.

Rusia pa një Amerikë në rënie dhe një Kinë në rritje; dhe e dinte se SHBA-të do të ishin gjithnjë e më shumë të preokupuara me zhvillimet në Hong Kong, Tajvan dhe Detin e Kinës Jugore.

Putini ishte padyshim i inkurajuar nga tërheqja amerikane nga Afganistani. Shkurtimisht, respekti i Kremlinit për Perëndimin kishte rënë ndjeshëm dhe, sa i përket BE-së, ai ishte zhdukur plotësisht.

Zhvillimet ushtarake në Ukrainë tregojnë se ne po përballemi me një konflikt të ngrirë të përmasave të paprecedentë, me pasoja të cilat do të jenë të vështira për t’u përballuar.

Kohët e fundit, po dëgjoja të fliste një shkencëtar politik kryesor evropian kur ai shprehu shqetësimin e tij se Ukraina do të vuajë fatin e Koresë, një komb i ndarë me dy rezultate shumë të ndryshme. Ky skenar i “mjellmës së zezë” është i lehtë të imagjinohet.

Sidomos me vetëdijen se sa kohë ka mbijetuar Transnistria, si rusët forcuan Abkhazinë dhe Osetinë, sa shpejt Moska pushtoi Krimenë, si kemi luftuar për gati gjysmë shekulli për Qipron (edhe pse Turqia është anëtare e NATO-s dhe kandidate vend për anëtarësim në BE… ).

Nëse Perëndimi ka ndonjë zgjidhje kuptimplote, ajo është ringjallja e autoritetit dhe respektit që Perëndimi gëzonte gjatë Luftës së Ftohtë.

Me ndryshimin se, këtë herë, rolin kyç të ruajtjes së demokracisë në Evropë me Ukrainën si një nga pjesët integrale të saj, duhet ta luajë BE-ja nëpërmjet bashkëpunimit efektiv me Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Koha e deklaratave, e strategjive globale apo e “busullave strategjike” ka kaluar.

EU plans for military mission in Libya, report says – Libya Update News

Ose ne fillojmë të ndërtojmë forcat e armatosura evropiane me fuqi veprimi efektive, ose banda e Putinit dhe “dishepujt” e tij do të vazhdojnë të zgjedhin – jo për vite, por për dekada – cilin qytet ukrainas do të bombardojnë.

Dhe ne në Evropë do të vazhdojmë të ngushëllojmë veten me mendimin se kjo fatkeqësi po ndodh ende vetëm në Ukrainë, duke u lutur që neni 5 i NATO-s të mos jetë thjesht një tigër letre.

Një skeptik ose një “realist evropian” do të argumentonte se rritja e fuqisë ushtarake evropiane nuk do të ndalojë ose pengojë domosdoshmërisht Putinin. Sigurisht, një Evropë me një ushtri të fortë nuk është në vetvete një parakusht i mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, nuk ka dyshim se është një parakusht thelbësor. Putinit duhet të kuptojë se BE-ja është në gjendje jo vetëm të shkëputet nga energjia ruse, por edhe të mbrojë veten dhe aleatët e saj kur kjo të jetë e nevojshme. Është gjithashtu e qartë se pozicioni negociues i liderëve tanë politikë është i ndryshëm nëse ata nuk mbështeten vetëm nga thasët e parave, por edhe nga një ushtri kompetente, e fortë dhe e gatshme për luftë.

SHBA ka dhe do të vazhdojë të ketë duart plot me Indo-Paqësorin, si dhe me Korenë e Veriut dhe Iranin. Ne do të jemi mirënjohës nëse ata i menaxhojnë vetë këto sfida.

Sa i përket sfidave që prekin fqinjët tanë të afërt, do të jetë përgjegjësia jonë t’i përballojmë ato, para së gjithash vetë.

Ajo që ne duhet të bëjmë është t’u kërkojmë politikanëve të marrin vendime të guximshme, parimore, të përgjegjshme dhe largpamëse.

Ndër vendimet më urgjente është nevoja për të filluar formësimin e aftësive evropiane të mbrojtjes.

Mund të mos na pëlqejë kjo ide; por nëse e refuzojmë, kemi detyrimin t’i përgjigjemi menjëherë pyetjes: cila është alternativa? Çfarë e pret Ukrainën, por edhe neve, banorët e BE-së, nëse vazhdojmë me gjendjen aktuale?

Ne presim që liderët politikë të jenë në gjendje të flasin bukur. Por sot, kjo nuk mjafton më.

Ata gjithashtu duhet të jenë të aftë për veprim të guximshëm. Hapi i parë në Evropë që përballet me sfidën mund të jetë që Franca të lejojë Gjermaninë të vendosë gishtin në ”çantën” bërthamore franceze.

Dhe Gjermania, nga ana tjetër, cakton gjysmën e rritjes vjetore të buxhetit të saj ushtarak, ose 50 miliardë euro, për krijimin e Forcave të Armatosura Evropiane.

Burimi: EU Observer

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Analiza e DW pas samitit të BE-së në Bruksel

“Mungesa e një udhëheqjeje të vendosur e trimëron Putinin”

Të qëndrojë apo të largohet nga Ukraina?

“The Times”: Dilema hamletiane e Zelenskyt